Dy ditë kushtuar natyrës, artit dhe lakuriqëve të natës në Parkun Kombëtar të Prespës

Dy ditë kushtuar natyrës, artit dhe lakuriqëve të natës në Parkun Kombëtar të Prespës

Nëse 31 tetori sjell ndër mend lakuriqët e natës përmes simboleve të Halloween-it, ne zgjodhëm t’i njihnim pak më ndryshe: përmes artit, lojës, eksplorimit dhe zbulimit të rolit të tyre në natyrë!

Më 31 tetor dhe 1 nëntor, Zyra Rajonale e PPNEA në Prespë mirëpriti 10 nxënës, 10 studentë dhe 5 vullnetarë në dy ditë aktivitetesh edukative, të organizuara në kuadër të nismës ndërkombëtare Festimi Ndërkombëtar i Natës së Lakuriqeve të Natës.

Ballkani, pjesë e një prej zonave me biodiversitetin më të pasur në botë, është gjithashtu një rajon me diversitet të lartë të lakuriqëve të natës. Brenda tij, pellgu i Liqeneve të Prespës, i ndarë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, përbën një ekosistem veçanërisht të rëndësishëm për këta gjitarë.

Aktivitetet nisën me një vizitë të nxënësve dhe mësuesve të Shkollës Artistike “Tefta Tashko Koço”, të cilët u njohën me punën e PPNEA dhe pasurinë natyrore të Liqenit të Prespës. Por këtë herë, vizita nuk përfundoi vetëm me njohjen e biodiversitetit! Duke vënë në punë talentin dhe kreativitetin e tyre, nxënësit i dhanë jetë dhe ngjyra ambienteve të jashtme të zyrës, duke pikturuar logon e PPNEA-së dhe disa prej llojeve karakteristike të natyrës shqiptare, si pelikani kaçurrel, rrëqebulli i Ballkanit dhe, sigurisht, lakuriqi i natës.

Në pjesën shqiptare të Prespës janë dokumentuar disa gjetje të rëndësishme shkencore, përfshirë koloni të llojeve të ndryshme dhe praninë gjatë gjithë vitit të disa prej tyre. Sipas studimeve të mëparshme, më shumë se 5,000 individë lakuriqësh nate njihen si të strehuar në pjesën shqiptare të pellgut të Prespës.

Mbrëmja u kthye në një mundësi për të zbuluar më shumë rreth këtyre gjitarëve fluturues, që shpesh shoqërohen me mite dhe keqkuptime. Studentë nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe vullnetarë nga Tirana morën pjesë në lojëra interaktive, prezantime dhe diskutime, përmes të cilave mësuan mbi llojet e lakuriqëve të natës në Prespë, mënyrën e tyre të jetesës dhe rolin e rëndësishëm që luajnë në ekosistem. Shumë prej tyre ushqehen me insekte, duke kontribuar në kontrollin natyror të popullatave të tyre dhe në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik.

Pasuria e habitateve, pyjet, shkëmbinjtë gëlqerorë me zgavra natyrore, shpellat dhe afërsia me liqenet krijojnë kushte të favorshme për strehimin dhe ushqimin e tyre. Edhe ndërtesat e vjetra dhe shtëpitë e braktisura mund të shërbejnë si vende strehimi.

Megjithatë, këta banorë të natës përballen me disa kërcënime, si:

  • Ndërhyrjet në pyje dhe ndryshimi i habitateve;
  • Përdorimi intensiv i pesticideve në bujqësi;
  • Shqetësimi dhe dëmtimi i vendeve ku strehohen;
  • Prishja dhe degradimi i ndërtesave të vjetra që përdoren si strehëza;
  • Projektet e mundshme të zhvillimit të parqeve eolike.

Ditën pasuese, mësimi vazhdoi jashtë klasës, në natyrë. Ekipi i PPNEA, së bashku me studentët dhe vullnetarët, zhvilloi një ecje në zonat pyjore të parkut, ku inspektoi shtëpizat e vendosura si strehëza alternative për lakuriqët e natës dhe eksploroi habitatet ku ata jetojnë. Kjo përvojë u dha pjesëmarrësve mundësinë të lidhin njohuritë e fituara me vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren.

Nga pikturat te lojërat, nga diskutimet te eksplorimi në pyll, këto dy ditë na kujtuan se të njohësh natyrën është hapi i parë për ta mbrojtur atë. Dhe ndoshta, pas kësaj përvoje, 31 tetori do t’u kujtojë pjesëmarrësve edhe rëndësinë e lakuriqëve të natës për ekosistemet tona!

Lakuriqët e natës në Prespë janë identifikuar si një prioritet i rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit ndërkufitar të rajonit.

Lexoni më shumë në studimin e ekspertëve të PPNEA, Melitjan Nezaj dhe Adnand Bego: https://secemu.org/wp-content/uploads/2025/09/Melitjan_et_al_2025.pdf

 

 

Postime të ngjashme