Si identifikohen dhe dokumentohen krimet mjedisore? Cili është kuadri ligjor për trajtimin e tyre dhe si mund të forcohet roli i organizatave vendore në raportimin dhe parandalimin e tyre?
Për këto çështje, PPNEA dhe CELIM organizojnë trajnimin “Krimet mjedisore”, i cili do të zhvillohet më 3–4 dhjetor 2026, në Hotel Partner në Vlorë, duke filluar nga ora 09:00.
Trajnimi do të trajtojë tema konkrete si vrasja e paligjshme e shpendëve, zbatimi i legjislacionit për gjuetinë dhe helmimi i faunës së egër në Shqipëri. Përmes diskutimeve dhe qasjes praktike, pjesëmarrësit do të njihen më nga afër me mënyrat e identifikimit, monitorimit dhe raportimit të këtyre shkeljeve.
Ky trajnim është pjesë e ciklit të sesioneve teknike të dedikuara për forcimin e kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile Mjedisore (OJF) dhe Grupeve Vendore të Veprimit (GVV), në kuadër të projektit “Veprimi i Përbashkët i OJF-ve për Promovimin e Rrjetit Natyra 2000 në Shqipëri – APN2000”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga CELIM dhe PPNEA.
Pjesëmarrja në të gjitha sesionet e ciklit të trajnimeve u mundëson OJF-ve dhe GVV-ve të aplikojnë për skemën e nën-granteve të projektit, e cila mbështet nisma në fushën e ruajtjes së biodiversitetit, klimës, advokimit dhe luftës kundër krimeve mjedisore.




