Gostia e parë në “Sofrën e Mbretëreshave”

Gostia e parë në “Sofrën e Mbretëreshave”
Lajme të gëzuara vijnë nga Lugina e Drinos. Së paku një çift i kalit të qyqes tashmë ka filluar të vizitojë stacionin e ushqimit plotësues të sigurtë i ndërtuar në këtë zonë në prag të vjeshtës së vitit 2016. Ushqimi plotësues është një masë që po zbatohet në të gjitha vendet e Gadishullit të Ballkanit ku ende folezon kali i qyqes për të ndihmuar rimëkëmbjen e këtij lloji tejet të rrallë që numëron vetëm 51 territore të zëna dhe 45 çifte në të gjithë Ballkanin. Përdorimi i kësaj mase, përveç se siguron ushqim për këtë lloj, ul edhe rrezikun që i kanoset nga kurthet e helmatisura. Stacioni që njihet ndryshe si “Sofra e Mbretëreshave”, marrë në konsideratë rëndësinë ekologjike të kalit të qyqes, u vizitua për herë të parë në mesditën e datës 2 qershor dhe vazhdimisht që prej asaj dite. Ky stacion u ndërtua nga PPNEA falë mbështejtjes së CEPF në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” dhe që prej asaj kohe po funksion falë mbështetjes domethënëse të “Projektit të Ri LIFE për Kalin e Qyqes” dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Gjirokastër, falë punës së përkushtuar të vetë drejtorit Z.Gligor Dushi.
Postime të ngjashme