Pavarësisht se partnerët dhe grupet e interesit të projektit BalkanDetox LIFE, për shkak të kufizimeve të imponuara nga Covid-19, nuk mund të takoheshin dot ballë për ballë, jemi të lumtur të komunikojmë se mbledhja lançuese u realizua me sukses, duke treguar interes të lartë dhe angazhim nga një numër i konsiderueshëm aktorësh!
Përmbledhje:
Ditën e hënë, datë 30 Nëntor 2020, takimi lançues i projektit BalkanDetox LIFE bëri bashkë 9 partnerë dhe një numër të konsiderueshëm aktorësh nga Ballkani apo edhe më gjerë, për të diskutuar mbi qëllimin e projektit, objektivat, afatin kohor, etj. Diskutimi filloi me procesin e formimit të grupeve të punës në secilin vend të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, i cili është thelbësor për të siguruar bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen në luftimin e praktikave ilegale, që nuk mund të ndërmerren vetëm prej OJF-ve.
Nga 110 regjistrime në total, numri më i lartë i pjesëmarrësve në takim ishte 80, ku dhe në varësi të sesioneve, numri i pjesëmarrësve rritej. Përgjithësisht, takimi ishte një sukses, anëtarët patën mundësi të krijonin kontakte të reja, të shkëmbenin ekspertizë dhe eksperiencë, si dhe të forconin bashkëpunimin midis aktorëve kyç për luftimin e rrezikut më të madh që përballen shkabat në rajon – helmimin!
Aksionet e planifikuara për vitin 2021:
Takimi lançues hapi rrugën për realizimin e një projekti të suksesshëm. Ekipet e ndryshme kanë parashikuar plane ambicioze për vitin 2021, të cilat do të përshtaten vazhdimisht në varësi të pandemisë.
Një prej aksioneve më të vlefshëm për vitin e ardhshëm janë takimet me institucionet përgjegjëse në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Greqi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, me qëllim zhvillimin e protokolleve standarte operative për hetimin e incidenteve të helmimit.
Të tjera takime do të mbahen lidhur me zhvillimin dhe përshtatjen e planeve kombëtare të punës kundër helmimit, si dhe hetimin e qëllimit të përdorimit të tyre, apo identifikimin e substancave toksike të përdorura për helmimin e jetës së egër. Partnerët do të organizojnë seminare edukative me komunitetet lokale mbi helmimin, me qëllim adresimin e shkaqeve që qëndrojnë pas kësaj praktike, si dhe promovimin e përdorimit të alternativave parandaluese, të cilat janë të sigurta për kafshët dhe mjedisin.
Akoma më tej, trajnimi i parë në Akademinë për Krimin ndaj Jetës së ëgër, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të OJF-ve dhe institucioneve qeveritare, do të organizohet pranverën e ardhshme. Procesi i trajnimit synon të ngrejë kapacitetet institucionale dhe efikasitetin e tyre ndaj menaxhimit të rasteve të helmimit, duke përdorur praktikat më të mira të eksperiencës spanjolle.
Për të qëndruar të informuar rreth projektit, ndiqni faqen e BalkanDetox LIFE në Facebook.
BalkanDetox LIFE
Projekti “BalkanDetox LIFE” synon të forcojë kapacitetet kombëtare ndaj luftimit të praktikës së helmimit mbi jetën e egër, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin në vendet e Ballkanit. Kjo përpjekje 5-vjeçare me 1.8 milion Euro buxhet, synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të forcojë kapacitetet kombëtare për luftimin e praktikës së helmimit ndaj jetës së egër në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Greqi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Serbi. Projekti financohet nga programi LIFE i Bashkimit Europian, bashkëfinancohet nga VCF, Fondacioni Mava dhe EuroNatur, si dhe Fondi Whitley për Natyrën, apo Fondi për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Efiçencën Energjitike. Partnerët e projektit janë Vulture Conservation Fund, si njësi koordinuese, për të vazhduar me Albanian Ornithological Society, Association BIOM, Bird Protection and Study Society of Serbia, Fund for Wild Flora and Fauna, Hellenic Ornithological Society, Macedonian Ecological Society, Ornitološko društvo NAŠE Ptice dhe Protection and Preservation of Natural Environment in Albania. Akoma më tej, ky projekt bazohet në praktikat më të mira spanjolle dhe mbështetet nga Junta de Andalucía dhe Ministria e Tranzicionit Ekologjik dhe Ndryshimeve Demografike.