PPNEA dhe GIZ dhuruan pranë administratave rajonale të zonave të mbrojtura në Kukës e Dibër pajisje të cilat do të rrisin kapacitetet e monitorimit të faunës së egër në Parkun Natyror Korab-Koritnik. Këto pajisje përfshijnë në total 8 kamera kurth, 2 laptop-ë dhe disa mjete mbështetëse, të ndara në mënyrë të barabartë midis dy institucioneve.
Rritja e kapaciteteve monitoruese të AdZM-ve ndihmon në menaxhimin më efikas të Parkut Natyror Korab-Koritnik, një zonë me vlera të spikatura të biodiversitetit, duke përfshirë praninë e gjitarëve të mëdhenj si ariu, ujku, madje, së fundmi është vërtetuar që ky territor vizitohet edhe prej rrëqebullit të Ballkanit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Mbështetja e organeve menaxhuese të zonave të mbrojtura në zonën ndërkufitare midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në monitorimin e specieve të rrezikuara”, i cili financohet nga GIZ ORF BDU.