Rrënjët e restaurimit po mbillen në Pashtrik-Morinë

Rrënjët e restaurimit po mbillen në Pashtrik-Morinë

Pashtrik-Morinë, një nga zonat me vlera të veçanta natyrore në veri të Shqipërisë, po ndërmerret një hap domethënës për të rikthyer gjelbërimin, biodiversitetin dhe funksionet ekologjike të pyjeve dhe kullotave të degraduara.

Në kuadër të projektit “Nisma e Pyjeve Veriore” (Northern Forest Initiative), janë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë Lurimi Shpk dhe Nord Invest, të cilat janë përzgjedhur për të zbatuar punët restauruese përkatësisht në bashkitë Has dhe Tropojë.

Ky është vetëm një nga hapat e parë të procesit për rikuperimin e pyjeve natyrore në veri të vendit, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore, përballueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së specieve të rrezikuara, si rrëqebulli i Ballkanit – një nga gjitarët më të rrallë të Europës.

Çfarë përfshin ndërhyrja në terren?

Gjatë periudhës qershor–nëntor 2025, Lurimi Shpk dhe Nord Invest do të zbatojnë një sërë masash restauruese që synojnë të rigjenerojnë habitate natyrore dhe të rivendosin ekuilibrin ekologjik në zonën e Pashtrik-Morinës:

  • Pyllëzime në sipërfaqe të degraduara nga prerjet e pakontrolluara ose zjarret
  • Krijim dhe përmirësim të kullotave natyrore, për të rritur funksionalitetin dhe kapacitetin mbajtës të tokës
  • Restaurim i pyjeve ekzistuese dhe përmirësim i strukturës së tyre, për të ofruar më shumë strehë për biodiversitetin lokal
  • Përfshirje e komuniteteve vendore në punët e restaurimit, për të forcuar lidhjen midis mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm

Projekti Northern Forest Initiative është një nismë e mbështetur nga IUCN ECARO dhe Swedish Postcode Foundation, e cila fokusohet në restaurimin e peizazheve pyjore të degraduara në veri të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si mënyrë për të adresuar njëkohësisht:

  • Humbjen e biodiversitetit
  • Erozionin e tokës dhe degradimin e mjedisit
  • Ndikimet e ndryshimeve klimatike
  • Nevojën për të forcuar bashkëjetesën midis komuniteteve dhe natyrës

Përmes restaurimit të pyjeve, përmirësimit të kullotave dhe menaxhimit të qëndrueshëm të tokës, projekti kontribuon në ruajtjen e koridoreve ekologjike, mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetet lokale.

Më shumë informacion:

Më poshtë mund të gjeni lejet e thirrjeve për ofruesit e shërbimeve të fituara nga Lurimi Shpk dhe Nord Invest, ku përshkruhen edhe ndërhyrjet konkrete që do të realizohen në Has dhe Tropojë:

Lejet për thirrjen në bashkinë Has


PROJEKT NDËRTIMI GARDHI ÇIFT PËR MBROJTJEN E TOKËS.pdf

PROJEKT PËRMIRËSIMI OSE KRIJIM KULLOTE.pdf

PROJEKT PËRMIRËSIM PYJESH.pdf

PROJEKT PYLLËZIMI.pdf

Lejet për thirrjen në bashkinë Tropojë

PROJEKT NDËRTIMI GARDHI ÇIFT PËR MBROJTJEN E TOKËS.pdf

PROJEKT PËRMIRËSIM OSE KRIJIM KULLOTE.pdf

PROJEKT PYLLËZIMI.pdf

Me këto hapa të parë në terren, rrënjët e restaurimit po mbillen me kujdes dhe shpresë në Pashtrik-Morinë. Urojmë shumë sukses për të dy kompanitë në realizimin e këtyre ndërhyrjeve që synojnë të rikthejnë gjelbërimin, jetën dhe shpresën në këtë peizazh të çmuar.

Postime të ngjashme