Nëpërmjet projektit WE GO COOP, Komuniteti i Praktikës për Kontratat e Ligatinave në Mesdhe është njohur zyrtarisht si një hapësirë bashkëpunuese që synon forcimin e qeverisjes së ligatinave, nxitjen e shkëmbimit të njohurive dhe promovimin e veprimeve të koordinuara në të gjithë rajonin e Mesdheut.
Komuniteti i Praktikës për Kontratat e Ligatinave në Mesdhe është themeluar në Marsejë më 5 nëntor 2025, me rastin e konferencës përmbyllëse të projektit WE GO COOP dhe njëkohësisht të Forumit të Parë Mesdhetar për Kontratat e Ligatinave, dhe promovohet (sipas rendit alfabetik) nga: Anatoliki S.A. (Greqi); Association Secrétariat MedWet (Francë); FAMP – Federata Andaluziane e Bashkive dhe Provincave (Spanjë); Institucioni Publik Parku Natyror Vransko jezero (Kroaci); PPNEA – Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (Shqipëri); RCDI – Rrjeti për Zhvillim dhe Inovacion (Portugali); dhe Departamenti i Arkitekturës i Universitetit Roma Tre (Itali).
Komuniteti i Praktikës bashkon çdo entitet (publik apo privat) dhe individ të interesuar ose të përfshirë në zbatimin e Kontratave të Ligatinave në rajonin e Mesdheut, me qëllim nxitjen e rrjetëzimit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe si dhe vlerësimin dhe përdorimin praktik të rezultateve dhe produkteve të projekteve të mëparshme të financuara nga BE-ja, të cilat kanë testuar këtë instrument të qeverisjes.
Anëtarësimi në Komunitetin e Praktikës është i hapur dhe vullnetar. Ai formalizohet përmes njohjes dhe pranimit të Memorandumit të Mirëkuptimit që ka themeluar Komunitetin e Praktikës dhe më pas me dorëzimin e formularit të posaçëm të aplikimit.
Komuniteti Mesdhetar i Praktikës për Kontratat e Ligatinave është krijuar si një rrjet informal, pa subjektivitet juridik dhe pa detyrime financiare.
Objektivat kryesore të Komunitetit të Praktikës janë:
- të rrjetëzojë aktorët dhe organizatat e përfshira drejtpërdrejt ose të interesuara në zhvillimin dhe zbatimin e Kontratave të Ligatinave, duke nxitur dialogun, sinergjitë, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin afatgjatë;
- të lidhë përvojat, zonat dhe territoret ku zbatohen Kontratat e Ligatinave për të shkëmbyer metodologji dhe zgjidhje praktike;
- të nxisë përsëritshmërinë dhe transferueshmërinë e modelit të Kontratave të Ligatinave në kontekste dhe zona të reja;
- të promovojë Kontratën e Ligatinës si një instrument proaktiv për ruajtjen e biodiversitetit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, adresimin e procesit të shkretëtirëzimit, qëndrueshmërinë e burimeve ujore dhe arritjen e objektivave më të gjera të zhvillimit të qëndrueshëm;
- të lidhë instrumentin e Kontratës së Ligatinës me grupin më të gjerë të mjeteve të qeverisjes mjedisore.
Duke iu bashkuar Komunitetit të Praktikës, anëtarët bëhen pjesë e një rrjeti dinamik mesdhetar të angazhuar për avancimin e qeverisjes bashkëpunuese të ligatinave, për shkëmbimin e njohurive dhe për forcimin e ndikimit të Kontratave të Ligatinave në të gjithë rajonin.



