Votimi i Kongresit të IUCN konfirmon: Nuk ka asnjë justifikim për zhvillimin e turizmit të paqëndrueshëm duke sakrifikuar Zonat e Mbrojtura

Votimi i Kongresit të IUCN konfirmon: Nuk ka asnjë justifikim për zhvillimin e turizmit të paqëndrueshëm duke sakrifikuar Zonat e Mbrojtura

Kongresi i IUCN ka votuar në favor të Mocionit 130, “Forcimi i kufizimeve kundër infrastrukturës së paqëndrueshme të turizmit”. Para Kongresit Botëror të Ruajtjes së IUCN 2025, anëtarët miratuan me shumicë dërrmuese Mocionin 130, me më shumë se 98% të votave, duke kërkuar kufizime më të forta ndaj infrastrukturës së paqëndrueshme të turizmit në Zonat e Mbrojtura të Kategorisë I dhe II të IUCN.

Ky mocion u iniciua nga PPNEA (Shqipëri) dhe u mbështet nga 14 organizata partnere nga 13 vende, përfshirë EuroNatur, BirdLife International, Tour du Valat, Wetlands International dhe të tjera. Ajo që filloi si një thirrje nga një vend i vogël si Shqipëria, kundër ndryshimeve të diskutueshme në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji Nr. 21/2024), tani është shndërruar në një arritje globale për ruajtjen e natyrës. Së bashku, ne rikonfirmuam një parim të thjeshtë: Zonat e Mbrojtura duhen ruajtur, jo të shndërrohen në destinacione për zhvillim masiv, përfshirë turizmin masiv.

Miratimi i Ligjit Nr. 21/2024 në Shqipëri, i mbrojtur nën narrativën e gënjeshtërt të “ndjekjes së kritereve të IUCN”, hapi derën për komplekse turistike, aeroporte dhe impiante energjetike madje edhe brenda parqeve kombëtare. Ky precedent i rrezikshëm nxiti hartimin e Mocionit 130, për të siguruar që qeveritë anembanë botës të mos përdorin më hapësira të ngjashme për të justifikuar shkatërrimin e natyrës nën petkun e turizmit.  Mocioni, në mënyrë të veçantë, i bën thirrje qeverisë shqiptare të rivendosë kufizimet mbi ndërtimet e infrastrukturës së rëndë brenda zonave të mbrojtura.

Ky rezultat u jep gjithashtu më shumë peshë thirrjeve të fundit nga Bashkimi Evropian, i cili tashmë i ka kërkuar Shqipërisë të rikthejë masat e saj për mbrojtjen e mjedisit si kusht për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE (shihni deklaratën tonë të fundit): Pavarësisht shqetësimeve për ruajtjen e natyrës, BE hap negociatat me Shqipërinë për mjedisin).

Nga ligatinat bregdetare të Shqipërisë dhe dunat e vjetra ranore të Vjosë–Nartës, ku planifikohen komplekse luksoze dhe aeroporte, e deri te sfidat e ngjashme në mbarë botën, Mocioni 130 shërben tashmë si një mesazh i fuqishëm ndërkombëtar për qeveritë se turizmi nuk mund të përdoret si justifikim për të shkatërruar Zonat e Mbrojtura.

Por, megjithëse votimi përbën një sukses të madh, puna nuk ka përfunduar. Pa ndërhyrje të menjëhershme, qeveria shqiptare mund të vazhdojë të ndjekë projekte shkatërruese brenda parqeve kombëtare, duke injoruar si kërkesat e Bashkimit Evropian, ashtu edhe qëndrimin global të IUCN-it.

Postime të ngjashme