NJOFTIM PËR SHTYP | Rosat Zhytëse LIFE: 18 organizata nga 14 vende bashkojnë forcat për të mbrojtur rosat zhytëse shtegtare dhe për të restauruar ligatinat jetike

NJOFTIM PËR SHTYP | Rosat Zhytëse LIFE: 18 organizata nga 14 vende bashkojnë forcat për të mbrojtur rosat zhytëse shtegtare dhe për të restauruar ligatinat jetike

25 Nëntor 2026

NJOFTIM PËR SHTYP

Rosat Zhytëse LIFE: 18 organizata nga 14 vende bashkojnë forcat për të mbrojtur rosat zhytëse shtegtare dhe për të restauruar ligatinat jetike.

Një nismë e re ndërkombëtare gjashtëvjeçare për ruajtjen e natyrës ka nisur zyrtarisht, me synimin për të mbrojtur tre lloje rosash zhytëse të kërcënuara në shkallë globale dhe për të restauruar ligatina jetike në Evropë dhe në Azinë Qendrore.

Projekti Rosat Zhytëse LIFE u nis zyrtarisht me takimin hapës, të zhvilluar në Sofje, Bullgari, më 4–6 nëntor 2026, i cili mblodhi përfaqësues të 18 organizatave partnere nga 14 vende për të hedhur themelet e gjashtë viteve të veprimeve të koordinuara për ruajtjen e natyrës. Takimi trajtoi prioritetet kryesore të ruajtjes, restaurimin e habitateve, monitorimin shkencor dhe zbatimin e aktiviteteve të vitit të parë të projektit, ndërsa një event publik zyrtar më 4 nëntor shënoi nisjen e nismës.

I koordinuar nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bullgari), Rosat Zhytëse LIFE është nisma e parë gjithëpërfshirëse, në shkallën e të gjithë rrugës së migrimit, që synon të përmbysë uljen e tre llojeve shtegtare të kërcënuara në shkallë globale: Rosa kokëbardhë (Oxyura leucocephala), Kryekuqja e vogël (Aythya nyroca) dhe Kryekuqja e mjeme (Aythya ferina). Me fokus te rruga e migrimit Deti i Zi–Mesdhe, projekti adreson kërcënimet kryesore, përfshirë degradimin e habitateve, vrasjen e paligjshme, kapjen aksidentale në veglat e peshkimit, helmimin nga plumbi dhe shqetësimin nga njeriu.

Gjatë kohëzgjatjes gjashtëvjeçare (2026–2032), projekti synon të restaurojë dhe rehabilitojë më shumë se 20 600 hektarë ligatina prioritare dhe të përmirësojë sigurinë në 217 000 hektarë habitate të rëndësishme për shumim, ndalesë gjatë migrimit dhe dimërim. Masat e ruajtjes synojnë një ulje prej 50% të kapjes aksidentale, të rasteve të gjuetisë së paligjshme dhe të shqetësimit në vendet kyçe, ndërsa restaurimi i përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike do të forcojë qëndrueshmërinë e ligatinave.

Partneriteti bashkon organizata nga Bullgaria, Greqia, Kroacia, Rumania, Kazakistani, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Turqia, Uzbekistani, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, me bashkëpunim strategjik që shtrihet edhe në vende të tjera përgjatë rrugës së migrimit, përfshirë Azerbajxhanin.

“Ulja e numrit të rosave zhytëse të kërcënuara është një kujtesë e qartë se ruajtja e ligatinave nuk mund të ndalet te kufijtë kombëtarë. Mbijetesa e tyre varet nga gjendja e ligatinave përgjatë gjithë rrugëve të migrimit, dhe kjo kërkon që vendet dhe organizatat të punojnë së bashku, të ndajnë ekspertizën dhe të ndërmarrin veprime të koordinuara. Përmes Rosat Zhytëse LIFE, kemi mbledhur një partneritet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, me ambicien jo vetëm për të ulur rënien e numrit të rosës Kokëbardhë, Kryekuqes së vogël dhe Kryekuqes së mjeme, por edhe për të restauruar ligatinat nga të cilat ato varen. Sfida jonë gjatë gjashtë viteve të ardhshme është ta kthejmë këtë angazhim të përbashkët në rezultate konkrete dhe afatgjata për këto specie, për biodiversitetin e ligatinave dhe për njerëzit që varen nga ekosistemet e shëndetshme ligatinore”, deklaroi Dr. Nikolai Petkov nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bullgari), organizata koordinuese e Rosat Zhytëse LIFE.

