Ku merret mishi i llojeve të egra që oftohet në një mori restorantesh?

Ku merret mishi i llojeve të egra që oftohet në një mori restorantesh?
Restorante në zona të ndryshme të Shqipërisë, si pjesë të menu-së së tyre, përtej pjatave të zakonshme, shërbejnë edhe mishin e kafshëve dhe shpendëve të egra. Ky fenomen ndodh në përditshmëri, madje duke e reklamuar me krenari, në rrjete sociale online. Mjafton vetëm një kontroll në internet dhe të tilla praktika shfaqen me një lehtësi të habitshme, madje të ofrohen edhe për rezervim të menjëhershëm. Restorante të tilla janë të shtrira në të gjitha qarqet e Shqipërisë, duke ofruar pjata joshëse për klientë të pavetëdijshëm mbi statusin e kërcënimit të llojeve të cilat po i serviren. Vec kësaj, konsumi i këtij lloj ushqimi të panjohur, të pa çertifikuar në vende të tilla mund të jetë burim sëmundjesh dhe parazitësh. Në mënu-të e këtyre restoranteve mund të gjësh lehtësisht gatime me mish kaprolli (Capreolus capreolus) derri i egër (Sus scrofa), lepuri i egër (Lepus europaeus) reptilë, si dhe lloje të ndryshme shpendësh të egër, madje në raste të caktuara, edhe ariu i murrmë (Ursus arctos), pavarësisht faktit se ndalohet në mënyrë kategorike nga ana ligjore. Këto lloje mbrohen nga ligje e konventa ndërkombëtare, të ratifikuara prej qeverisë shqiptare, por fatkeqësisht, interesi i kësaj të fundit drejt jetës së egër mbetet në nivele formale. Shqipëria është nën efektin e ligjit të moratoriumit të gjuetisë deri në mars të vitit 2021. Shumë nga llojet që reklamohen nëpër menu janë të ndaluara të gjuhen dhe tregtohen, si para dhe mbas mbarimit të efektit të moratoriumit. Edhe pse vendi ka qenë i mbyllur muajt e kaluar nisur nga pandemia e CoVID-19, dashamirës të natyrës dhe të faqes tonë na raportojnë që shumë restorante kanë ri-filluar të ofrojnë mish të egër pas masave lehtësuese të hapjes së bizneseve. Origjina e këtij mishi të egër nuk ka nga të jetë tjetër përveçse nga brakonazhi në pyje, ligatina dhe habitatet e tjera natyrore të vendit tonë. Ky është një fenomen tejet negativ që po kthehet në një kërcënim serioz ndaj popullatave të mjaft llojeve të faunës së egër, si edhe është një shkelje flagrante dhe në mes të ditës të legjislacionit vendas. PPNEA i bën thirrje publikut të gjerë të refuzojnë konsumin e mishit të egër me origjinë të paverifikuar në restorante të ndryshme si edhe të denoncojnë pranë organeve të ligjit nëse konstatojnë raste të tregtimit të llojeve të egra për konsum. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese, vendore dhe qendrore, të ndërhyjnë për ndëshkimin e kundravajtësve sipas legjislacionit në fuqi.
Postime të ngjashme