
Përmirësimi i statusit të lundërzës (Lutra lutra) dhe habitateve të saj në zonën ndërkufitare të Parkut Kombëtar të Liqenit të Shkodrës
Përmirësimi i statusit të lundërzës (Lutra lutra) dhe habitateve të saj në zonën ndërkufitare të Parkut Kombëtar të Liqenit të Shkodrës
Green Home, në partneritet me Wildlife Montenegro dhe PPNEA, po zbaton një projekt të dedikuar për lundërzën (Lutra lutra), një specie e klasifikuar me status si “E përkeqsuar”(NT). Projekti Përmirësimi i statusit të lundërzës (Lutra lutra) dhe habitateve të saj në zonën ndërkufitare të Parkut Kombëtar të Liqenit të Shkodrës synon të forcojë përpjekjet për mbrojtjen e saj duke mbledhur të dhëna të hollësishme mbi popullatën e saj. Këto të dhëna do të shërbejnë për ruajtjen e të gjithë ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë dhe përpjekjet për mbrojtjen e tij.
Për më tepër, kjo nismë ndërkufitare ka forcuar bashkëpunimin midis të gjithë faktorëve të përfshirë që ndajnë këtë ekosistem, përfshirë OJQ-të, autoritetet dhe komunitetin e peshkatarëve.
Lundërza, e njohur gjithashtu si lundërza evropiane, është një gjitar gjysmë-ujor mishngrënës, lehtësisht i dallueshëm, por rrallëherë i vëzhguar në natyrë. Gjatësia e trupit të saj (pa përfshirë bishtin) mund të arrijë deri në 95 cm, ndërsa individët meshkuj mund të peshojnë deri në 17 kg. Gëzofi është në ngjyrë kafe, me nuanca më të çelura në zonën e qafës. Lundërza është një specie territoriale dhe kryesisht solitare, e cila përdor jashtëqitjen dhe sekrecione të mukozës për të komunikuar me individët e së njëjtës specie. Pikat ku ajo lë shenjat e saj ndodhen shpesh në elemente të spikatura të peizazhit, si ura, grykëderdhje lumenjsh, gurë ose formacione të tjera gjeografike.
Në Shqipëri, lundërza është e shpërndarë gjerësisht dhe mund të gjendet në një sërë habitatesh ujore, përfshirë liqenet, lumenjtë, kënetat, moçalet dhe zonat bregdetare. Ajo varet shumë nga vegjetacioni i brigjeve dhe nga prania e vendeve të përshtatshme për strehim, si zgavrat në brigjet e lumenjve apo hapësirat e mbrojtura nën pemë, shkëmbinj etj. Kjo specie ka një tolerancë të habitshme ndaj ndërhyrjeve njerëzore dhe, për habi, mund të gjendet edhe në mjedise të ndotura rëndë.
Sipas Listës së Kuqe të IUCN, lundërza (Lutra lutra) klasifikohet si një specie me status “I përkeqsuar” (NT). Për më tepër, ajo është përfshirë në Shtojcat II dhe IV të Direktivës së Habitatit dhe Shpendëve. Habitatet ujore të lundërzës janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore. Kanalizimi i lumenjve, heqja e vegjetacionit të brigjeve, ndërtimi i digave, tharja e ligatinave, aktivitetet e akuakulturës dhe ndikimet e tjera antropogjene në sistemet ujore përbëjnë kërcënime të mëdha për popullatat e kësaj specieje.
Mbështetja financiare: Bashkimi Evropian përmes iniciativës BestBelt.
Kohëzgjatja e projektit: 11 muaj
Partnerët e projektit: Green Home (OJQ udhëheqëse), Wildlife Montenegro, PPNEA.