Vendet e përfshira përmbajnë habitate kyçe që mbështesin më shumë se 90% të popullatës dimëruese të rosës Kokëbardhë në rrugën lindore të migrimit dhe mbi 60% të Kryekuqeve të vogla që shumohen në BE, si dhe përqendrime të mëdha të Kryekuqes së mjeme.

Si lloj përfaqësues për biodiversitetin e ligatinave, rosat zhytëse mund të nxisin përpjekje ruajtjeje që u sjellin dobi edhe shpendëve të tjerë ujorë, faunës së egër dhe ekosistemeve në tërësi. Përtej mbrojtjes së llojeve, Rosat Zhytëse LIFE do të angazhojë komunitetet lokale dhe palët e interesit, do të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe do të mbështesë ligatina të shëndetshme që u ofrojnë njerëzve përfitime thelbësore, si mbajtja e ujit, ulja e përmbytjeve dhe mundësitë për turizëm të bazuar në natyrë.

Duke kontribuar në zbatimin e Direktivave të BE-së për Shpendët dhe Habitatet, Ligjit për Restaurimin e Natyrës dhe Strategjisë së BE-së për Biodiversitetin 2030, Rosat Zhytëse LIFE tregon se si bashkëpunimi ndërkombëtar mund të sjellë rezultate të qëndrueshme ruajtjeje përtej kufijve.

Përmes gjashtë viteve të veprimeve të përbashkëta, projekti synon të kontribuojë në sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për rosat zhytëse migratore dhe ligatinat nga të cilat ato varen, në të mirë të biodiversitetit dhe të komuniteteve.

“Jemi krenarë që bëhemi pjesë e këtij partneriteti ndërkombëtar për mbrojtjen e rosave zhytëse përgjatë rrugës së tyre të shtegtimit. Në Shqipëri do të përqendrohemi në zonën e Shkodrës: do të heqim rrjetat fantazmë nga Liqeni i Shkodrës, do të përcaktojmë zonat e peshkimit bashkë me autoritetet, do të forcojmë patrullimin kundër gjuetisë së paligjshme dhe do të planifikojmë restaurimin e një ish-zone rezervuarësh peshku, si vend i sigurt folezimi për Kryekuqen e vogël dhe Kryekuqen e mjeme. Mbi të gjitha, duam që komunitetet lokale të jenë pjesë e zgjidhjes”, thotë Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA-s.

–

Rreth projektit Rosat Zhytëse LIFE

Ruajtja e rosave zhytëse të kërcënuara në shkallë globale përgjatë rrugës së tyre të migrimit

Akronimi i projektit: LIFE25-NAT-BG-Diving Ducks LIFE Kohëzgjatja: 1 shtator 2026 – 31 gusht 2032 Përfituesi koordinues: Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bullgari) Partneriteti: 18 organizata nga 14 vende

Partnerët e projektit: Bulgarian Society for the Protection of Birds (BSPB), Hellenic Ornithological Society (HOS/BirdLife Greece), Green Fund (Greece), BIOM/BirdLife Croatia, Kopački Rit Nature Park Directorate (Croatia), Romanian Ornithological Society (SOR), Danube Delta Biosphere Reserve Authority (Romania), Association for the Conservation of Biodiversity of Kazakhstan (ACBK), Macedonian Ecological Society (MES), Protection and Preservation of Natural Environment in Albania (PPNEA), Bird Protection and Study Society of Serbia (BPSSS), Center for Study and Protection of Birds (CZIP, Montenegro), Doğa Derneği/BirdLife Turkey, Nature Research Society (DAD, Turkey), Central Asian University of Environmental and Climate Change Studies – Green University (Uzbekistan), OSME – The Ornithological Society of the Middle East, Tour du Valat (France) and Wildfowl & Wetlands Trust (WWT, UK).

Financimi: Projekti bashkëfinancohet nga Programi LIFE i Bashkimit Evropian dhe nga Green Fund. 

–

Kontakt për median: Lorena Pyze Xhafaj | [email protected] 

 
Postime të ngjashme