Enerit Saçdanaku
Conservation Biologist, University of Tirana

Dr. Enerit Saçdanaku përfundoi studimet Bachelor në Shkencën e Biologjisë në vitin 2008 në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Dy vite më vonë, në 2010, ai përfundoi studimet e tij të ciklit të dytë në Biologji Mjedisore (MSc) në të njëjtin universitet, duke fituar titullin “Biolog Mjedisor”. Ai vazhdoi studimet dhe punën kërkimore, ku shtatë vite më vonë, në 2017, fitoi titullin Doktor i Shkencave në Biologji Mjedisore pranë Universitetit të Tiranës, me fokus në Taksonominë, Shpërndarjen dhe Ekologjinë e Breshkave të detit dhe të ujërave të ëmbla në Shqipëri.
Në vitin 2011, ai filloi punën si Lektor me kohë të plotë në Zoologjinë e Vertebrorëve dhe Anatominë Krahasimore pranë Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, ku për pesë vite u përkushtua me pasion dhe motivim në përgatitjen e brezave të rinj të biologëve.
Në vitin 2015, ai iu bashkua Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, ku vijon të punojë si Kërkues Shkencor. Puna e tij fokusohet në taksonominë, shpërndarjen, ekologjinë dhe konservimin e amfibëve dhe reptilëve në Shqipëri.
Gjithashtu, Dr. Saçdanaku është Asistent Lektor në Zoologjinë e Vertebrorëve, pranë Departamentit të Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, ku drejton dhe udhëheq kurset praktike në terren për Zoologjinë e Vertebrorëve me studentët e vitit të dytë Bachelor.
Me një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e inventarizimit të biodiversitetit, monitorimit të habitateve dhe specieve, taksonomisë dhe identifikimit të specieve, ai është i specializuar në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave mbi speciet dhe habitatet me rëndësi për komunitetin shkencor, monitorimin e tendencave të popullatave dhe kushteve të habitateve të herpetofaunës në Shqipëri.