Simpoziumi i Parë Kombëtar për Konektivitetin Ekologjik në Shqipëri

Simpoziumi i Parë Kombëtar për Konektivitetin Ekologjik në Shqipëri

Më 11 – 13 qershor 2025, në Razmë, u mbajt simpoziumi i parë kombëtar i dedikuar tërësisht konektivitetit ekologjik në Shqipëri, një moment kyç për vendosjen e bazave shkencore, institucionale dhe ndërsektoriale të ruajtjes së natyrës. Ky ishte hapi i parë i koordinuar në nivel kombëtar për të trajtuar korridoret ekologjike jo thjesht si koncepte teorike, por si mekanizma të domosdoshëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe funksionit të ekosistemeve.

Fragmentimi hapësinor i habitateve dhe barrierat që vijnë nga zhvillimi i pakontrolluar infrastrukturor po çojnë në humbje të vazhdueshme të llojeve të egra dhe funksioneve jetike të ekosistemit. Në këtë kontekst, krijimi i rrjeteve të konektivitetit ekologjik, që përfshijnë si zonat e mbrojtura ashtu edhe territoret përreth, është një përgjigje urgjente për të ruajtur rrjedhën e proceseve natyrore.

Simpoziumi mblodhi studiues shqiptarë e ndërkombëtarë, përfaqësues të universiteteve, institucioneve publike për mbrojtjen e natyrës, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë relevantë, për të ndarë njohuri, përvojë dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët mbi rrjetëzimin ekologjik në Shqipëri.

Gjatë tre ditëve të programit intensiv, simpoziumi trajtoi çështje kyçe për të ardhmen e ruajtjes së natyrës në Shqipëri dhe rajon, duke nisur me përvojën shkencore dhe praktike të ruajtjes së rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), si dhe përdorimin e modeleve të avancuara për monitorimin e tij.

Vëmendje e veçantë iu kushtua krijimit dhe funksionit të korridoreve ekologjike në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, rolit të infrastrukturës së gjelbër në parandalimin e fragmentimit të habitateve, si dhe praktikave ndërkombëtare për menaxhimin e zonave të mbrojtura. Prezantimet sollën shembuj konkretë mbi ndërthurjen e biodiversitetit me planifikimin hapësinor dhe urban, restaurimin e pyjeve, monitorimin e faunës dhe përfshirjen e teknologjive të reja në bujqësi dhe menaxhimin mjedisor.

Ndër folësit kryesorë ishin përfaqësues të PPNEA, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Universitetit Bujqësor, Universitetit Polis, GO2, MES Maqedoni, CZIP Mal i Zi, Universitetit të Udines dhe Universitetit të Janinës, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Shkodrës, Albanian University, të cilët sollën një gamë të gjerë ekspertizash nga hartëzimi i korridoreve ekologjike deri te menaxhimi i konflikteve njeri-jetë e egër.

Dita e tretë përfshiu një “Transect Walk” në peizazhin e Razmës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të vëzhgonin nga afër funksionimin dhe sfidat e korridoreve ekologjike në praktikë, si dhe të diskutojnë për bashkëjetesën me jetën e egër dhe ndikimin e ndërhyrjeve njerëzore në peizazh.

Simpoziumi u përmbyll me fjalët përshëndetëse të znj. Mirjam de Koning, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit PONT, e cila theksoi nevojën për ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi për konektivitetin ekologjik, si në nivel të politikave publike ashtu edhe të bashkëpunimit ndërkufitar.

Që prej vitit 2022, organizata PPNEA dhe partnerët e saj kanë identifikuar katër korridore kyçe ekologjike në Shqipëri:

“Cukal – Munellë – Balgjaj – Martanesh”,

“Drini i Zi”,

“Polis – Valamarë – Rungajë – Moravë – Gramoz” dhe

“Tomorr – Vjosë”.

Këto korridore funksionojnë si arterie të biodiversitetit, duke mundësuar lëvizjen e lirë të faunës, shkëmbimin gjenetik, dhe lidhjen e ekosistemeve të ndara për shkak të ndikimeve të zhvillimeve ekonomike dhe ndryshimeve klimatike.

Postime të ngjashme