Me një Plan Veprimi të rishikuar, a është më në fund në rrugën e duhur Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor?

Me një Plan Veprimi të rishikuar, a është më në fund në rrugën e duhur Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor?

Komisioni Evropian e nisi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në vitin 2020. Pesë vite më vonë, progresi mbetet i kufizuar. Në mesin e tetorit, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan versionin e përditësuar të Planit të Veprimit. Në këtë artikull shqyrtojmë nëse propozimet e shoqërisë civile u morën parasysh dhe nëse plani i rishikuar mund të sjellë një frymë Në këtë artikull shqyrtojmë nëse propozimet e shoqërisë civile u morën parasysh dhe nëse plani i rishikuar mund të sjellë një frymë të re dhe dinamike të re në këtë proces.

Pippa Gallop, Oficere e Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore | 6 nëntor 2025

Foto: Ivan Posinjak

Që prej fillimit të saj, Agjenda e Gjelbër ka frymëzuar dhjetëra konferenca dhe diskutime publike, por shumë pak rezultate konkrete në terren. Prandaj, rishikimi i këtij viti i Planit Rajonal të Veprimit duhej të ishte një mundësi për debat të gjallë dhe gjithëpërfshirës.

Organizatat e shoqërisë civile ishin të gatshme të kontribuonin. Në tetor 2024, tetëmbëdhjetë prej tyre iu drejtuan Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), të cilit Komisioni Evropian i ka deleguar menaxhimin e Agjendës së Gjelbër, me propozime të detajuara për përmirësimin e Planit të Veprimit dhe të qeverisjes së procesit.

Në fillim të vitit 2025, RCC informoi përfaqësuesit e shoqërisë civile se do të zhvillohej një proces konsultimi me dy faza. Konsultimi i parë, mbi versionin paraprak, u mbajt në prill, por faza e dytë, ajo për draftin e plotë të Planit të Veprimit, fillimisht u shty dhe më pas u anulua plotësisht, pasi miratimi i planit të rishikuar u parashikua të bëhej në takimin ministror në Dubrovnik në mesin e tetorit.

Më 13 tetor, pak para takimit, 52 organizata të shoqërisë civile i dërguan një letër RCC-së për të shprehur zhgënjimin e tyre që konsultimi publik për draftin nuk ishte zhvilluar.

Disa përmirësime të qarta në plan

Megjithëse procesi kishte mangësi, Plani i Veprimit i Rishikuar i Agjendës së Gjelbër 2025–2030 përfaqëson një përmirësim të qartë krahasuar me versionin e parë.

Së pari dhe më e dukshmja është forma e re e planit, e cila përputhet ngushtë me atë që u propozua nga grupet e shoqërisë civile vitin e kaluar. Tashmë veprimet janë ndarë në pjesë më të vogla dhe afatet e zbatimit janë përcaktuar më qartë, ashtu siç ishte rekomanduar. Ai përfshin gjithashtu tregues dhe përcakton, të paktën për disa veprime, mënyrën se si do të verifikohet arritja e tyre.

Plani përmban ende shumë veprime – 41 gjithsej – dhe disa prej tyre kanë disa komponentë, por të paktën tani janë më pak se më parë, kur ishin 58. Janë shtuar disa veprime të reja, ndërsa disa masa më pak të dobishme dhe të vështira për t’u matur janë hequr.

Në total, nga rreth 63 rekomandime që dorëzuam në tetor 2024 për veprime specifike, rreth 15 nga veprimet e reja dhe të përditësuara përfshijnë në njëfarë mënyre propozimet tona. Për më tepër, shumica e veprimeve të hequra – 13 prej tyre – përputhen me sugjerimet tona. Disa masa të reja nuk lidhen drejtpërdrejt me propozimet tona, por janë logjike dhe të mirëpritura.

Ndër risitë pozitive është përfshirja e një veprimi të ri për përgatitjen e Planeve të Tranzicionit të Drejtë për rajonet e varura nga qymyri që përputhet ngushtë me propozimin tonë, si dhe një tjetër për hartimin e burimeve ekzistuese dhe potenciale të financimit për tranzicionin e drejtë dhe krijimin e një dialogu rajonal mbi këtë temë.

Gjithashtu është vendosur një objektiv i ri për menaxhimin e mbetjeve: deri në vitin 2030, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të arrijnë të paktën 40 për qind riciklim të mbetjeve komunale. Edhe pse ky objektiv është modest në krahasim me kërkesat e BE-së, nëse zbatohet do të përfaqësojë një përmirësim të konsiderueshëm për rajonin.

Por nuk ka ende konsensus për afatet kohore

Shumë nga çështjet që mbeten të pazgjidhura lidhen me afatet kohore, ku qëndrimi ynë për prioritetet ndryshon dukshëm nga ai i pasqyruar në Planin e përditësuar.

