Ariu i Murrmë

Emri shkencor

Ursus arctos

Përshkrimi

Madhësia tek arinjtë e murrmë është më e ndryshueshme në krahasim me llojet e tjera. Gama normale e dimensioneve fizike për një ari të murrmë është një gjatësi prej 1,4 deri në 2,8 m. Ndërkohë pesha e ariut vlerësohet nga 140-160 kg (femra) dhe 170-190 kg (mashkulli). Meshkujt takohen me femrat gjatë sezonit të çiftimit, i cili mund të ndodhë midis muajit maj dhe gusht. Shtatzënia zgjat mesatarisht 7.5 muaj. Zakonisht një ari femër lind 2 të vegjël çdo tre vjet. Këlyshët qëndrojnë me nënën e tyre për rreth dy vjet. Në dimër, arinjtë futen në hibernikulë, në strofulla dhe janë relativisht të ndjeshëm ndaj shqetësimeve.

Ushqimi

Ariu i murrmë është një kafshë gjithëngrënëse. Ushqehet kryesisht me fruta pylli, fara, si dhe me bimësi barishtore, dhe në zonat bujqësore edhe me drithëra dhe fruta në pemishte.

Habitati dhe shpërndarja

Ariu i murrmë është gjitari më i madh që jeton në Shqipëri, kryesisht në rajonet veriore, lindore dhe juglindore të vendit. PPNEA po punon prej disa vitesh për studimin e ariut të murrmë në rajonin ndërkufitar të Prespës, së bashku me partnerët e PrespaNet. Sipas studimeve të realizuara në këtë rajon, me anë te kamerave kurth, analizës së dietës dhe asaj gjenetike, vlerësohet se popullata e ariut në të gjithë basenin e Prespës është rreth 51 individë.

Statusi i ruajtjes

Ky është një lloj me rëndësi të veçantë ruajtje në Europë, sepse listohet si lloj prioritar dhe pjesë e Aneksit II & IV të Direktivës Europiane të Habitateve. Popullata e arinjve në Shqipëri, sipas vlerësimeve të ekspertëve është midis 180- 200 individë. Gjuetia e paligjshme, prerja dhe degradimi i pyjeve, kapja dhe mbajtja e tyre në robëri janë kërcënimet kryesore që kanë ndikuar në zvogëlimin e madhësisë së popullatës së ariut të murrmë në Shqipëri.

Dhuroni

Kontributi juaj financiar mund të jetë një ndihmë e madhe për ne që të punojmë për të mbrojtur të ardhmen e mjedisit natyror në Shqipëri.
Dhuro