Tiranë, Shqipëri | 23 Dhjetor, 2024 – PPNEA, organizata mjedisore pionere në Shqipëri, ka zyrtarizuar anëtarësimin në Aleancën e Mesdheut për Ligatinat. Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të mbrojtur dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme ligatinat, duke forcuar njëkohësisht vendin që Shqipëria zë në nismat rajonale dhe ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.
Aleanca e Mesdheut për Ligatinat bashkon 29 organizata nga 18 vende, duke inkurajuar bashkëpunimin për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të ligatinave, të cilat janë ekosisteme jetike për biodiversitetin, për rregullimin e klimës dhe për komunitetet lokale. Ky rrjet i fuqishëm ofron mundësi për shkëmbimin e eksperiencave për teknika të avancuara për restaurimin e habitateve, mjetet për monitorimin e biodiversitetit dhe praktika të qëndrueshme menaxhimi. Për Shqipërinë, kjo qasje sjell forcimin e ndikimit në politikat ndërkombëtare për ligatinat dhe ekspertizë në hartimin e projekteve restauruese.
Ligatinat janë ekosistemet me vlerat më të larta të biodiversitetit dhe ofrojnë shërbime tejet kyçe për mirëqenien e njerëzve, përfshirë furnizim me ujë, kontroll ndaj përmbytjeve dhe erozionit, peshkim dhe shumë të tjera. PPNEA i ka veçanërisht në fokus ekosistemet ligatinore, jo vetëm për vlerat e jashtëzakonshme natyrore që kanë, por edhe sepse ato janë ndër ekosistemet më të kërcënuara nga aktiviteti njerëzor.
“Në Shqipëri, sidomos në vitet e fundit, ligatinat po përballen me presione të jashtëzakonshme të nxitura nga zhvillime të paqëndrueshme infrastrukturore dhe të turizmit masiv. Mjafton të përmendim që Aeroporti i Vlorës po ndërtohet ilegalisht në mes të një Zone të Mbrojtur ligatinore, Vjosë-Nartë, ndër më të rëndësishmet që ka vendi dhe e njohur ndërkombëtarisht për vlerat e larta ekologjike, si edhe projektet e turizmit masiv të propaganduara në Zvernec, buzë lagunës së Nartës, për të kuptuar që ligatinat në vendin tonë janë nën një kërcënim të jashtëzakonshëm si kurrë më parë” – tha Aleksandër Trajçe, Drejtor i PPNEA. – “Hyrja e PPNEA në Aleancën për Ligatinat e Mesdheut e fuqizon përpjekjen tonë për ruajtjen e këtyre ekosistemeve tejet delikate dhe na jep shpresën, mbështetjen dhe vëmendjen e duhur ndërkombëtare për të theksuar që këto asete natyrore janë një detyrim për t’u ruajtur jo vetëm për hir të vlerave që i japin vendit tonë, por për të gjithë trashëgiminë e përbashkët natyrore të Mesdheut”- shtoi ai.
Sipas Konventës së RAMSAR-it, ligatinat përfshijnë ekosisteme natyrore dhe të krijuara nga njeriu si liqene, lumenj, këneta, grykëderdhje dhe zona të tjera, përfshirë rezervuarët. Në Shqipëri, ligatinat përfshijnë rreth 96,803 hektarë, ose 3% të territorit të vendit. Prej tyre, ligatinat natyrore zënë 77,354 hektarë (79.91%), duke përfshirë liqene, laguna, moçale, grykëderdhje lumenjsh dhe ekosisteme të tjera. Inventari i pasur përfshin 16 komplekse ligatinore dhe 140 ligatina më të vogla, duke theksuar rëndësinë e tyre ekologjike.
PPNEA synon të rrisë përpjekjet për ruajtjen e ligatinave me rëndësi globale, përfshirë Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë, Lagunën Divjakë-Karavasta, Liqenet e Prespës, Parkun Kombëtar të Butrintit dhe shumë të tjera.
Rreth PPNEA
E themeluar në vitin 1991, PPNEA (Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri) është organizata e parë mjedisore në vend. Përmes kërkimit shkencor, angazhimit të komunitetit dhe partneriteteve strategjike, PPNEA punon për të krijuar një atmosferë ku natyra ka përparësi në politikat dhe vendimet qeveritare e shoqërore, për harmoninë midis natyrës dhe shoqërisë njerëzore në Shqipëri.
Rreth Aleancës së Mesdheut për Ligatinat
E themeluar në vitin 2017, Aleanca e Mesdheut për Ligatinat është një rrjet organizatash të shoqërisë civile dhe kërkimeve shkencore, që i dedikohet ruajtjes së ligatinave dhe lumenjve në rajonin e Mesdheut. Aleanca mbështet anëtarët e saj përmes projekteve restauruese, advokimit dhe strategjive të komunikimit për të luftuar kërcënimet ndaj këtyre ekosistemeve jetike.
Për më shumë informacion:
Lorena Pyze Xhafaj
Zyrtare për Komunikimin dhe Marrëdhënien me Publikun