
Pyjet Përtej Kufijve
Pyjet Përtej Kufijve 2.0: Hartëzimi dhe mbrojtja e pyjeve të fundit primare në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor ende ruan disa nga zonat e fundit të pyjeve primare dhe pyjeve të vjetër në Evropë, ekosisteme që janë zhvilluar ndër shekuj me ndikim minimal njerëzor. Këto pyje janë jo vetëm thesare ekologjike, por edhe aleatë të pazëvendësueshëm në luftën kundër humbjes së biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike. Megjithatë, shumë prej tyre mbeten të paidentifikuara, të pahartëzuara dhe të pambrojtura, duke i bërë të cënueshme nga prerjet e paqëndrueshme dhe keqmenaxhimi.
Duke u mbështetur në përvojën e projektit të parë Pyjet Pertej Kufijve (2021–2024), iniciativa e re Pyjet Përtej Kufijve 2.0 synon të sigurojë mbrojtje strikte për këto pyje të paçmueshme në pesë vende: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi.
E bazuar në udhëzimet e reja të BE-së
Faza e dytë e këtij projekti përputhet drejtpërdrejt me “Udhëzimet e Komisionit Evropian të vitit 2023 për përcaktimin, hartëzimin, monitorimin dhe mbrojtjen e rreptë të pyjeve primare dhe pyjeve të vjetër”. Këto udhëzime ofrojnë një bazë ligjore dhe shkencore për krijimin e mekanizmave të fuqishëm të mbrojtjes, duke shërbyer si një mjet i fuqishëm politik për vendet anëtare dhe jo-anëtare të BE-së në rajon.
Një angazhim trevjeçar me tre shtylla kryesore
Duke filluar nga marsi 2025 deri në shkurt 2028, Pyjet Përtej Kufijve 2.0 është ndërtuar mbi tre paketa pune strategjike, secila duke adresuar një sfidë thelbësore për ruajtjen e pyjeve:
- Hartëzimi shkencor dhe njohja e pyjeve primare
Përmes teknologjive remote-sensing dhe inventarizimit në terren, partnerët rajonalë të trajnuar dhe të udhëzuar nga ekspertë të pyjeve do të identifikojnë dhe hartëzojnë pyjet primare dhe ato të vjetër që janë të panjohura ose të pakonfirmuara, hektar pas hektari. Ky proces ndjek udhëzimet e Komisionit Evropian dhe do të përfundojë me publikime shkencore (peer-review).
- Mbrojtja e procesve natyrore të pyjeve
Proceset natyrore si rrëzimi nga erërat janë pjesë thelbësore e një ekosistemi pyjor të shëndetshëm. Kjo paketë pune synon të ndalojë praktikën e përhapur të prerjeve pas fatkeqësive natyrore (menaxhim pas katastrofës në pyje), përmes ndërgjegjësimit publik dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me ministritë dhe autoritetet pyjore.
- Angazhimi i publikut përmes rasteve model të mbrojtjes së pyjeve
Në çdo vend do të përzgjidhet një pyll si “rast demonstrues” për mbrojtje të rreptë (strict protection). Këto zona model do të shërbejnë për të rritur ndërgjegjësimin, për të ndërtuar mbështetje publike dhe për të promovuar qëllimet më të gjera të projektit përmes fushatave të dedikuara të komunikimit.
Rrjet bashkëpunimi më i fortë në rajon
Pesë partnerë rajonalë nga Ballkani Perëndimor do të zbatojnë shumicën e aktiviteteve praktike të projektit në terren. Puna e tyre mbështetet nga EuroNatur, e cila udhëheq koordinimin e përgjithshëm dhe përpjekjet për advokim në nivel politik, si dhe nga një partner i ri ekspert: Fakulteti i Shkencave Pyjore dhe të Drurit i Universitetit Çek të Shkencave të Jetës (CULS). Duke u bazuar në përvojën e suksesshme për hartëzimin dhe mbrojtjen e pyjeve primare në Sllovaki, CULS do të ofrojë udhëzime shkencore dhe ekspertizë teknike.
Një Përgjegjësi e Përbashkët, Një e Ardhme e Përbashkët
Pyjet Përtej Kufijve 2.0 nuk është vetëm një projekt për ruajtjen e natyrës, është një thirrje rajonale për veprim. Rezultatet e tij do të kontribuojnë në Strategjinë për Biodiversitetin të BE-së dhe do të ndihmojnë vendet jo-anëtare të përafrohen me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Përmes bashkëpunimit ndërkufitar dhe forcimit të standardeve për mbrojtjen e pyjeve, ky projekt përfaqëson një hap vendimtar drejt sigurimit të trashëgimisë ekologjike të Evropës Juglindore për brezat e ardhshëm.
Pyjet Përtej Kufijve
“Pyjet Përtej Kufijve” është një nismë 2.5-vjeçare e dedikuar vlerësimit të gjendjes së pyjeve primare dhe të vjetër (PF/OGF) në Ballkanin Perëndimor. Projekti fokusohet në zhvillimin e një metode të harmonizuar për identifikimin dhe hartëzimin e këtyre pyjeve kritike, kryerjen e një analize ligjore mbi mbrojtjen e tyre dhe zbatimin e masave për ruajtjen e tyre kur është e nevojshme.
I shtrirë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, projekti synon krijimin e një qasjeje të standardizuar për identifikimin dhe mbrojtjen e pyjeve primare dhe të vjetër në të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Qëllimet:
- Identifikimit i pyjeve primare dhe të vjetër (PF/OGF) duke përdorur te dhena/imazhe satelitore.
- Kryerja e verifikimeve në terren për identifikimin dhe konfirmimin e PF/OGF.
- Analizimi i kornizës ligjore dhe kryerja e hetimeve në lidhje me mbrojtjen e pyjeve.
- Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe krijimi i një rrjeti për mbrojtjen e pyjeve.
Partnerët e projektit:
EuroNatur
Kohëzgjatja:
01.06.2022 – 31.12.2024
Vendet:
Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi
Personi i kontaktit:
Klejn Ngracani
[email protected]





