VRASJA E RREQEBULLIT NË MALËSINË E ELBASANIT

VRASJA E RREQEBULLIT NË MALËSINË E ELBASANIT
Tetë muaj pas denoncimit të ngjarjes, vrasësit e llojit më të rrallë në Shqipëri mbeten të pandëshkuar. Nëpërmjet ligjeve shoqëritë vendosin të qeverisin veten, duke ndarë të mirën nga e keqja dhe veprimin e drejtë nga ai i padrejtë. Por, çfarë ndodh kur po e njejta shoqëri e bën një sy qorr për çështje të cilat ajo vetë i ka vlerësuar? Çfarë ndodh ku ligji shkelet në çdo formë e masë dhe institucionet nuk reagojnë? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjejmë në përditshmërinë e kontekstit social në Shqipëri, ku forca e ligjit po zbehet dita ditës, duke i hapur rrugë sjelljeve kriminale ndaj vlerave tona të përbashkëta. Vrasja e rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) dhe ekspozimi i tij në ambientet e restorantit “Ke Rrema” në hyrje të qytetit të Elbasanit, është një nga ato shkelje që duhet të trondisë themelet e drejtësisë në vendin tonë, por, fatkeqësisht, kjo gjë ende nuk ka ndodhur. PPNEA e denoncoi këtë rast pranë Prokurorisë së Tiranës më datë 5 Qershor 2020, e cila, pas një shtyrje afatgjatë, vendosi që këtë çështje ta kalojë pranë Prokurorisë së Elbasanit më datë 2 Tetor 2020. Megjithëse kanë kaluar gati katër muaj që Prokuroria e Elbasanit e ka marrë në dorë rastin në fjalë, ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim, duke na bërë të mendojmë se vrasja e rrëqebullit është anashkaluar dhe këtij rasti nuk po i kushtohet vëmendja e duhur institucionale. Kjo neglizhencë flagrante i hap rrugë brakonazhit të shfrenuar në vend. Kur vrasësit e llojit më të rrallë dhe të rrezikuar në vend nuk ndëshkohen sipas ligjit, atëherë çfarë mund të presim për popullatat e llojeve të tjerë të gjitarëve dhe shpendëve? Kur nuk ndëshkohet vrasësi i rrëqebullit të Ballkanit, nga i cili kanë mbetur më pak se 50 individë në gjithë botën, si mund të presim të ndëshkohet vrasësi i kaprollit, derrit të egër, apo flamingos? PPNEA, në mungesë të reagimit të institucioneve, këtë çështje e denoncoi në mediat kombëtare e ato ndërkombëtare. Pavarësisht shqetësimit dhe reagimit të mediave ndërkombëtare si e përditshmja Franceze Liberation, drejtësia ende nuk është vendosur. Ekipi ynë, për rastin në fjalë, ka informuar institucione të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, si Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Sekretariati i Konventës së Bernës, Komisioni Evropian, si dhe Iniciativa Evropiane për Mishngrënësit e Mëdhenj (LCIE). Pavarësisht se reagimi i disa prej institucioneve të sipërpërmendura ka qenë i menjëhershëm, ende ka nevojë për lobim të koordinuar, bashkëpunim të mëtejshëm dhe aksione konkrete. Nëpërmjet këtij njoftimi për shtyp, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë së Elbasanit që të marrë masa e të mos e anashkalojë më tepër këtë çështje kaq të rëndësishme për jetën e egër në Shqipëri. Çdo neglizhencë me qëllim apo pa qëllim nga institucionet ligjzbatuese bëhet krahë dhe i hap rrugë më shumë sjelljeve kriminale ndaj jetës së egër. Informacion për redaktorët:
  • Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) është një nënlloj i rrëqebullit Euroaziatik. Ai mbrohet prej ligjeve kombëtare e ndërkombëtare, duke u listuar madje edhe në Aneksin II të Konventës së Bernës. Ky nënlloj rrezikohet në mënyrë kritike për zhdukje (CR), duke numëruar më pak se 50 individë në të gjithë Ballkanin. Në Shqipëri, sipas monitorimeve të realizuara nga organizata PPNEA, mendohet se ekzistojnë jo më tepër se 10 individë. Zonat ky ky lloj gjendet në Shqipëri janë Mali i Munellës dhe rajoni Polis-Gur i Zi-Valamarë. Rrëqebulli i Ballkanit është një nënlloj autokton i trojeve ballkanike.
  • Organizata PPNEA punon që prej vitit 2006 për ruajtjen e popullatës së rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri. Nëpërmjet monitorimeve me kamera kurth, në vitin 2011, PPNEA ka arritur të fotografojë për herë të parë në këtë nënlloj në Malin e Munellës.
  • Gjeni këtu përkthimin e deklaratës së LCIE lidhur me vrasjen e rrëqebullit në Elbasan.
  Fig.1 Rrëqebujt e balsamosur e të ekspozuar në ambientet e Bar – Restorant “Ke Rrema”
Postime të ngjashme