
Fuqizimi i Bashkëpunimit Rajonal për Mbrojtjen e Ariut të Murrmë dhe Bashkëjetesës Njeri-Jetë e Egër në Ballkanin Perëndimor
Në Ballkanin Perëndimor, ariu i murrmë përfaqëson një specie kyçe për ekosistemin, por njëkohësisht është në konflikt të vazhdueshëm me njerëzit. Dëmet në prona bujqësore, takimet e shpeshta mes arinjve dhe bletërritësve apo blegtorëve, si dhe ndjenja e pasigurisë mes komuniteteve lokale, përbëjnë sfida serioze për mbrojtjen e këtij lloji. Ky projekt synon të reduktojë këto konflikte përmes masave konkrete të mbrojtjes, edukimit dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal. Qëllimi kryesor i projektit është mbrojtja e ariut të murrmë (Ursus arctos) dhe përmirësimi i bashkjetesës ndërmjet kësaj specie kyçe dhe komuniteteve njerëzore në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.
OBJEKTIVAT KRYESORE:
- Të reduktohen konfliktet njeri-ari përmes masave praktike dhe edukimit.
- Të nxiset bashkëpunimi rajonal për ruajtjen e ariut të murrmë.
- Të promovohet zhvillimi rural i qëndrueshëm dhe siguria e komuniteteve.
- Të rritet ndërgjegjësimi dhe përfshirja e publikut në ruajtjen e biodiversitetit.
AKTIVITETET KRYESORE:
- Instalimi i gardheve mbrojtëse në pronat e bletërritësve dhe blegtorëve të ekspozuar ndaj dëmeve nga fauna e egër, për të reduktuar dëmet dhe për të përmirësuar bashkëjetesën.
- Analizë socio-ekonomike në Shqipëri dhe rajonin përreth, për të kuptuar më mirë ndikimet e konflikteve njeri-ari dhe për të zhvilluar zgjidhje të qëndrueshme të bazuara në të dhëna.
- Edukimi dhe ndërgjegjësimi përmes punëtorive dhe fushatave publike, me fokus të veçantë tek të rinjtë dhe komunitetet lokale, për rëndësinë e ruajtjes së ariut të murrmë dhe habitateve të tij.
PARTNERITETI:
Ky projekt zbatohet nga PPNEA (Shqipëri) në bashkëpunim me:
- CZZS – Qendra për Mjedisin (Bosnjë dhe Hercegovinë)
- CZIP – Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (Mali i Zi)
- DZPPS – Shoqata për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve të Serbisë
Kjo nismë mbështetet nga Programi BOOST, zbatuar nga: ALDA – Shoqata Evropiane për Demokracinë Lokale, me financim nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), një nga donatorët kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor.
Kohëzgjatja: Prill 2025 – July 2026
Vendet e përfshira: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Serbi
Person Kontakti: Melitjan Nezaj, Menaxher Projekti – [email protected]