Menu

Misioni ynë

Misioni i PPNEA-s është të garantojë një klimë qeverisëse dhe shoqërore ku ruajtja e trashëgimisë natyrore të jetë prioritare, nëpërmjet kërkimit shkencor rigoroz, përfshirjes së komunitetit, krijimit të partneriteteve strategjike dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me institucionet vendimmarrëse.

29 vite në ruajtjen e natyrës shqiptare

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, organizata e parë mjedisore në vendin tonë, aktualisht e ushtron aktivitetin përgjatë të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë. E themeluar në datën 5 qershor 1991 me një dekret special prej Akademisë së Shkencave, PPNEA e filloi aktivitetin në një periudhë tepër sfiduese. Në fillimin e viteve 90’, për shkak të ndryshimeve politiko-shoqërore në vend dhe rajon, çështjet mjedisore u anashkaluan prej politikëbërësve duke u dhënë një status të margjinalizuar në programet e qeverisjes.

Pas krijimit si organizatë, PPNEA ndërtoi një reputacion aktiv me organizimin e fushatave të gjera ndërgjegjësuese dhe implementimin e projekteve me fokus ruajtjen e natyrës. Gati tre dekada pas krijimit, organizata jonë mbart një eksperiencë të gjerë në ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit, edukimin mjedisor, promovimin e një mënyre jetese të qëndrueshme dhe, së fundmi, në menaxhimin e burimeve natyrore.

Në dekadën e parë të ushtrimit të aktivitetit, PPNEA u karakterizua nga një rol aktiv në sferën publike nëpërmjet transmetimeve në radio, pjesëmarrjes në dokumentarë, si dhe organizimit të eventeve në natyrë. Gjithashtu, aktivitete me fokus rritjen e ndërgjegjësimit u ndërmorën në të gjithë Shqipërinë. PPNEA në tepër raste ka bashkuar organizata kombëtare e rajonale duke organizuar seminare, trajnime, workshop-e, si dhe konferenca me qëllim forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe ngritjen e rrjeteve të bashkëpunimit, të cilat do të përbënin themelin e advokimit në të ardhmen për çështjet mjedisore. PPNEA është anëtare aktive e një numri të konsiderueshëm koalicionesh të përbëra prej organizatash mjedisore, të cilat shërbejnë si pararojë për çështjet natyrore me rëndësi në Shqipëri.

Në dekadën e dytë, PPNEA arriti të zhvillojë një profil të lartë lidhur me kërkimin shkencor dhe advokimin për politikat mjedisore. Në këtë mënyrë, fusha e aktivitetit të saj u shtri nga ndryshimi i qëndrimeve të publikut, deri në influencimin e vendimmarrjes lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Një proces i tillë ka arritur të shpërblejë, fillimisht në vitin 1999 me shpalljen e zonës së Prespës si Park Kombëtar, për të vazhduar në vitin 2008 me shpalljen e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Gjithashtu, është me rëndësi të përmendët një tjetër arritje, e cila erdhi si pasojë e një procesi të gjatë vlerësimi mjedisor, hartëzimi dhe konsultimi, ku kontributi i PPNEA-s rezultoi në shpalljen e zonës Korab-Koritnik si Park Natyror në vitin 2011.

Në kuadër të ruajtjes së jetës së egër, PPNEA që prej vitit 2006 është angazhuar në një iniciativë të gjerë për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit, një subspecie e rrezikuar në mënyrë kritike. Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, ka kaluar disa faza implementimi dhe aktualisht është në fazën e pestë të tij. Puna inovatore dhe metodologjia e këtij programi janë shndërruar në pika reference për monitorimin e jetës së egër dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.

Në këtë dekadë, PPNEA e ka zgjeruar punën e saj pothuajse në të gjithë parqet kombëtare në Shqipëri dhe pranë zonave ndërkufitarë me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Puna jonë ka qenë e konsiderueshme për të mbrojtur habitatet ligatinore dhe detare, të cilat janë shumë të rëndësishme për qindra mijëra shpendë folezues, dimërues dhe shtegtues. PPNEA po punon për shumë vite tashmë për ruajtjen dhe mbrojtjen e llojeve të rrezikuara në vend si pelikani kaçurrel apo të rrezikuara në mënyrë kritike në Shqipëri siç është kali i qyqes.

Fushat e veprimit

1) Ruajtja dhe mbrojtja e llojeve me rëndësi, të rralla e të rrezikuara;
2) Ruajtja dhe mbrojtja e zonave me vlera të larta të biodiversitetit;
3) Studimi i jetës së egër dhe habitateve;
4) Edukimi, ndërgjegjësimi dhe advokimi për çështjet e ruajtjes dhe mbrojtjes së natyrës; dhe
5) Zhvillimi institucional i organizatave mjedisore të shoqërisë civile.

Zonat ku ne punojmë

Organizata jonë e ushtron aktivitetin përgjatë të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë. Gjatë 29 viteve eksperiencë në fushën e ruajtjes së natyrës, PPNEA ka zbatuar projekte pothuajse në të gjitha zonat me biodiversitet të lartë në vendin tonë.

Gjithashtu, PPNEA është duke punuar edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke bashkëpunuar me organizata nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia në projekte ndërkufitare me fokus ruajtjen e ekosistemeve natyrore ndërkufitare, si rajoni i liqeneve të Prespës, apo rajoni i Sharr/Sar Planina/Korab-Koritnik.

Bashkëpunëtorët tanë

Bashkëpunëtorët e organizatës tonë janë të shumtë në numër, duke përfshirë si organizata mjedisore të shoqërisë civile, institucione shtetërore, apo edhe individë të apasionuar për ruajtjen e natyrës. Në faqen kushtuar bashkëpunëtorëve tanë mund të gjeni një pasqyrë të ri-freskuar të të gjithë individëve apo strukturave të cilat na ndihmojnë në implementimin e programeve tona.

Projektet

PPNEA ka ndërtuar reputacion tejet të fortë si një organizatë mjedisore me kapacitete të spikatura shkencore e lobuese. Projektet e implementuara prej nesh, apo ato që janë ende duke u zbatuar, lidhen si me ruajtjen e ekosistemeve, ashtu edhe me mbrojtjen e specieve të rrezikuara, duke mos përjashtuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, apo fushatat e gjera ndërgjegjësuese e edukuese, si për publikun e gjerë, ashtu edhe për nxënësit e shkollave në zonat ku ne punojmë.

Stafi ynë

Duke mbajtur në konsideratë se ruajtja e natyrës është një praktikë e cila shtrihet midis fushave të ndryshme shkencore e profesionale, ky fakt reflektohet edhe në diversitetin e stafit tonë, i cili përbëhet si nga profesionistë të shkencave natyrore, ashtu edhe nga ata të shkencave shoqërore, apo humanistike. Diversiteti i stafit shpesh bëhet shkak i nxitjes së diskutimit brenda organizatës, prej të cilit përherë lindin ide inovatore apo qasje të reja për tu ndërmarrë. Njihuni me stafin tonë në faqen dedikuar tyre, ku mund të gjeni edhe kontaktet e secilit.

  TOP