Zonat urbane bregdetare janë ndër sistemet socio-ekologjike më dinamike dhe më të cenueshme në botë. Ato përballen me presione në rritje nga ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe urbanizimi i shpejtë. Në të njëjtën kohë, këto hapësira ofrojnë mundësi të veçanta për inovacion në fushën e qëndrueshmërisë dhe qeverisjes mjedisore.
“Bregdete në Bashkëjetesë” zhvillon një qasje të re, të mbështetur në konceptin e ruajtjes në bashkëjetesë (convivial conservation), duke vendosur komunitetet lokale, njohuritë e tyre dhe praktikat kulturore në qendër të zgjidhjeve mjedisore. Projekti synon t’i rikonceptojë zonat urbane bregdetare si hapësira të gjalla eksperimentimi, ku bashkëjetesa mes njerëzve dhe biodiversitetit mund të zhvillohet dhe të testohet në praktikë.
Përmes Laboratorëve Urbanë të Jetës (Urban Living Labs), projekti do të bashkëhartojë dhe testojë praktika inovative të ruajtjes, duke identifikuar modele të zbatueshme dhe të përshtatshme për kontekste të ndryshme, me synim një transformim të qëndrueshëm dhe në kontekst shoqeror të drejtë, të zonave urbane bregdetare.
Projekti i përgjigjet nevojës urgjente për të rishikuar mënyrën se si konceptohet dhe zbatohet ruajtja e natyrës në mjediset urbane bregdetare, ku degradimi ekologjik, zhvillimi urban dhe dinamikat sociale ndërthuren. Përmes konceptit të ruajtjes në bashkëjetesë, projekti promovon bashkëjetesën mes njerëzve dhe natyrës, duke integruar njohuritë lokale, praktikat kulturore dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në strategjitë e ruajtjes.
Duke përdorur një qasje ndërdisiplinore dhe eksperimentale, projekti do të zhvillojë dhe testojë zgjidhje, përfshirë ndërhyrje të bazuara në natyrë, praktika kulturore dhe nisma të udhëhequra nga komunitetet, në tre qytete bregdetare: Burgas, Vlorë dhe Cádiz.
Projekti mbështetet në një bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet ekipit kërkimor, të drejtuar nga Dr. Anna S. Antonov në TUM School of Social Sciences and Technology, dhe organizatave mjedisore PPNEA në Shqipëri, BBF në Bullgari dhe SALARTE në Spanjë.
Kohëzgjatja: 2026–2031
Financimi: Volkswagen Foundation – Change! Fellowships Programme
Vendet: Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Spanjë
Partnerët: BBF (Bullgari), PPNEA (Shqipëri), SALARTE (Spanjë)
Menaxhere e projektit: Dr. Anna S. Antonov, Technical University of Munich (TUM)
Koordinator i projektit: Xhemal Xherri, PPNEA / BirdLife Shqipëri









