THIRRJE PUBLIKE MINISTRIT TË MJEDISIT: NDALONI PUNIMET NË PISHË PORO–NARTË DHE TREGONI TË VËRTETËN PËR ATË QË PO NDODH NË TERREN
“Unë dua të sqaroj se nuk është duke u zhvilluar asnjë degradim i zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë… është bërë vetëm rrethimi i një prone private për të kryer survejime gjeologjike” – kështu u shpreh Ministri i Mjedisit dje në konferencën për shtyp.
E vërteta është se në brendësi të Zonës së Mbrojtur janë futur kamiona dhe ekskavatorë, të cilët po shkatërrojnë zonën e mbrojtur duke gërryer kodrat për të hapur rrugë, duke sheshuar dunat dhe duke tjetërsuar sipërfaqen brenda pyllit të pishave me shtrimin e inerteve, madje edhe mbi sipërfaqe ujore.
Në vend që të merren masa të menjëhershme për verifikimin e situatës dhe ndalimin e punimeve, po vërehet një tendencë për t’i justifikuar këto ndërhyrje, ndërkohë që aktiviteti në zonë po intensifikohet. Edhe sot, kamiona dhe betoniere të tjera po futen në zemër të zonës së mbrojtur.
I bëjmë thirrje Ministrit të Mjedisit, të përdori këtë moment historik dhe të tregojë fytyrën europiane të vendit duke ndërhyrë pa vonesë për të ndaluar çdo punim dhe për të garantuar mbrojtjen reale të Pishë Poro-Nartës.
Njëkohësisht, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, IKMT-ja dhe Policia e Shtetit duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të marrin menjëherë territorin në mbrojtje, duke ndaluar çdo aktivitet të paligjshëm brenda Zonës së Mbrojtur.









