30 VITE NË KRAH TË NATYRËS SË SHQIPËRISË

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) është një organizatë mjedisore jo qeveritare që operon në mbarë vendin, e njohur si organizata e parë mjedisore në Shqipëri. PPNEA u themelua më 5 qershor 1991 me një dekret të posaçëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

PPNEA u themelua pikërisht në një periudhë trazirash dhe ndryshimesh socio-ekonomike në vend dhe në rajonin më të gjerë – një kohë kur çështjet mjedisore shiheshin me përçmim duke mos u dhënë përparësinë e duhur në politikat e qeverisjes. Pas themelimit, PPNEA përfaqësoi një organizatë shumë aktive, duke marrë pjesë dhe organizuar shumë fushata ndërgjegjësimi për ruajtje e natyrës në Shqipëri si dhe duke ndërmarrë një gamë të gjerë projektesh të ndryshme me fokus në çështjet mjedisore. Pothuajse tre dekada pas krijimit, organizata mbart me vete një përvojë të gjerë në çështjet e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit, edukimin mjedisor, promovimin e një stili jetese më të qëndrueshme dhe së fundmi është angazhuar në projekte multidisiplinore që lidhen me menaxhimin e burimeve natyrore.

Që në dekadën e parë të krijimit të saj, PPNEA pati një rol të rëndësishëm në media dhe në publik me anë të emisioneve radiofonike mjedisore, dokumentarëve dhe eventeve apo aktiviteteve të ndryshme me qëllim rrirjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës. PPNEA ka bashkuar organizatat kombëtare dhe rajonale në raste të ndryshme duke organizuar seminare, trajnime, dhe konferenca të cilat kanë udhëhequr rrugën për shumë vite në forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe krijimin e një rrjeti, në mënyrë që kjo e fundit të ishte më e aftë të zgjidhte problemet mjedisore me të cilat përballej vendi.

Gjithashtu PPNEA është një anëtare aktive e disa koalicioneve mjedisore të organizatave kryesore mjedisore në Shqipëri, duke vazhduar kështu përpjekjet e saj në monitorimin e mjedisit natyror në Shqipëri. Në dekadën e dytë, organizata zhvilloi një profil të lartë në mbrojtje të politikave mjedisore dhe kërkimore, duke ndikuar në qëndrimet e publikut dhe në procesin e vendimmarrjes politike për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ky ndikim pati kulmin e vet me krijimin e dy Parqeve Kombëtare të rëndësishme në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Prespës në 1999 dhe Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë në vitin 2008. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet edhe një arritje tjetër, pas një procesi të gjatë vlerësimi mjedisor, hartëzimi dhe konsultimesh ku PPNEA kontribuoi në shpalljen e Korab-Koritnikut si Park Natyror në Dhjetor të vitit 2011.

Për sa i përket ruajtjes së jetës së egër, që nga viti 2006 e në vazhdim, PPNEA është përfshirë gjërësisht në një iniciativë për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit, lloj i rrezikuar në mënyrë kritike. Programi i Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit po zbatohet me disa faza dhe aktualisht projekti është në fazën e VI të tij. Puna inovatore dhe metodologjia e programit janë bërë një pikë referimi për monitorimin e kafshëve të egra, menaxhimin dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe në rajonin më gjerë.

Në dekadën e fundit, PPNEA ka zgjeruar punën e saj pothuajse në të gjitha parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri si dhe në zonat ndërkufitare me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Duke u shtrirë në mbrojtjen e habitateve ligatinore dhe zonave bregdetare shumë të rëndësishme për qindra e mijëra shpendë folezues, dimërues dhe shtegtues. PPNEA punon prej disa vitesh për ruajtjen e llojeve të rrezikuara si pelikani kaçurrel, lejleku apo kali i qyqes, të rrezikuar në mënyrë kritike në Shqipëri.

