Kali i qyqes dhe lejleku u kthyen në shtëpi

Kali i qyqes dhe lejleku u kthyen në shtëpi
Pranvera në vendin tonë erdhi dhe këto lajme u përcollën sot nga nga anëtarët e rrjetit “Shpëtimtarët e Kalit të qyqes”. Lajmi i parë ishte ai i ardhjes së një individi të lejlekut në folenë e Liqenit të Viroit në Gjirokastër, si dhe pak minuta më pas morëm lajmin e ardhjes së kalit të qyqes në dy prej territoreve të pakta që kanë mbetur në vendin tonë. Krahas gëzimit që marrim nga ardhja e këtyre shpendëve të mrekullueshëm, këto lajme përjetohen nga ne akoma më shumë kur vijnë nga banorët dhe miqtë tanë që jetojnë në territoret e kalit të qyqes. Është një motiv dhe ndjenjë e veçantë lumturie, të përjetosh se si tashmë banorët e atyre zonave janë bërë të ndjeshëm dhe të vëmendshëm, jo vetëm për kalin e qyqes por edhe për llojet e tjera të rralla të vendit tonë. Rrjeti “Shpëtimtarët e Kalit të qyqes” u krijua nga PPNEA, për të bashkuar dashamirësit e natyrës që jetojnë dhe punojnë aty ku gjenden dhe territoret e fundit të kalit të qyqes në vend por jo vetëm. Tashmë ata janë miqtë tanë që kemi patur fatin të njohim dhe të bashkëpunojmë gjatë afro 10 viteve punë për studimin dhe ruajtjen e shkabës së fundit folezuese në Shqipëri. Falë tyre dhe punës së tyre në parandalimin e rreziqeve dhe kujdesjen për stacionet e ushqimit, bëhemi më besimplotë në rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes në vendin tonë.
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *