NJOFTIM PËR SHTYP
Një bashkëpunim mes më shumë se 87 studiuesve nga 75 institucione
Ndryshimet klimatike dhe ndërveprimet ndërmjet specieve po riformësojnë shpërndarjen e ariut të murrmë në Europë
-
Kuptimi i ndërveprimit në zinxhirin ushqimor është kyç për të shpjeguar ndryshimet në shpërndarjen e specieve dhe për të mbrojtur ekosistemet.
-
Studimi analizoi mbi tre milion pika vendndodhjeje të rreth 3,000 arinjve, që përfaqësojnë 14 nënpopullata të ndryshme në Europë dhe Turqi.
Tiranë, 4 qershor 2025 – Një ekip ndërkombëtar, përfshirë studiues nga PPNEA, ka studiuar se si ndërveprimet ndërmjet specieve ndikojnë në shpërndarjen e ariut të murrmë në të gjithë Europën dhe Turqinë. Studimi zbuloi se, në një shkallë kontinentale, shpërndarja e ariut ndikohet kryesisht nga ndërveprimet me specie të tjera, konkretisht arinjtë kanë tendencë të popullojnë zona ku janë të pranishme edhe speciet që përbëjnë ushqimin e tyre. I botuar në revistën Global Change Biology, ky kërkim nënvizon rëndësinë e ndërveprimeve ndërmjet specieve për ruajtjen e ekosistemeve, duke përdorur ariun e murrmë si rast studimi.
Të kuptuarit se si ndryshimet globale, si ndryshimet klimatike apo transformimi i përdorimit të tokës ndikojnë te speciet është thelbësor për ruajtjen e biodiversitetit dhe për sigurimin e shërbimeve që natyra ofron, si uji i pastër, pjelloria e tokës dhe pjalmimi. Për shembull, ndryshimet klimatike po shkaktojnë që speciet të zhvendosin hapësirën e tyre jetësore drejt lartësive më të mëdha ose më afër poleve, ku kushtet klimatike mbeten brenda kufijve të tolerancës së tyre. Deri tani, shumica e studimeve janë përqendruar vetëm në efektet e drejtpërdrejta të ndryshimeve mjedisore (si temperatura, reshjet apo përdorimi i tokës për arsye bujqësore) mbi shpërndarjen e specieve. Ky studim, megjithatë, fokusohet te efektet indirekte, duke analizuar sesi ndërveprimet ndërmjet specieve ndikojnë në këto modele shpërndarjeje.
“Arinjtë treguan një dietë shumë të larmishme, identifikuam 276 lloje të ndryshme speciesh ushqimore,” shpjegon Pablo M. Lucas, studiues në Universitetin e Seviljes. “Arinjtë që jetojnë në zona më të ngrohta, si në Malet Kantabrike, Greqi apo Turqi, kanë një dietë më shumë bimore, ndërsa ata në rajone më të ftohta si Skandinavia dhe Finlanda priren të jenë më mishngrënës. Kjo do të thotë se roli i ariut në ekosistem ndryshon, nga barngrënës deri në grabitqar në majë të zinxhirit ushqimor.”
Falë këtij bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar, ekipi pati akses në më shumë se tre milion pika vendndodhjeje të arinjve, nga rreth 3,000 individë, që përfaqësojnë 14 nënpopullata të ndryshme në kontekste mjedisore të ndryshme. “Kjo na mundësoi të studionim sesi ndërveprimet lokale shfaqen në një shkallë kontinentale. Kuptuam se arinjtë priren të jenë të pranishëm në zona ku ka më shumë disponueshmëri energjie nga speciet që përbëjnë ushqimin e tyre. Për shembull, në Malet Kantabrike, prania e lisave dhe ahut, burime kryesore ushqimi për këtë nënpopullatë, e bën më të mundshme praninë e arinjve. Në nënpopullata të tjera më mishngrënëse, prania e arinjve lidhet më ngushtë me shpërndarjen e gjitarëve të egër, si derri i egër apo dreri,” shpjegon studiuesi Aleksandër Trajçe nga PPNEA.
Këto të dhëna janë veçanërisht të vlefshme për të parashikuar se ku mund të jetojnë speciet në të ardhmen dhe çfarë rolesh ekologjike mund të luajnë, përballë ndryshimeve klimatike dhe atyre në përdorimin e tokës. Ato theksojnë gjithashtu se ruajtja e specieve kërkon mbrojtjen e ekosistemeve nga të cilat ato varen. “Ndryshimet në shpërndarjen e specieve që përbëjnë ushqimin e arinjve mund të zhvendosin pozicionin e tyre në rrjetin ushqimor dhe të ndikojnë në qëndrueshmërinë e tyre lokale,” shton Lucas.
Speciet e tjera me karakteristika të ndryshme nga ariu i murrmë, si ato me dieta më të specializuara, lëvizshmëri të kufizuar apo kërkesa që lidhen ngushtë me mjedisin mund të reagojnë ndryshe ndaj ndryshimeve klimatike, ndryshimeve në përdorimin e tokës dhe zhvendosjeve në ndërveprimet e tyre ekologjike. Përmirësimi i të kuptuarit tonë mbi këto dinamika është thelbësor për hartimin e strategjive më efektive për ruajtjen e biodiversitetit dhe për sigurimin e shërbimeve që natyra ofron.
Ky kërkim u udhëhoq nga Universiteti i Seviljes, Universiteti Sapienza i Romës dhe Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Poloni, dhe përfshiu 87 studiues nga 75 institucione në 26 vende të ndryshme. Ndër institucionet pjesëmarrëse ishin edhe Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore të Spanjës (MNCN-CSIC), Stacioni Biologjik Doñana (EBD-CSIC), Universiteti Grenoble Alpes dhe Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS)
P.M. Lucas et al. (2025). Ndërveprimet trofike (Ndërveprimet në zinxhirin ushqimor) janë thelbësore për të kuptuar ndikimet e ndryshimeve globale mbi shpërndarjen dhe rolin funksional të ariut të murrmë. Global Change Biology. DOI: 10.1111/gcb.70252
Lexoni artikullin e plotë në këtë link: https://ppnea.org/wp-content/uploads/2025/06/Global-Change-Biology-2025-Lucas-Trophic-Interactions-Are-Key-to-Understanding-the-Effects-of-Global-Change-on-the.pdf
Kontakt për median:
Dr. Aleksandër Trajçe,
Drejtor, PPNEA
Lorena Pyze Xhafaj
Menaxhere e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun, PPNEA