Një grup organizatash të shoqërisë civile që punojnë në Ballkanin Perëndimor kanë nisur një fushatë duke i bërë thirrje qeverive të rajonit të mbrojnë më mirë lumenjtë e tyre. Thirrja vjen përpara një takimi vendimtar që do të zhvillohet prej datës 2 deri më 6 dhjetor në Strasburg, ku Konventa e Bernës pritet të vendosë mbi të ardhmen e Rrjetit Emerald. Ky rrjet, i krijuar nga Këshilli i Evropës në vitin 1989, përfshin zona të mbrojtura për hir të rëndësisë së tyre për biodiversitetin.
Në takim do të diskutohen objektivat e përditësuara të Rrjetit Emerald për periudhën deri në vitin 2030. Shkencëtarët dhe OJQ-të po i kërkojnë qeverive të Ballkanit Perëndimor të angazhohen për zgjerimin e këtij rrjeti dhe për mbrojtjen e një liste të lumenjve të rëndësishëm.
Kjo listë u hartua gjatë seminarit Emerald Green, të organizuar nga CEE Bankwatch Network në dhjetor të vitit 2022, ku pjesëmarrësit paraqitën të dhëna shkencore mbi speciet e peshqve dhe habitatet e tyre.
Si anëtarë të Këshillit të Evropës, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia krijuan Rrjetin Emerald në vitin 2011, duke propozuar një numër të kufizuar zonash. Megjithatë, që prej asaj kohe, asnjë nga këto vende nuk e ka zgjeruar listën fillestare. Shumica e zonave kanë mungesë menaxhimi, monitorimi, burimesh apo mbrojtje ligjore sipas legjislacionit kombëtar, duke lënë lumenjtë dhe popullatat e peshqve të pambrojtura.
Andrey Ralev, aktivist për biodiversitetin pranë CEE Bankwatch Network, theksoi:
“Lumenj si Vjosa, Drini i Zi, Neretva, Bosna, Morača, Vardari, Danubi dhe degët e tyre mbështesin shumë specie të rrezikuara dhe endemike dhe janë jetike për jetesën e komuniteteve lokale. Ata duhet të jenë shtylla kryesore e rrjetit evropian të zonave të mbrojtura.”
Për ti dhënë zë kësaj thirrjeje, ka nisur një fushatë në rrjetet sociale me hashtagun #EmeraldForRivers, duke etiketuar drejtpërdrejt ministrat e mjedisit në secilin vend për të rritur presionin publik dhe qeveritar, së bashku me videon dedikuar fushatës.
Fushata thekson nevojën urgjente për të mbrojtur lumenjtë e rajonit, të cilët janë ndër rrjedhat ujore më të paprekura të Evropës.
Aleksandër Trajçe, Drejtor i Organizatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri – PPNEA, deklaroi: “Lumenjtë tanë janë nën kërcënim të vazhdueshëm nga projektet hidroenergjetike, nxjerrja e inerteve dhe ndotja. Qeveritë duhet të veprojnë tani për të siguruar mbijetesën e tyre për mirëqenien e natyrës dhe njerëzve.”
“Zgjerimi i Rrjetit Emerald sjell përfitime reale – ujë të pastër, ushqim, mbrojtje nga përmbytjet, sporte, turizëm, vende të reja pune. Ky është gjithashtu një proces kyç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” deklaruan organizatorët e fushatës.
Për më shumë informacion ose për të planifikuar intervista, ju lutemi kontaktoni:
Lorena Pyze Xhafaj, [email protected]
Andrey Ralev, [email protected]
Shënime për redaktorët:
Video e fushatës #EmeraldForRivers: https://ppnea.org/emerald-for-rivers/?lang=en
Agjenda e takimit të 44-t të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, Strasburg, Francë: https://www.coe.int/en/web/bern-convention/-/44th-standing-committee
Lista e lumenjve për t’u shtuar në Rrjetin Emerald dhe speciet e peshqve me rëndësi evropiane që i popullojnë: https://bankwatch.org/publication/shadow-list-of-rivers