Njoftim për shtyp
IUCN kërkon që Shqipëria të amendojë ligjin që cënon mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura
Votimi i Kongresit të IUCN konfirmon: Nuk ka asnjë justifikim për zhvillimin e turizmit të paqëndrueshëm duke sakrifikuar Zonat e Mbrojtura
Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) votoi me shumicë dërrmuese në favor të Mocionit 130, “Forcimi i kufizimeve kundër infrastrukturës së paqëndrueshme të turizmit”. Përpara Kongresit Botëror të IUCN 2025, më shumë se 98% e anëtarëve të Unionit e miratuan këtë mocion, duke dërguar një mesazh të fuqishëm global: Zonat e Mbrojtura ekzistojnë për ruajtje, jo për zhvillim masiv.
Një nga rezultatet kryesore të këtij vendimi është thirrja drejtuar qeverisë shqiptare për të ndryshuar Ligjin Nr. 21/2024, i cili shfuqizoi mbrojtjen afatgjatë për ekosistemet më të ndjeshme të vendit. Kongresi i IUCN i bëri thirrje Shqipërisë të rivendosë mbrojtjen kundër ndërtimit të aeroporteve, resorteve luksoze dhe projekteve të tjera të mëdha infrastrukturore në zonat e Kategorisë I & II të IUCN.
Shqipëria në qendër të vëmendjes ndërkombëtare
Qeveria Shqiptare e promovoi ndryshimin ligjor të vitit 2024 si “në përputhje me kriteret e IUCN”, por në realitet është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës. Ligji lejon tashmë ndërtimin e aeroporteve, centraleve energjetike dhe komplekseve të mëdha turistike edhe brenda zonave të Kategorisë I & II të IUCN, si dhe ndryshimin e kufijve për t’iu përshtatur këtyre projekteve. Ky ndryshim shqetësues ligjor minon mbrojtjen e biodiversitetit, angazhimet për anëtarësimin në BE dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, duke vendosur një precedent të rrezikshëm që mund të nxisë të njëjtën mënyrë edhe në vende të tjera.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë ilustron qartë se çfarë vihet në rrezik. Dikur strehë për mbi 200 lloje shpendësh, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot, kjo zonë tashmë përballet me kërcënimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe një kompleksi turistik prej 10,000 dhomash. Në vend që të forcoheshin, mbrojtjet janë shfuqizuar për t’i shërbyer interesave afatshkurtra të zhvillimit.
Ajo që nisi si një reagim lokal ndaj Ligjit Nr. 21/2024 në Shqipëri, sot është shndërruar në një moment historik për ruajtjen e natyrës në nivel ndërkombëtar.
Pse ky Mocion ka rëndësi globale?
Zonat e Mbrojtura kudo në botë po përballen me presion gjithnjë e më të lart. Për dekada ato kanë garantuar mbrojtjen e biodiversitetit dhe qëndrueshmërinë klimatike. Megjithatë, në shumë vende, hapsirat ligjore po shfrytëzohen për të lejuar ndërtimin me justifikimin e “zhvillimit turistik”.
Mocioni 130 i përgjigjet kësaj sfide globale:
- Duke rikonfirmuar se Zonat e Mbrojtura janë për ruajtje, jo për zhvillim masiv;
- Duke siguruar që Kategoria I (Rezervate Strikte Natyrore) dhe II (Parqe Kombëtare) të mbeten të paprekura nga aeroportet, resortet dhe infrastrukturat e tjera të rënda;
- Duke kërkuar që legjislacionet kombëtare të harmonizohen me udhëzimet e IUCN;
- Duke vendosur detyrimin për vlerësime rigoroze të ndikimit mjedisor dhe social përpara shqyrtimit të çdo projekti;
- Duke kërkuar tregues të standardizuar për monitorimin dhe zbatimin e mbrojtjes ligjore, me të dhëna të aksesueshme publikisht.
Si funksionon procesi i Mocioneve të IUCN?
- Çfarë është një Mocion i IUCN? Një propozim formal nga anëtarët e IUCN për të formësuar politikat globale të ruajtjes së natyrës dhe për të ndikuar mbi qeveritë dhe bizneset.
- Si funksionon? Mocionet shqyrtohen dhe votohen nga anëtarët e IUCN (qeveri, OJQ, institucione kërkimore dhe organizata të komuniteteve vendase). Pasi miratohen, ato shndërrohen në Rezoluta (të detyrueshme për IUCN) ose Rekomandime (të drejtuara për palët e treta).
- Pse ka rëndësi? Ky proces demokratik i jep mundësi edhe organizatave të vogla, si PPNEA në Shqipëri, të ndikojnë në standardet ndërkombëtare kur mbështeten nga partnerë globalë.
Një thirrje globale për veprim
Nga ligatinat bregdetare të Shqipërisë deri te Zonat e Mbrojtura në mbarë botën, mesazhi është i qartë: turizmi nuk mund të jetë justifikim për të shkatërruar natyrën.
Ne i bëjmë thirrje:
- Qeverive: Refuzoni ligjet që dobësojnë mbrojtjen mjedisore.
- Institucioneve dhe organizatave të ruajtjes së natyrës: Mbështesni dhe zbatoni Mocionin 130.
- Shoqërisë civile dhe individëve: Ndani informacionin, advokoni dhe kërkoni llogaridhënie nga vendimmarrësit.
Mocioni 130 u iniciua nga PPNEA dhe u mbështet nga 14 organizata partnere nga 13 vende:
- EuroNatur – Stiftung Europäisches Naturerbe (Gjermani)
- Tour du Valat (Francë)
- Wetlands International (Holandë)
- Sociedad Geológica de España (Spanjë)
- Mediterranean Institute for Nature and Anthropos (MedINA) (Greqi)
- Institute for Nature Conservation in Albania (INCA) (Shqipëri)
- Centar za zaštitu i proučavanje ptica Crne Gore (Mali i Zi)
- Centar za istražuvanje i informiranje za životna sredina Eko-svest Skopje (Maqedonia e Veriut)
- Udruga BIOM (Kroaci)
- Bâlgarska Fondatzia Bioraznoobrazie (Bulgarian Biodiversity Foundation) (Bullgari)
- Loro Parque Fundación (Spanjë)
- Association Les Amis des Oiseaux (AAO) (Tunizi)
- Fondation Prince Albert II de Monaco (Monako)
- BirdLife International (Mbretëria e Bashkuar)
Megjithëse miratimi i Mocionit 130 është një sukses, puna nuk ka përfunduar. Shqipëria mund të vazhdojë të shtyjë përpara projekte shkatërruese në Parqet Kombëtare, duke shpërfillur kërkesat e anëtarësimit në BE dhe qëndrimin global të IUCN. Vigjilenca e vazhdueshme mbetet thelbësore.
Mocioni 130 është një kujtesë e fortë: zonat e mbrojtura nuk janë zona zhvillimi, por janë strehë për natyrën, për njerëzit dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Për më shumë informacion mbi Mocionin 130 dhe tekstin e plotë, vizitoni: Kongresi Botëror i IUCN 2025 / Mocioni 130