Gjatë periudhës pranverë – vjeshtë e vitit 2019, PPNEA zhvilloi studimin e parë të detajuar rreth habitateve të ligatinave në Prespë. Qëllimi i këtij studimi gjashtë mujor ishte të identifikojë, vlerësojë dhe hartëzojë llojet e habitateve prioritare sipas direktivës së Natura 2000, që ndikohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga niveli i ujit në Liqenet e Prespës së Madhe dhe të Vogël.
Nga muaji Maj deri në Shtator të 2019-ës duke përdorur metodologjinë e rilevimit fitosociologjik si dhe metodën Braun- Blanquet, u realizuan 62 rilevime në zonat bregliqenore dhe ujore të Liqeneve të Prespës së Madhe dhe të Vogël. Nga analiza u identifikuan 24 shoqërime bimore te ndryshnme në zonën e Liqeneve të Prespës së Madhe dhe të Vogël, 11 prej të cilave janë shoqerime dhe 13 janë komunitete (duke përjashtuar habitatet e përdorura për bujqësi, ato rurale, zona të egra dhe zona me mbetje (mbeturina), dhe ato pa bimësi.)
Të gjitha llojet e habitateve që u gjendën me anë të rilevimit fitosociologjik u klasifikuan sipas kodeve të marra nga Manuali i Interpertimit të Habitateve të Bashkimit Europian. Në total u zbuluan 5 lloje habitatesh nga Aneksi I i Direktivës së Habitateve në zonën e studimit. Nga këto, habitati 91E0 * Pyjet aluvionale me Vërri (Alnus glutinosa) dhe Frashër (Fraxinus excelsior) si dhe aleancat Alno-Padion, Alnion incanae, Salicion albae përfaqësojnë një habitat prioritar. Diversiteti i llojeve të habitateve e bëjnë Parkun Kombëtar të Prespës një zonë shumë të rendësishme për ruajtje dhe mbrojtje, jo vetëm në nivel kombëtar, por dhe Europian.
Studimi i hartëzimit të habitateve u realizua në bazë të rezultateve dhe eksperiencës së fituar nga hartëzimi i habitateve ligatinore në pjesën ë Maqedonisë së Veriut, i cili u zbatua nga i njëjti grup nga Greqia së bashku me Shoqatën Ekologjike Maqedonase (MES) dhe Shoqata për Mbrojtjen e Prespës (SPP) gjatë vitit 2018. Rezultatet nga hartëzimi i habitateve të ligatinave të kryera në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri u përdorën për të krijuar hartën ndërkufitare që paraqet llojet e habitateve prioritare sipas Natura 2000 që gjenden në Liqenet e Prespës. Harta mund të shkarkohet këtu në website-n e PPNEAs.
Rezultatet e këtij studimi janë të një rëndësie të madhe për PPNEA-n, por gjithashtu edhe për autoritetet përkatëse dhe palët e interesuara në Shqipëri dhe në basenin e Prespës. Ky studim ka si qëllim të mbështesë qeverinë Shqiptare gjatë zhvillimit te propozimeve për krijimin e rrjetit të Natura 2000, kur vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.
Studimi u zhvillua nga një grup ekspertësh për bimësinë nga fusha e Akademisë dhe kërkimit shkencor nga Greqia dhe Shqipëria – midis tyre dhe studies të rinj nga PPNEA, studentë vullnetarë nga Universiteti Fan S. Nolin në Korçë, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Korçë.
PPNEA do të vazhdojë punën në Parkun Kombëtar të Prespës dhe do të përdorë rezultatet e studimit për të zhvilluar dhe zbatuar masa pilot për ruajtjen dhe mbrojtjen e habitateve dhe specieve prioritare në Prespë.
Hartëzimi i habitateve të ligatinave ne Parkun Kombëtar të Prespës u mbështet nga @Prespa Ohrid Nature Trust. @EuroNatur dhe @Aage V.Jensen Foundation në kuadër të Projektit “Përforcimi i ruajtjes së natyrës nën udhëheqjen e organizatave në basenin ndërkufitar të Prespës”