FUSHAT E VEPRIMIT

Ruajtja dhe mbrojtja e llojeve me rëndësi, të rralla e të rrezikuara;
Ruajtja dhe mbrojtja e zonave me vlera të larta të biodiversitetit;
Studimi i jetës së egër dhe habitateve;
Edukimi, ndërgjegjësimi dhe advokimi për çështjet e ruajtjes dhe mbrojtjes së natyrës;
Zhvillimi institucional i organizatave mjedisore të shoqërisë civile.

Misioni ynë

Misioni i organizatës sonë është të garantojë një klimë qeverisëse dhe shoqërore ku ruajtja e trashëgimisë natyrore të jetë prioritare, nëpërmjet kërkimit shkencor rigoroz, përfshirjes së komunitetit, krijimit të partneriteteve strategjike dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me institucionet vendimmarrëse.

Në këto 30 vite rrugëtim për mbrojtjen e mjedisit, organizata jonë ka zbatuar programe në të gjitha zonat kyç të biodiversitetit të Shqipërisë. Për më tepër, ne kemi dhe vazhdojmë të punojmë në disa zona ndërkufitare, duke bashkëpunuar në nivel rajonal me organizata të tjera për ruajtjen e ekosistemeve thelbësore, si rajoni i Prespës dhe zona Sharr/Sar Planina/Korab-Koritnik.

Organizata jonë me kalimin e viteve ka fituar një reputacion të fortë në lidhje me kapacitetet e saj kërkimore shkencore të jetës së egër. Projektet e zbatuara nga ne, duke përfshirë ato që janë ende në vazhdim, janë të fokusuara në ruajtjen e jetës së egër dhe habitateve të tyre, ekosistemeve,  nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut apo dhe realizimin e programeve të ndryshme të edukimit.

PPNEA punon me një numër të madh institucionesh, organizatash mjedisore, si dhe individë të apasionuar pas natyrës dhe të gatshëm të kontribuojnë për ruajtjen e saj. Në faqen e dedikuar për partnerët tanë, ju mund të përdorni një listë të përditësuar duke filluar nga bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, deri te partneritetet tona në nivel lokal.

Meqenëse ruajtja e natyrës kërkon një qasje ndërdisiplinore, stafi ynë përfaqëson një gamë të gjerë formimesh arsimore, duke filluar nga shkencat natyrore e deri te ato sociale. Shpesh, për shkak të këtij sfondi të larmishëm, ne diskutojmë dhe mendojmë për gjetjen e qasjeve novatore dhe krijuese për t’u ndjekur, një praktikë që na lejon të përshtatemi ndërsa përballemi me situata të paparashikuara. Në faqen e dedikuar për stafin tonë, mund të gjeni prezantime të shkurtra dhe detaje kontakti për secilin prej nesh.

BORDI I DREJTUESVE

Ajola Mesiti
Botanist në Universitetin e Tiranës
Enerit Saçdanaku
Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Erjola Keçi
Zëvendës dekan për Kërkimin Shkencor, Universiteti i Durrësit
Kujtim Mersini
Veteriner epidemiolog në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë

Skuadra jonë

Drejtor ekzekutiv

Aleksandër Trajçe

Programi i ruajtjes së shpendëve

Zydjon Vorpsi
Menaxher Projektesh
Ledi Selgjekaj
Menaxher Projektesh
Dea Zyruku
Menaxher Projektesh

Programi i ruajtjes së gjitarëve

Bledi Hoxha
Menaxher Projektesh
Sabina Çano
Menaxher Projektesh
Ilir Shyti
Asistent Projektesh

Edukimi, Komunikimi dhe Advokimi për ruajtjen e natyrës

Klaudja Koçi
Koordinatore për edukimin, Menaxher projekti
Sonila Hyseni
Asistente projekti, Menaxher i rrjeteve sociale
Klea Medini
Oficere e komunikimit dhe Marrëdhënie me Publikun

Programi për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Zonat e Mbrojtura

Xhemal Xherri
Menaxher Projektesh

Olsion Lama

Menaxher Projektesh

Menaxhimi dhe administrimi

Eljona Pujo
Financiere
Kejsi Haxhiraj
Financiere
Kostandin Xhaho
Oficer lokal, Vlorë
Cveta Trajçe
Oficer lokal, Prespë