Njoftim për shtyp
Tiranë, 04,11,2026.
Raporti i Shqipërisë për vitin 2026 i Komisionit Evropian e vendos situatën në Pishë Poro–Nartë në qendër të vlerësimit për përmbushjen e standardeve evropiane në fushën e mjedisit dhe të mbrojtjes së natyrës. Në raportin e publikuar sot, 4 nëntor 2026, Komisioni Evropian evidenton se ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, së bashku me zgjerimin e ligjit për investimet strategjike, kanë përkeqësuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri dhe janë bërë ndër shkaqet kryesore të protestave që kanë nisur në maj të këtij viti. Duke iu referuar konkretisht Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, raporti ngre shqetësime për miratimin e tri lejeve zhvillimore dhe kryerjen e punimeve përgatitore në një zonë kandidate për rrjetin Emerald, në mungesë të konsultimit publik dhe të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Raporti evidenton gjithashtu vijimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në të njëjtën zonë, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës për kryerjen e një vlerësimi të ndikimit në mjedis. Punimet janë pezulluar për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore mes aksionerëve.
Këto konstatime e bëjnë të qartë se shqetësimet për Vjosë-Nartën nuk janë thjesht kundërshtime ndaj një projekti të veçantë. Ato lidhen me çështje thelbësore të qeverisjes mjedisore: zbatimin e legjislacionit, transparencën në vendimmarrje, cilësinë e vlerësimeve mjedisore, pjesëmarrjen e publikut dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Protestat që nisën si reagim ndaj ndërhyrjeve në Pishë Poro–Nartë janë shndërruar në një mobilizim të gjerë qytetar, duke sjellë në vëmendje kërkesën për më shumë transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
Gjatë muajve të fundit, qytetarë, organizata mjedisore, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur zërin për mbrojtjen e kësaj zone dhe të së drejtës së publikut për t’u dëgjuar në vendimmarrjet që prekin mjedisin. Ky raport përbën një tjetër konfirmim të rëndësisë së shqetësimeve të ngritura prej muajsh për të ardhmen e Vjosë-Nartës. Mbrojtja e kësaj zone nuk është vetëm një çështje kombëtare e ruajtjes së biodiversitetit, por një tregues i përkushtimit të Shqipërisë ndaj standardeve evropiane për mbrojtjen e natyrës. Vjosë-Narta është një peizazh me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike, që përfshin ligatina, laguna, duna ranore dhe habitate bregdetare, të cilat mbështesin qindra lloje shpendësh dhe shumë lloje të tjera të rëndësishme. Ruajtja e integritetit të këtij ekosistemi është thelbësore për biodiversitetin, korridoret e shtegtimit dhe ekuilibrin natyror të gjithë deltës.
Përtej problematikave në zonat e mbrojtura, Komisioni Evropian evidenton mangësi të vazhdueshme në zbatimin e legjislacionit mjedisor në Shqipëri. Këto përfshijnë cilësinë e vlerësimeve të ndikimit në mjedis, pjesëmarrjen e kufizuar të publikut në vendimmarrje, kapacitetet e pamjaftueshme institucionale, monitorimin e dobët të cilësisë së ujit dhe ajrit, si dhe sfidat në menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjes industriale. Raporti nënvizon gjithashtu nevojën për veprime më të vendosura në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve. Këto konstatime tregojnë se përparimi drejt standardeve evropiane kërkon jo vetëm përafrim ligjor, por edhe zbatim konkret, transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
Mbrojtja e natyrës nuk është pengesë për integrimin evropian. Ajo është një nga kushtet e tij.Shqipëria nuk mund të përparojë drejt Bashkimit Evropian pa garantuar që zonat e saj të mbrojtura të mbrohen realisht, që ligjet të zbatohen dhe që vendimmarrja për të ardhmen e tyre të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Autorësia e fotografisë: Studio Trivet

Autorësia e fotografisë: Joni Vorpsi, PPNEA

Autorësia e fotografisë: Joni Vorpsi, PPNEA

Autorësia e fotografisë: Joni Vorpsi, PPNEA

Autorësia e fotografisë: Kosta Xhaho, PPNEA


