Gjuetia e thëllëzave në Ballkan po shkakton humbjen e këtij lloji të rrezikuar

Gjuetia e thëllëzave në Ballkan po shkakton humbjen e këtij lloji të rrezikuar

Sezoni i gjuetisë së thëllëzave ka filluar në shumë shtete të Ballkanit. Fatkeqësisht, humbja e popullatave të thëllëzave nga gjuetia e paligjshme po ndodh në të gjithë Ballkanin, kur zhvillohet sezoni i lejuar i gjuetisë. Një praktikë e paligjshme që përdoret në të gjithë Ballkanin është gjuetia me drita, që zhvillohet natën, ku gjuetarët e paligjshëm vendosin imitues zanor në fusha ose kullota për të tërhequr tufat shtegtuese të thëllëzave që nisen drejt Afrikës. Në mëngjes, gjuetarët e paligjshëm vendosin imitues zanorë në zonat e hapura dhe fillojnë kaosin e tyre. Ata vrasin shumë më tepër shpendë si rezultat i përdorimit të imituesve që janë të ndaluar me ligj, sesa në kushte natyrore: përdorimi i imituesve rrit dhjetë herë praninë dhe afrimin e shkurtëzave që shtegtojnë. Vlerësohet se të paktën 160.000 thëllëza vriten ilegalisht çdo vit në Ballkan, duke numëruar vetëm Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Kjo rënie përfaqëson afërsisht 2,5-3% të të gjithë popullatës së shkurtës në Evropë – një humbje e madhe për një lloj që tashmë po tregon një trend negativ të popullatës dhe që për këtë arsye është renditur si Afër Kërcënimit (NT) në vlerësimin e fundit të Listës së Kuqe të IUCN për Evropën nga Birdlife International. Nuk ka asnjë rrugë shtegtimi të sigurt për thëllëzat që kalojnë në Ballkan. Kjo është arsyeja pse disa organizata të ruajtjes së natyrës luftojnë për rrugë shtegtimi të sigurta për thëllëzat dhe llojet e tjerë të shpendëve shtegtues. Për shkak të etikës dhe ndikimit të tyre negativ në biodiversitet, imituesit zanor janë ndaluar me ligj në pjesën më të madhe të botës. Megjithatë, për fat të keq, metodat e paligjshme të vrasjes me imitues janë ende të përhapura në Evropën Jugore. Një partneritet i organizatave të ruajtjes së natyrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat po punojnë së bashku në ruajtjen e shpendëve shtegtues përgjatë rrugës së shtegtimit të Adriatikut lindor, pasqyrojnë një hartë të zonave të gjuetisë së paligjshme të thëllëzave, të cilat janë zbuluar në Ballkan.

“Numri i thëllëzave në Evropë ka rënë gjatë dekadave të fundit për shkak të humbjes së habitatit dhe vrasjeve të paligjshme në Ballkan dhe Mesdhe. Intensiteti i përdorimit të imituesve zanor të përdorur në Ballkan tregon se një pjesë e madhe e popullatës së këtij lloji shtegtues vritet për hir të sportit dhe furnizimit të tregut të zi në Itali. Nëse i hedhim një sy hartës sonë, mund të jemi të sigurt që tufat shtegtuese që kalojnë nëpër Ballkan janë vrarë. Fatkeqësisht, individët që arrijnë t’i mbijetojnë këtij ekocidi në Ballkan, do të përballen me gjueti edhe më intensive në Afrikën Veriore“ – thotë Boleslaw Slocinski nga Biom (Birdlife Kroaci).

“Vrasja e paligjshme e thëllëzave në Ballkan nuk është vetëm një problem lokal, por një problem evropian,” – tha Dr. Justine Vansynghel, Menaxhere e projektit për Ruajtjen e Shpendëve Shtegtues në EuroNatur, një organizatë gjermane e ruajtjes, që mbështet partneritetin Adriatic Flyway për të trajtuar vrasjen e paligjshme të shpendëve shtegtues. “Lloji është bërë i rrallë në pjesën e saj veriore për shkak të intensifikimit të bujqësisë. Humbja e shkaktuar nga vrasja e paligjshme përgjatë rrugës së shtegtimit të Adriatikut lindor është një tjetër rrezik që mund të çojë në rënien e popullatave të thëllëzave të Evropës Qendrore,”.

