Monitorimi i kalit të qyqes për sezonin e pranverës përveçse në Shqipëri, është realizuar në të gjitha vendet e Ballkanit. Nga të dhënat e monitorimit, në Ballkan rezultojnë 51 territore të zëna, si në 2019, ndërsa numri i çifteve rezultoi 45, një më pak krahasuar me vitin 2019.
Në Shqipëri, rezultatet tregojnë që numri total i territoreve të zëna është 8, ku pesë prej tyre janë të zënë nga çifte dhe tre nga individë të vetmuar. Kjo tregon që popullata e kalit të qyqes në vendin tonë ka pësuar një rënie, pra me një territor aktiv më pak (mbi 10%) në krahasim me vitin 2019 (6 çifte, 3 individë të vetmuar). Sidoqoftë, numri i përgjithshëm i territoreve të zënë është ulur me 43% që nga viti 2006 (nga 14 në 8).
Situata në vendet e tjera të Ballkanit paraqitet me një rënie të vogël në të gjitha vendet, përveç Bullgarisë, ku numri i territoreve dhe çifteve janë rritur. Rënie vërehet edhe në Maqedoninë e Veriut me vetëm 12 territore të zënë të kalit të qyqes krahasuar me 13 në vitin e kaluar. Bullgaria mban pjesën më të madhe të popullatës me 26 territore të zëna dhe 25 çifte (përkatësisht 51% dhe 55%), 21 prej të cilave janë inkubuese. Përkundrazi, në Greqi popullata e kalit të qyqes paraqet një trend negativ, duke pësuar një rënie drastike me vetëm tre çifte të mbetura në rajonin e Thrakës.
Një nga aksionet më të rëndësishme për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij lloji është ndërtimi i stacioneve suplementare, masë që ndikon drejtpërdrejt në popullatën e kalit të qyqes. Rrjeti i stacioneve suplementare përfshin gjithë Ballkanin, ku dhe PPNEA në Shqipëri është pjesë e tij, duke ndërtuar dhe menaxhuar tashmë 2 stacione suplementare në afërsi të territoreve të kalit të qyqes duke siguruar në këtë mënyrë ushqim të sigurt për këtë lloj dhe jo vetëm.
Monitorimi i kalit të qyqes do të pasohet nga dy ekspedita të tjera në muajt në vazhdim mënyrë saktësimin jo vetëm të numrit të individëvë të kësaj popullate por dhe llogaritjen e produktivitetit të saj në vend.