Marrja e sinjalit pozitiv nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave për Shqiperinë, ka një rëndësi të madhe edhe për mbrojtjen e mëtejshme së jetës së egër në Shqipëri.
Konkretisht, dy instrumentat ligjore në të cilat bazohet mbrojtja e llojeve dhe habitateve në vendet anëtare të Këshillit të Europës dhe ato anëtare të Bashkimit Europian janë: Konventa e Bernës dhe Direktiva e Habitateve.
Konventa e Bernës, e cila aktualisht ka 51 shtete anëtare, siguron një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse për ruajtjen e natyrës në Europë. Objektivat e saj janë ‘të ruajë florën dhe faunën e egër dhe habitatet e tyre natyrore, veçanërisht ato lloje dhe habitate, ruajtja e të cilave kërkon bashkëpunimin e disa shteteve duke vendosur një theks të veçantë tek llojet e rrezikuara. Shqipëria është pjesë e Konventës së Bernës që nga viti 1999. Direktiva e Habitateve është instrumenti kryesor I Bashkimit Europian për ruajtjen e natyrës. Ajo synon mirëmbajtjen ose arritjen e një “statusi të favorshëm të ruajtjes” për një gamë të llojeve dhe habitateve, në mënyrë që të kontribuojë në ruajtjen e biodiversitetit në Evropë
Por, cilat janë detyrimet që këto konventa/instrumenta parashikojnë për shtetet të cilat janë dhe aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian?
Në përgjigje të kësaj pyetje, në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, një raport shumë i vlefshëm mbi Konventën e Bernës, Direktivën e Habitateve dhe ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) dhe karnivorëve të tjerë të mëdhenj është përgatitur nga eksperti ligjor ndërkombëtar Arie Trouwborst. Fokusi i këtij raporti është përmbledhja e detyrimeve që shtetet anëtare të Konventës së Bernës dhe Direktivës se Habitateve kanë për të siguruar mbrojtjen e rrëqebullit të Ballkanit, ariut të murrmë dhe ujkut. Konkretisht, ky raport do të shërbejë si një pikë referimi për hartimin e ndryshimeve në ligje, politika dhe praktika në Shqipëri në përputhje me kërkesat ligjore të konventave të lartpërmendura.
Në vitin 2017, me propozim të qeverisë shqiptare, Rrëqebulli i Ballkanit u listua në Aneksin II të Konventës së Bernës, duke ju dhënë një status strikt i mbrojtjes. Arriu i murrmë dhe ujku kanë një status të ngjashëm mbrojtje nën Konventën e Bernës.
Konkretisht, arritja e këtyre standardeve europiane kërkon që çdo vend anëtar të bëjë monitorimin sistematik të statusit të rrëqebullit të Ballkanit; shpalljen e habitateve të rrëqebullit si Zona të Mbrojtura; hartimin e politikave efektive për parandalimin e gjuetisë së paligjshme të rrëqebullit; rimëkëmbjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të popullatave të preut, si dhe marrjen e një grupi masash gjithëpërfshirëse për të siguruar ruajtjen e llojeve.
Për të siguruar mbijetesën e këtij nënlloji të rrezikuar në mënyrë kritike në nivel global, inkurajojmë institucionet përgjegjëse në Shqipëri për të marrë në konsideratë këtë raport, si një udhëzues mbi detyrimet e përcaktuara nga Konventa së Bernës dhe Direktiva e Habitateve.