“Vrasja e paligjshme e thëllëzave me imitues është kryesisht e nxitur nga agjencitë e turizmit të gjuetisë dhe shoqatat e gjuetisë që organizojnë gjuetinë e thëllëzave për gjuetarët e huaj. Ata shpesh reklamojnë hapur mundësi të pakufizuara gjuetie për klientët e tyre” – thotë Tibor Mikuska nga Shoqata Kroate për Ruajtjen e Shpendëve dhe Natyrës. “Për më tepër, zotërimi dhe tregtimi i imituesve nuk është i paligjshëm dhe reklamohet hapur në dyqanet online, duke penguar heqjen efikase të pajisjeve të tilla të paligjshme nga terreni”.

“Zonat ku ka gjueti të paligjshme janë të përhershme. Pasi zbulojmë një imitues, ne mund të kthehemi çdo javë dhe të raportojmë atë pajisje vazhdimisht” – thotë Sandra Jovanović nga BPSSS (Birdlife Serbia). “Gjatë dy viteve të fundit vrasja e paligjshme e thëllëzave në Serbi madje është përshkallëzuar; kjo mund të jetë për shkak të parandalimit më të mirë në Kroaci pasi ne dhe organizata BIOM vërejmë ulje të përdorimit të kësaj metode në Kroaci, por rritje në Serbi”.

“Kapacitetet e ulëta të institucioneve ligjzbatuese dhe dënimet e ulëta të parashikuara për kundravajtësit janë probleme të vazhdueshme në Mal të Zi. Qeveria malazeze planifikon të përgatisë dhe zbatojë Planin Kombëtar të Veprimit kundër vrasjes së paligjshme të shpendëve. Shpresojmë që kjo të adresojë çështjen e gjuetisë së thëllëzave dhe krimet e tjera ndaj faunës së egër. Me planin në zbatim edhe nga vendet e tjera të Ballkanit, ne shpresojmë që në vitet në vijim të kemi një situatë shumë më të mirë në lidhje me mbrojtjen e thëllëzave”, – thotë Marija Lekic nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP) nga Mali i Zi.

“Për një kohë të gjatë Shqipëria është në moratorium gjuetie. Mungesa e zbatimit të tij ka bërë që gjuetarët të përcaktojnë rregullat e tyre dhe të debatojnë mbi etikën e gjuetisë. Një brez i ri dhe disa gjuetarë me përvojë mendojnë se suksesi i tyre në vrasjen e thëllëzave të zakonshme është kërcënim i përhershëm në Shqipëri dhe përtej, nëse nuk përdoren imituesit zanor. Kjo strategji e legjitimimit të praktikave të gjuetisë pa leje çoi në një rënie të thellë të popullatës së thëllëzave në Evropë”, – shprehet Zydjon Vorpsi nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA, Birdlife Shqipëri).

“Sasia e madhe e thëllëzave që vriten me praktika të ndaluara (imitues) ka bërë që popullata e këtij lloji të bjerë çdo vit në Shqipëri. Vlerësohet se çdo vit në vend vriten rreth 3000-6000 thëllëza (Scoreboard 2020) dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre shiten në restorante të specializuara për kafshët e egra”, – thotë Erald Xeka nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS).

Ne, partneriteti i organizatave të ruajtjes së natyrës i bëjmë thirrje urgjente:

  • Komunitetit të gjuetarëve për tolerancë zero për vrasjen e paligjshme të shpendëve dhe të raportojnë rastet kur përdoren imitues tek autoritetet përgjegjëse,
  • Komunitetit lokal – për të raportuar raste të përdorimit të imituesit tek autoritetet,
  • Institucioneve ligjzbatuese – për të trajtuar rastet e vrasjes së paligjshme të shpendëve,
  • Gjykatësve dhe prokurorëve – për të ofruar ekspertizën e tyre në trajtimin e vrasjes së paligjshme të shpendëve dhe për të siguruar dënimet e duhura për kriminelët.

Ne besojmë se kundërshtimi i fortë nga publiku, zbatimi i ligjit dhe ndjekja efektive e rasteve të vrasjes së paligjshme të shpendëve do t’i japë fund këtij fenomeni dhe do t’i bëjë rrugët e shtegtimit të sigurta për shpendët dhe biodiversitetin të lulëzojë.

Kontakt:
Christian Stielow, EuroNatur, christian.stielow(at)euronatur.org, Tel.: +49 (0)7732 – 92 72 15
Tibor Mikuska, HDZPP, Tel. +385 95 909 87 53
Bolesław Słociński, Biom, [email protected]

Postime të ngjashme