Workshop mbi “Menaxhimin e Qëndrueshëm të Pyjeve” i organizuar në kuadër të projektit “Nisma për Pyjet e Veriut: Restaurimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri”, një bashkëpunim mes PPNEA, IUCN ECARO dhe Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë (MES). Ky aktivitet synon adresimin e sfidave mjedisore më urgjente dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme për menaxhimin e pyjeve.
- Data: 26–27 Nëntor 2024
- Vendndodhja: Hotel Xheko Imperial, Tiranë, Shqipëri
Ky workshop ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror të Shqipërisë, duke adresuar sfida kritike që kërcënojnë ekosistemet e pasura me biodiversitet, përfshirë habitatet e llojeve të rrezikuara si rrëqebulli i Ballkanit. Përfaqësues nga PPNEA, IUCN, MES dhe ekspertët pjesëmarrës do të jenë të disponueshëm për intervista, për të diskutuar objektivat e projektit, rezultatet dhe ndikimet më të gjera mjedisore.
Më shumë detaje:
Workshop mbi Menaxhimin e Qëndrueshëm të Pyjeve në kuadër të projektit “Nisma për Pyjet e Veriut: Restaurimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri”
Workshopi mbi Menaxhimin e Qëndrueshëm të Pyjeve është duke u organizuar si pjesë e aktiviteteve në kuadër të projektit “Nisma për Pyjet e Veriut: Restaurimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri” (Northern Forests Initiative – NFI). Projekti NFI është një nismë për ruajtjen e natyrës, e mbështetur financiarisht nga Fondacioni Suedez Postcode dhe zbatohet nga Zyra Rajonale e IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (IUCN ECARO) në bashkëpunim me dy partnerë – Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (MES) dhe Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
Sipas Global Forest Watch, Maqedonia e Veriut ka humbur 5.5% dhe Shqipëria 6.5% të mbulesës së përgjithshme pyjore gjatë 20 viteve të fundit. Studimet e fundit kanë konfirmuar një trend në rritje, duke treguar humbje shqetësuese prej 6.78% dhe 4.88% të pyjeve jo të degraduara gjatë 12 viteve të fundit. Këto trende vihen re edhe në rajone me vlera të larta të biodiversitetit, siç janë habitatet kryesore të rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), një nënlloj i rrezikuar në mënyrë kritike (CR) sipas Listës së Kuqe të Llojeve të Rrezikuara të IUCN-së, apo ato të llojeve të tjera endemike dhe ikonike të Evropës, si ujku dhe ariu. Gjithsej, në zonën e prekur ndodhen 15 habitate të rëndësishme të Direktivës së Habitateve të BE-së.
Menaxhimi i këtyre rajoneve me vlera të larta të biodiversitetit brenda zonave të mbrojtura nuk ka arritur të parandalojë humbjen e pyjeve, ndërsa korridoret ekologjike që gjenden jashtë mbrojtjes ligjore janë veçanërisht të ekspozuara ndaj degradimit të mëtejshëm. Për më tepër, prerjet e paligjshme të pyjeve kanë qenë një problem i vazhdueshëm në Ballkan, së bashku me urbanizimin e shpejtë dhe ndryshimet në përdorimin e tokës, të cilat shkaktojnë dëme në ekosistemet e pasura me biodiversitet dhe habitatet e faunës së egër. Pasojat e ndryshimeve klimatike kontribuojnë në rritjen e dëmeve të shkaktuara nga zjarret në të gjithë rajonin, duke paraqitur një kërcënim për jetën dhe mirëqenien e komuniteteve rurale. Larmia e pyjeve dhe qëndrueshmëria e ekosistemit pyjor janë ulur.
Projekti NFI synon të kontribuojë në parandalimin e humbjes së mëtejshme të pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri përmes ndërmarrjes së aksioneve restauruese në peizazhet kyçe të biodiversitetit jashtë zonave të mbrojtura, si dhe rritjes së kapaciteteve apo angazhimit për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.
Ky projekt mundëson aplikimin e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë (NbS) për Restaurimin e Peizazhit Pyjor (FLR) në zona të përzgjedhura në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Zonat e restaurimit janë zgjedhur duke aplikuar Metodologjinë e Vlerësimit të Mundësive të Restaurimit (ROAM), që sjell të dhëna dhe njohuri të reja për projekte të ardhshme restaurimi. Peizazhet e synuara të projekteve, “Bukovikj” në Maqedoninë e Veriut dhe “Pashtrik-Morinë” në Shqipëri, përmbajnë zona pyjore që janë degraduar ndjeshëm dhe që kanë nevojë për restaurim si zona me vlerë të madhe për biodiversitetin, duke ndërlidhur zonat e mbrojtura përreth.
Puna për restaurimin e peizazhit pyjor do të ketë përfitime të shumta dhe rezultate të drejtpërdrejta, si përthithja e karbonit, rritja e qëndrueshmërisë së ekosistemit, etj. Në të njëjtën kohë, ky projekt synon jo vetëm të kompensojë humbjen e pyjeve, por gjithashtu të rrisë kapacitetet dhe angazhimin në kuadër të Sfidës së Bonit, si dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në të dy vendet.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka bërë një zotim për të restauruar 15,000 hektarë deri në vitin 2030, që përfaqëson 0.58% të territorit të vendit, ndërsa Shqipëria ende nuk ka bërë një zotim për të restauruar ekosistemet pyjore. Ky projekt financohet nga MES dhe PPNEA do të angazhojnë një sërë aktorësh, që nga komunitetet lokale deri te institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pyjeve, apo edhe vendimmarrësit.
Ky workshop për Menaxhimin e Qëndrueshëm të Pyjeve (SFM) do të luajë një rol kyç në arritjen e objektivit të projektit për rritjen e kapaciteteve kombëtare për restaurimin dhe menaxhimin e pyjeve. I konceptuar kryesisht për partnerët institucionalë, ky workshop do t’i mëshojë njohurive dhe mësimeve të nxjerra nga metodologjia ROAM. Sesionet përkatëse do të shpjegojnë përfitimet dhe vlerat e shtuara të aplikimit të NbS/FLR/SFM, do të ofrojnë akses në këto metologji, si dhe do të ndajnë praktikat më të mira.
Lidhur me projektin mund të kontaktoni:
Lorena Pyze Xhafaj
Zyrtare për Komunikimin dhe Marredhenien me Publikun
Email: [email protected]