Vetëm 6 çifte riprodhuese dhe 3 individë të veçuar kanë mbetur sot në Shqipëri dhe të gjithë ata shtrihen përgjatë lumit Vjosa (Aoos) dhe degëve të tij si lumi Drino, lumi i Bënçës, lumi Shushica, përroi i Kardhiqit, etj. Këto 9 territore janë vetëm një gjurmë e vogël krahasuar me praninë e 14 territoreve në vitin 2004. Kështu, kali i qyqes, lloj i rrezikuar globalisht, ka humbur në vetëm 15 vjet rreth 35% të territoreve të saj në Shqipëri. Territoret e vetme të mbetura ndodhen sot në pellgun ujëmbledhës të Vjosës.
Eshtë e qartë që ekziston një lidhje e fortë midis kalit të qyqes dhe lumit Vjosa (Aoos) si dhe anasjelltas. Për shkak të kësaj marrëdhënieje të frymëzuar, një shprehje ka gjetur rrugën e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve: “Kur themi kali i qyqes nënkuptojmë Vjosën (Aoos) dhe kur themi Vjosa (Aoos) nënkuptojmë kalin e qyqes.”
Kjo lidhje ishte arsyeja pse kali i qyqes mori emrin e këtij lumi. Në vitin 2015 një ekip i Shoqatës Ornitologjike Greke (HOS) I vendosi një transmetues satelitor një femre të rritur të kalit të qyqes dhe e quajti atë Aoos (Aoos është emri i lumit në Greqisht, Vjosa – në shqip). Në këtë moment, ky shpend është duke u kthyer në shtëpinë e tij, në luginën e Vjosës, duke mbuluar një territor që shtrihet përtej kufinjve, Shqipëri dhe Greqi. Përgjatë shtegtimit te saj, Vjosa përballet me shumë kërcënime si helmimi, elektroshoku dhe përplasja me linjat e energjisë, persekutimi etj, por as në territorin e saj folezues nuk do të jetë e sigurt. Foleja e saj kërcënohet nga plane të zymta për ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë luginës së lumit Vjosa dhe kjo do të ishte shkatërruese jo vetëm për kalin e qyqes por edhe për shumë lloje të tjera simbol, tepër te rrezikuara në Shqipëri.
Lumi dhe degët e tij janë kërcënuar sot nga planet për hidrocentrale që do të ndryshojnë habitatet e Vjosës (Aoos) përgjithmonë. Dy hidrocentrale të mëdhenj (Poçemi dhe Kalivaçi) janë planifikuar në lumin Vjosa (Aoos), një tjetër në lumin Bënça, Shushica dhe disa të tjera më të vogla në Kardhiq, Zhulat etj. Habitatet do të humbasin ose nga liqenet e krijuara nga digat e mëdha të hidrocentraleve ose nga devijimi që do i bëhet ujit të lumit. Vjosa (Aoos) së shpejti mund të humbasë larminë e saj të mrekullueshme natyrore dhe të gjitha llojet që e bëjnë lumin kaq unik.
Humbja e habitateve të lumit Vjosa nënkupton humbjen e territoreve të fundit të kalit të qyqes si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi. Kështu, të dy vendet nuk do të humbasin vetëm një lumë. Të dy vendet do të humbasin lloje të panumërta dhe mbi të gjitha kalin e qyqes. Natyra si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi do të humbasë një lloj simbolik i mishëruar për kaq gjatë në trashëgiminë kulturore dhe natyrore të rajonit dhe vendit.
Prandaj, mesazhi ynë i fortë është që Vjosën (Aoos) ta lëmë të lirë nga digat! Lëreni kalin e qyqes të fluturojë i lirë në habitatin e tij. Le të gëzojmë si ne dhe brezat e ardhshëm Vjosën (Aoos) dhe kalin e qyqes! Lëreni natyrën të lirë të ofrojë shërbimet e saj të ekosistemit për një kohe sa më të gjatë dhe t’i shijojmë të gjithë ne, si Shqipëri ashtu edhe Greqi!
Për shumë njerëz lumi Vjosa (Aoos) është i vetmi dhe lumi i fundit i lirë i Evropës. Ky lumë i mrekullueshëm merr origjinën nga malet e Pindit në Greqi, ku njerëzit e quajnë atë Aoos, shkon deri në jug të Shqipërisë nën emrin e Vjosës dhe derdhet pastaj në detin Adriatik. Eshtë pikërisht kjo rrjedhë e lirë që na mundëson të shijojmë sot pamjen spektakolare të luginës së Vjosës duke përfshirë male të larta, shpate të pyllëzuara, gjarpërimet që krijojnë lumenjtë apo dhe plazhet e mëdha zallore.
Por Vjosa (Aoos) nuk është vetëm një peizazh spektakolar. Lugina e lumit është shtëpi e llojeve të shumta të insekteve, peshqve, amfibëve, zvarranikëve, shpendëve dhe gjitarëve, ku disa prej tyre endemike në rajon dhe shumë prej tyre janë të rrezikuar globalisht. Por, për adhuruesit e shpendëve, mbi të gjitha lumi Vjosa (Aoos) dhe lugina e tij, përfaqëson strehën kryesore për kalin e qyqes, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi. Ky lloj i rrezikuar globalisht dhe i kërcënuar me rrezik zhdukjeje, gjen në luginën e Vjosës habitatin e tij të përsosur për të folezuar.
Ndiqni udhëtimin e mrekullueshëm të Vjosës këtu