Bajram Curri, Shqipëri, 6 nëntor 2025 – Nisma e Pyjeve Veriore (NFI) u përmbyll me sukses përmes një aktiviteti rajonal dedikuar restaurimit të pyjeve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Ky moment shënoi rezultatet e rëndësishme të projektit në restaurimin e pyjeve dhe forcimin e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës në Ballkanin Perëndimor.
Eventi mblodhi rreth 50 pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve shtetërore, autoriteteve vendore, partnerëve zbatues dhe ekspertëve të ruajtjes së natyrës, duke nënvizuar rolin jetik të restaurimit jo vetëm për mjedisin, por edhe për komunitetet lokale. Diskutimet theksuan rëndësinë e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë (NbS) si një mjet për ruajtjen e biodiversitetit, rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e jetesës së banorëve.
E nisur në vitin 2023, Nisma e Pyjeve Veriore: Restaurimi i Pyjeve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut” kishte si qëllim përmirësimin e peizazhit pyjor, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe promovimit të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve në të dy vendet.
Zbatuar nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, zyra për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (IUCN ECARO), në bashkëpunim me PPNEA në Shqipëri dhe MES në Maqedoninë e Veriut, dhe e mbështetur nga Swedish Postcode Lottery Foundation, kjo nismë vendosi një standard të ri për bashkëpunimin ndërkufitar në restaurimin e peizazheve pyjore.
“Jemi krenarë që kemi mbështetur këto përpjekje restaurimi si pjesë e nismës sonë globale Nisma e Pyjeve Veriore, e cila ka treguar se përpjekjet e udhëhequra në nivel lokal mund të sjellin përfitime të qëndrueshme për natyrën dhe komunitetet. Rezultatet e arritura në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut pasqyrojnë fuqinë e bashkëpunimit dhe potencialin e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë për të adresuar humbjen e biodiversitetit dhe sfidat klimatike. Me padurim presim të ndjekim përparimin e IUCN në avancimin e restaurimit ekologjik dhe forcimin e qëndrueshmërisë së komuniteteve në Ballkanin Perëndimor,” – deklaroi Andreas Eriksson, Sekretar i Përgjithshëm i Swedish Postcode Lottery Foundation.
Përpjekjet e restaurimit u përqendruan në dy peizazheve kyçe për biodiversitetin: Bukovikj në Maqedoninë e Veriut dhe Pashtrik–Morinë në Shqipëri. Këto zona janë të një rëndësie tejet të madhe për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit (Balkan lynx), një nënlloj i rrezikuar në mënyrë kritike sipas Listës së Kuqe të IUCN™ dhe shërbejnë si korridore ekologjike, që mundësojnë lëvizjen e llojeve dhe ruajnë ndërlidhjen e ekosistemeve. Përmes ndërhyrjeve të synuara të Restaurimit të Peizazhit Pyjor (FLR), projekti përmirësoi kushtet e habitatit, forcoi qëndrueshmërinë e pyjeve dhe kontribuoi në zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Duke zbatuar “ Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë”, nisma tregoi se si restaurimi i peizazheve mund të sjellë përfitime të shumëfishta si për natyrën, ashtu edhe për njerëzit duke mbrojtur biodiversitetin, siguruar shërbimet e ekosistemit, mbështetur jetesën e komuniteteve lokale dhe rritur qëndrueshmërinë ndaj klimës.
“Nisma e Pyjeve Veriore ka evidentuar fuqinë e bashkëpunimit rajonal dhe të Zgjidhjeve të Bazuar në Natyrë në restaurimin e peizazheve pyjore dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj klimës. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Swedish Postcode Lottery Foundation për mbështetjen dhe partneritetin e tyre të çmuar gjatë gjithë kësaj rruge. Ndërsa mbyllim këtë fazë, mbetemi të përkushtuar për të avancuar restaurimin e pyjeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tokës në Ballkanin Perëndimor, duke ndërtuar mbi themelet e forta që kjo nismë ka vendosur,” – theksoi Oliver Avramoski, Drejtor, IUCN ECARO.
Ndër arritjet kryesore të Nismës së Pyjeve Veriore përfshihen restaurimi i rreth 40 hektarëve peizazhe të degraduara në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, përmes një kombinimi masash si ripyllëzimi, rrallimi i pyjeve, përmirësimi i kullotave dhe kontrolli i erozionit të tokës. Këto ndërhyrje jo vetëm që përmirësuan cilësinë e habitateve, por forcuan edhe bashkëpunimin ndërkufitar për mbrojtjen e pyjeve. Projekti gjithashtu forcoi kapacitetet lokale përmes trajnimeve mbi menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve për komunitetet dhe autoritetet, duke zbatuar në mënyrë strategjike Zgjidhjen e Bazuar në Natyrë (NbS) për të rritur biodiversitetin, për të rritur përthithjen e karbonit dhe qëndrueshmërinë klimatike.
“Restaurimi dhe ruajtja e ndërlidhjes ekologjike është thelbësore jo vetëm për mbijetesën e llojeve simbolike si rrëqebulli i Ballkanit, por edhe për forcimin e qëndrueshmërisë së peizazheve dhe komuniteteve tona. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbrojtur këto korridore jetike, ku biodiversiteti dhe mirëqenia njerëzore ecin krah për krah,” – deklaroi Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.
Përdorimi i një qasjeje “mozaik”, që integron teknika të shumta restaurimi, ka shtuar përfitimet ekologjike dhe sociale, duke vendosur themelet për habitate të qëndrueshme dhe afatgjata.
“Pavarësisht sfidave me kapacitetet institucionale, projekti vendosi një shembull të fortë për Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë dhe ofron një model të replikueshëm për restaurimin e pyjeve dhe bashkëpunimin në mbrojtjen e mishngrënësve të mëdhenj në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” – deklaroi Robertina Brajkovska, Drejtore Ekzekutive e MES.
Ajo që e bën këtë ndërhyrje të veçantë është zbatimi i saj i integruar dhe i koordinuar nëpër peizazhe, duke krijuar një efekt sinergjik që shton përfitimet për ruajtjen e natyrës dhe sjell përfitime të prekshme për komunitetet lokale. Kjo qasje gjithëpërfshirëse siguron që përpjekjet e restaurimit të mos mbeten nisma të izoluara, por të nxisin ekosisteme dhe jetesë të qëndrueshme..
Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni:
Shqipëri: Lorena Pyze Xhafaj – Menaxhere Komunikimi, PPNEA – email: [email protected]
Maqedonia e Veriut: Sara Krstevska – Oficere Projekti, MES – email: [email protected]





















