BioBlitz 2020, NJË NISMË E NATIONAL GEOGRAPHIC E ORGANIZUAR PËR HERË TË PARË NË LUMIN E VALBONËS, NË SHQIPËRI

BioBlitz 2020, NJË NISMË E NATIONAL GEOGRAPHIC E ORGANIZUAR PËR HERË TË PARË NË LUMIN E VALBONËS, NË SHQIPËRI
A keni dëgjuar ndonjëherë për BioBlitz? Kjo është një nismë e National Geographic, një aktivitet kërkimor me pjesëmarrjen e komunitetit që nisi të organizohet për herë të parë në SHBA në vitin 2007 dhe aktualisht festohet në mbarë botën. Ky aktivitet ka si qëllim të inkurajojë nxënësit dhe prindërit e tyre, të rinjtë dhe në përgjithësi komunitetin, për të regjistruar brenda një dite llojet e ndryshme që mund të gjenden në një zonë natyrore, duke përfituar edhe nga ndihma e stafit të parkut kombëtar, edukatorëve dhe biologëve.
 
Gjatë fundjavës së kaluar me datë 20 shtator, PPNEA iu bashkua nismës së organizatës lokale TOKA për eventin e parë BioBlitz të organizuar në lumin Valbona. Së bashku me aktivistë nga Kosova, aktivistë vendas, vullnetarë ndërkombëtarë, anëtarë të komunitetit nga Bajram Curri dhe Valbona, të gjithë u bënë bashkë për të regjistruar dhe për të mësuar të identifikojnë lloje të ndryshme përgjatë luginës dhe lumit të Valbonës, nën udhëheqjen e ekspertëve të PPNEA dhe biologëve të tjerë pjesëmarrës. Ne u përpoqëm të plotësojmë një databazë në aplikacionin iNaturalist duke fotografuar llojet dhe duke i ngarkuar ato online.
 
Nën udhëheqjen e ekspertëve të PPNEA, pjesëmarrësit mësuan të identifikojnë disa nga gjurmët e jetës së egër që u hasën përgjatë transektit të përshkuar si dhe provuan të monitorojnë habitatin për lundërzën duke kërkuar për gjurmë dhe jashtëqitje të saj. Gjithashtu, ata kundruan disa nga shpendët e hasur në luginë dhe përgjatë lumit Valbona si edhe patën kënaqësinë të mësojnë për shpendët e Shqipërisë. Nga të gjithë shpendët, gjurmët dhe jashtëqitjet e lundërzës dhe llojeve të tjera të egra, bretkosave, fluturave dhe insekteve, bimëve si dhe gjarpërinjve të vëzhguar, pjesëmarrësit arritën të regjistrojnë 44 vëzhgime dhe identifikuan 22 lloje në databazën e projektit ‘’BioBlitz in Valbona River’’ në aplikacionin iNaturalist.
 
Aktivitete të tilla si BioBlitz që përfshijnë komunitetin gjatë punës kërkimore në natyrë, dëshmojnë qartë kontributin që komuniteti mund të ofrojë për ruajtjen e natyrës. Ne presim plot dëshirë për të festuar sërish vitin që vjen biodiversitetin e lumit Valbona dhe lumenjve të tjerë në Shqipëri, dhe për t’a shndërruar BioBlitz në një aktivitet të përvitshëm në të cilin bëhen bashkë komuniteti lokal dhe kërkuesit shkencor.
 
© PPNEA (Otter traces)
 
© PPNEA
Postime të ngjashme