Raport i ri: Miliona shpendë vazhdojnë të vriten në mënyrë të paligjshme dhe shumica e vendeve po dështojnë t’i ndalojnë

Raport i ri: Miliona shpendë vazhdojnë të vriten në mënyrë të paligjshme dhe shumica e vendeve po dështojnë t’i ndalojnë

Vetëm 8 nga 46 vende janë në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimin kundër gjuetisë së paligjshme deri në vitin 2030. 

Pavarësisht premtimeve të forta për mbrojtjen e shpendëve shtegtarë, shumica e vendeve janë ende larg përmbushjes së tyre. Një studim i ri i BirdLife International dhe EuroNatur, i titulluar “Vrasja 3.0: Progresi në Zhdukjen e Vrasjes së Paligjshme të Shpendëve në Mesdhe dhe Europë,” tregon një situatë alarmante: shumica e vendeve që kufizohen me Mesdheun – në Europë, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme – po dështojnë të përmbushin angazhimin e tyre për të përgjysmuar vrasjen, kapjen dhe tregtinë e paligjshme të shpendëve (IKB) deri në vitin 2030.

Popullatat e shpendëve kanë pësuar një rënie të ndjeshme gjatë dekadave të fundit. Mbishfrytëzimi, përfshirë vrasjet e paligjshme, është faktori i dytë kryesor i zhdukjes së shpendëve në nivel global, menjëherë pas humbjes së habitateve natyrore.1 Çdo vit, miliona shpendë qëllohen, kapen ose helmohen në mënyrë të paligjshme në të gjithë Europën dhe rajonin e Mesdheut, duke minuar përpjekjet për mbrojtjen e tyre përgjatë rrugëve të shtegtimit.2

Duke njohur përmasat alarmante të kësaj krize, qeveritë janë angazhuar për veprime të koordinuara në kuadër të Konventës së Bernës dhe Planit Strategjik të Romës 2020–2030 të Konventës për Llojet Shtegtare (CMS). Megjithatë, me vetëm pesë vite të mbetura për të arritur objektivin për përgjysmimin e vrasjeve, kapjeve dhe tregtisë së paligjshme të shpendëve (IKB) deri në vitin 2030, progresi është ende shumë larg pritshmërive. Nevojiten veprime urgjente! Nëse nuk veprohet tani, humbjet shkatërruese të popullatave të shpendëve do të jenë të pashmangshme, në një kohë kur disa prej tyre rrezikojnë të zhduken përgjithmonë.

  • Turtulli (Streptopelia turtur): Aktualisht i listuar si ‘I Rrezikuar’ në Listën e Kuqe të IUCN. Çdo pranverë, dhjetëra mijëra individë vriten ilegalisht në Ishujt Jonianë, në Greqinë Perëndimore.
  • Kali i Qyqes (Neophron percnopterus): I klasifikuar si ‘I Rrezikuar’. Popullata e tij në Ballkan përballet me kërcënimin serioz të helmimit, shpesh përmes karremave të helmuar të përdorur në mënyrë të paligjshme.
  • Gardalina (Carduelis carduelis): Edhe pse ende figuron si ‘Pak i Rrezikuar’, ky shpend dikur i zakonshëm po përballet me rënie në shumë rajone për shkak të kapjes masive për tregti të paligjshme në kafaze, sidomos në Afrikën Veriore dhe rajonin e Mesdheut.

Raporti “Vrasja 3.0”, i bazuar në analizën e 46 vendeve, me fokus të veçantë në 22 shtete mesdhetare, nxjerr në pah një panoramë shqetësuese: 38 vende nuk janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e vitit 2030. Përfitimi ekonomik është identifikuar si shkaku kryesor i vazhdimësisë së kësaj praktike. Në vendet më të prekura, përgjegjëse për rreth 90% të vrasjeve të paligjshme, progresi është i pakët, dhe në disa raste situata është përkeqësuar. 3

Dr. Barend van Gemerden, Koordinator i Programit Global për Rrugët e Shtegtimit në BirdLife International, thekson:

“Vrasja e paligjshme e shpendëve nuk është thjesht një krim, por një tragjedi që kërcënon shpendët përgjatë gjithë rrugëve të tyre të shtegtimit. Nivelet e larta të kësaj praktike në një vend mund të zhdukin përpjekjet e ruajtjes në një vend tjetër. Na nevojiten masa më të forta, të koordinuara dhe ndërkufitare. Arritja e objektivit për vitin 2030 është një sfidë e madhe, por jo e pamundur.”

