Projekti URBiodiversity synon të ruajë dhe menaxhojë në mënyrë të qëndrueshme biodiversitetin urban në Tiranë dhe Librazhd. Përmes krijimit të një sistemi monitorimi me pjesëmarrje qytetare, angazhimit të komuniteteve lokale dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik, projekti promovon politika dhe praktika lokale që mbështesin prezencën dhe studimin e biodiversitetit, duke zhvilluar në mënyrë paralele krijimin e një hapësire të gjelbër urbane.
Kjo nismë synon të afrojë qytetarët me natyrën, të përmirësojë cilësinë e jetës në qytet dhe të krijojë baza të forta për vendimmarrje dhe veprim afatgjatë për ruajtjen dhe përmirësimin e natyrës në mjediset urbane.
Objektivat kryesore:
– Zhvillimi dhe implementimi i një sistemi monitorimi komunitar të biodiversitetit urban, me fokus në shpendët, polenizuesit, gjitarët dhe florën vendase. Ky sistem do të aplikohet në 3–5 transekte të përzgjedhura në Tiranë dhe Librazhd, duke përfshirë përdorimin e pyetësorëve, aplikacioneve digjitale dhe trajnimeve për vëzhguesit qytetarë.
– Rigjenerimi i një xhepi të gjelbër urban me bimë autoktone që do të tërheqin polenizues dhe shpendë të ndryshëm në një lagje të Tiranës.
– Rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit lokal dhe aktorëve të ndryshëm për rëndësinë e biodiversitetit urban, përmes fushatave të komunikimit, punëtorive, ekspozitave artistike dhe përdorimit të simbolikës së fushatës “Albania is Biodiversity”.
– Angazhimi dhe mbështetja e komuniteteve lokale dhe shkollave për të marrë pjesë aktive në monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit, përmes aktiviteteve edukative, krijimit të hapësirave të gjelbra me bimësi vendase dhe organizimit të eventeve komunitare.
– Forcimi i bashkëpunimit me autoritetet lokale dhe institucionet për të integruar rezultatet e monitorimit në politikat dhe praktikat e menaxhimit urban, duke promovuar masa konkrete për krijimin e korridoreve ekologjike dhe hapësirave të gjelbra në zonat urbane.
Grupet e synuara:
– Të rinjtë dhe grupet rinore,
– Shkollat, mësuesit dhe nxënësit,
– Qytetarë të angazhuar natyrëdashës në Tiranë dhe Librazhd,
– Stafe të institucioneve të ndryshme,
– Studiues dhe ekspertë vendas,
– Media lokale dhe artistë.
Këto grupe janë përzgjedhur për shkak të afërsisë së tyre me problemin e humbjes së natyrës për shkak të zhvillimeve urbane të dekadave të fundit, e gjithashtu mundësive/aftësive të tyre për të kontribuar në përmirësimin e biodiversitetit në Tiranë dhe Librazhd.
Përfituesit përfundimtarë:
– Qytetarët e bashkive përkatëse,
– Ekosistemet dhe llojet e biodiversitetit urban të ndikuara nga ndërhyrjet njerëzore,
– Institucionet arsimore dhe familjet që përfitojnë nga paketat edukative,
– OShC-të dhe komunitetet lokale.
Aktivitetet kryesore:
– Krijimi i metodologjisë së monitorimit
– Monitorimi i biodiversitetit dhe angazhimi i komunitetit përmes shkencës qytetare
– Rigjenerimi i një xhepi urban
– Realizimi i një ekspozite të dedikuar për biodiversitetin urban
– Zbatimi i një fushate komunikimi dhe ndërgjegjësimi në platformat online
Kohëzgjatja e projektit: 18 muaj
Partnerët e projektit:
HBS (Heinrich Böll Stiftung, Tirana)
Soek-in (Shoqata Rinore Soek-in)