Për shembull, vendet e rajonit pritet të “identifikojnë grupet e cënuara dhe të margjinalizuara me akses të kufizuar në ujë të pijshëm deri në vitin 2028” dhe të përmirësojnë aksesin e të gjithë qytetarëve në ujë të sigurt për t’u pirë deri në vitin 2030. Është pozitive që këto çështje janë përfshirë në plan, por do të duhen tre vjet për t’i identifikuar dhe dy të tjera për të zgjidhur një problem kaq themelor si ai i ujit të pijshëm, dhe është tepër vonë.

Në një kohë kur Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufirin e BE-së (CBAM) është gati të hyjë në fuqi, duket e çuditshme që vendet të synojnë deri në vitin 2030 për të “krijuar të gjitha institucionet dhe proceset e nevojshme për mbledhjen e të dhënave mbi emetimet sipas Sistemit të Tregtimit të Emetimeve të BE-së në të gjithë shtrirjen e tij.” Nëse vendet dëshirojnë përjashtime për sektorët e tyre të energjisë nga CBAM, do t’u duhet të kenë sisteme plotësisht funksionale të tregtimit të emetimeve deri atëherë, jo vetëm mbledhjen e të dhënave.

Biodiversiteti vazhdon të jetë pa mbrojtje ligjore të mjaftueshme

Një tjetër dobësi e dukshme është mungesa e veprimeve ligjore për pjesën e Mbrojtjes së Natyrës dhe Biodiversitetit, çështje që nuk është trajtuar aspak. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të sigurojnë mbrojtje ligjore për zonat e propozuara Emerald, të nominojnë më shumë zona për të zhvilluar rrjetet e tyre ekologjike dhe të përmirësojnë menaxhimin dhe mbrojtjen e zonave ekzistuese të mbrojtura. Po ashtu, ata duhet të forcojnë legjislacionin e tyre për të siguruar që vlerësimet e duhura të ndikimit mjedisor të kryhen për planet ose projektet që mund të dëmtojnë rrjetet e tyre ekologjike.

Përfshirja e zhvillimit të objektivave të saktësuara për zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe të ruajtura tokësore dhe detare në strategjitë kombëtare të mbrojtjes së natyrës është një hap drejt asaj që kërkuam, por është shumë pak dhe shumë vonë. Disa vende kanë zona specifike që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme dhe, në disa raste, kanë përgatitur tashmë shumicën ose të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Pra, mbrojtja ligjore duhet të jetë veçanërisht e menjëhershme, jo të presë vite të tëra për strategji dhe objektiva të reja.

Pa një kuadër ligjor të fortë që parandalon dëmin ndaj biodiversitetit në praktikë, veprimet më të buta si strategjitë dhe planet nuk mund të jenë efektive. Përfshirja e planeve për restaurimin e natyrës në Agjendën e Gjelbër është një zhvillim interesant, por theksi duhet të jetë tek parandalimi i dëmit që në fillim, duke zbatuar si duhet Direktivat për Habitatet dhe Shpendët. Pa parashikimin e përshtatjes me ligjin vendor të Ligjit për Restaurimin e Natyrës, është e diskutueshme nëse planet e restaurimit do të kenë ndikim real.

Qeverisja dhe zbatimi – ende “elefanti në dhomë”

Të gjitha çështjet e mësipërme mund të ishin zgjidhur nëse do të ishte zhvilluar një konsultim publik i vërtetë mbi draftin e Planit të Veprimit të Rishikuar. Problemi më i madh, i cili mbeti i paprekur nga procesi i rishikimit, është qeverisja e Agjendës së Gjelbër.

Që nga fillimi i Agjendës, ka qenë e paqartë nëse qeveritë janë angazhuar realisht për të zbatuar veprime specifike. Po ashtu, mbivendosja e saj me iniciativa ekzistuese dhe më të strukturuara si Traktati i Komunitetit të Energjisë dhe Traktati i Komunitetit të Transportit e bën të vështirë ndjekjen e progresit dhe kuptimin e vlerës së shtuar të Agjendës.

Futja e Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor në vitin 2024 mund të kishte qenë një mundësi për Komisionin Evropian që të nxisë zbatimin e Agjendës së Gjelbër, duke siguruar përfshirjen e masave të Planit të Veprimit në Agjendat e Reformave të vendeve. Por sërish, pjesërisht për shkak të mungesës së konsultimeve publike u përfshinë një numër i madh reformash që lidhen me energjinë, ndërsa shumë pak masa mjedisore. Mospërfshirje të tilla nuk duhet të lejohen të përsëriten nëse BE-ja vendos të përdorë sërish instrumente të ngjashme në rajon.

Në këtë pikë, duket e nevojshme të zhvillohen plane veprimi kombëtare të Agjendës së Gjelbër, që të tregojnë qartë cilat veprime do të zbatojnë qeveritë, kur, sa do të kushtojnë dhe kush do t’i implementojë. Dhe këto plane duhet të konsultohen publikisht.

Por për këtë, Komisioni Evropian duhet të ndërhyjë dhe t’u japë vendeve një arsye të fortë për t’i zbatuar. Pa pasoja për moszbatim, Agjenda e Gjelbër rrezikon të mbetet vetëm në fjalë një situatë që rajoni nuk mund ta përballojë.

Postime të ngjashme