Ka ende shpresë! Vende si Spanja dhe Zonat Sovrane Bazë të Qipros dëshmojnë se, me vullnet politik, planifikim të mirë dhe burime të mjaftueshme, ndryshimi është i mundur.4

Dr. Justine Vansynghel, Menaxhere Projekti në EuroNatur, thekson:

“Numri i shpendëve që vriten në mënyrë të paligjshme çdo vit mbetet tejet i lartë dhe i papranueshëm. Për shumë shpendë shtegtarë, kjo do të thotë vdekje përpara se të mbërrijnë në zonat e riprodhimit. Gjatë gjysmës së parë të periudhës 10-vjeçare të Planit Strategjik të Romës janë zhvilluar një sërë mjetesh dhe udhëzimesh për të mbështetur autoritetet kombëtare. Tani është koha për t’i zbatuar me vendosmëri, për të ndalur degradimin e mëtejshëm.”

Ndërsa qeveritë mblidhen këtë javë për të rishikuar angazhimet e tyre, “Vrasja 3.0” dërgon një mesazh të fuqishëm: Koha e premtimeve ka kaluar. Pa veprime të menjëhershme dhe konkrete, miliona shpendë të tjerë do të jenë viktima të kësaj tragjedie të vazhdueshme.

Shënime për redaktorin:

  1. Mbishfrytëzimi i referohet përdorimit të paqëndrueshëm të biodiversitetit për qëllime të ndryshme si ushqim, kafshë shtëpiake, sport, mjekësi dhe zbukurim (p.sh., taksidermi), qoftë në mënyrë ligjore apo të paligjshme. Ai është një nga faktorët kryesorë që kontribuon në rënien e popullatave të llojeve, përfshirë edhe shpendët.
  2. Ekziston një llojshmëri e madhe strategjish shtegtimi, si dhe shumë variacione në rrugët që ndjekin llojet dhe individët brenda të njëjtit lloj ose popullate. Brenda këtij kompleksiteti janë identifikuar disa modele të përgjithshme që kanë çuar në njohjen e katër “sistemeve të korridoreve të shtegtimit” tokësore. Disa prej këtyre sistemeve janë ndarë më tej në “korridore shtegtimi” specifike. BirdLife International aktualisht njeh tetë korridore tokësore (të përdorura nga shpendët e tokës dhe të ujërave të ëmbla) dhe gjashtë korridore detare (të përdorura nga shpendët detarë). Më shumë informacion: BirdLife Flyways
  3. Raporti “Vrasja 3.0” krahason progresin ndërmjet periudhave 2015–2019 dhe 2020–2024, duke identifikuar tendencat dhe sfidat në forma të ndryshme të vrasjes së paligjshme të shpendëve (IKB) si gjuetia, vendosja e kurtheve dhe helmimi, në rajone të ndryshme. Rezultatet tregojnë se që nga viti 2020, përmirësime janë shënuar vetëm në 2 nga 10 vendet me nivelin më të lartë të IKB (Kroacia dhe Greqia), megjithëse reduktimi (5–24%) mbetet i pamjaftueshëm për të qenë në rrugën e duhur drejt objektivit të Planit Strategjik të Romës. Në 4 vende të tjera (Azerbajxhan, Itali, Francë dhe Liban) nuk është shënuar ndonjë përmirësim domethënës. Ndërkohë, në 4 vende të tjera (Egjipt, Siri, Qipro dhe Libi), situata është përkeqësuar gjatë periudhës 2020–2024.
  4. Partneriteti BirdLife punon në mbështetje të autoriteteve kombëtare për të adresuar problemin e IKB. Raporti “Vrasja 3.0” ofron rekomandime të qarta për veprim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Më shumë informacion:

https://ppnea.org/wp-content/uploads/2025/05/The-Killing-3.0-full-report.pdf

https://ppnea.org/wp-content/uploads/2025/05/annex_1_%E2%80%93_national_datasheets.pdf

Postime të ngjashme