Tradita e organizimit të shkollës verore me pjesëmarrës nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, përfundoi me sukses edhe këtë vit.
Në Prespën ndërkufitare, 15 të rinj, studentë dhe të sapo diplomuar të apasionuar pas shkencave të natyrës nga 3 shtete, patën mundësinë të eksplorojnë duke mësuar, mbi tematikën “Ruajtja dhe mbrojtja e natyrës përmes monitorimit dhe menaxhimit” nga 19 lektorë, mes sesionesh teorike dhe aktivitetesh në terren.
Mikpritja e ngrohtë në sheshin kryesor të Bashkisë Pustec, me shfaqje filmash, ishte mënyra e zgjedhur për fillimin e këtij programi, si një prezantim me vlerat kulturore, trashëgimore dhe të biodiversitetit të Parkut Kombëtar të Prespës.
Nëpërmjet unazimit të shpendëve, kundrimit dhe identifikimit të tyre, si dhe informimit mbi rëndësinë e ruajtjes së këtyre llojeve, pjesëmarrësit mësuan metodologjinë e monitorimit të shpendëve dhe rëndësinë e masave konservuese dhe menaxhuese, nga partnerët e #PrespaNet.
Pjesë e rëndësishme e programit ishte edhe njohja me habitatet prioritare ligatinore dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për menaxhimin e tyre.
Vizita në ishullin Maligrad të liqenit të Prespës ishte mbreslënëse për pjesëmarrësit, për sesionet e monitorimit të gjarpërinjve të ujit, si dhe me llojshmerinë e reptileve, për të kaluar në demostrime të masave të ndërmarra për menaxhimin e ligatinave në Rezervën e Natyrës Ezerani, në Maqedoninë e Veriut.
I gjithë eventi 1-javor, i mbajtur nga data 11 deri në 16 Shtator, ofroi një diversitet aktivitetesh tërheqëse për pjesëmarrësit, duke krijuar një atmosferë energjike dhe bashkëpunimi.
Falenderojmë partnerët tanë të #PrespaNet, Shoqata Ekologjike Maqedonase, Shoqata për Mbrojtjen e Prespës, por edhe Bashkinë Pustec, Administratën Rajonalë të Zonave të Mbrojtura Korçë dhe partnerët e HBS Tirana, për bashkëpunimin dhe lehtësimin e zhvillimit të aktiviteteve gjatë shkollës verore.