VROJTIM I LEJLEKUT (CICONIA CICONIA) NË SHQIPËRI NË PERIUDHË TË PAZAKONTË

VROJTIM I LEJLEKUT (CICONIA CICONIA) NË SHQIPËRI NË PERIUDHË TË PAZAKONTË
Ditën e djeshme, z. Danjel Bica nga Shoqata e Ekspertëve të Rinj të Mjedisit (SHERM), vrojtoi 2 individë të lejlekut (Ciconia ciconia) në afërsi të Klosit, në rrethin e Matit. Duke marrë në konsideratë periudhën e vonë në të cilën gjendemi, ky vrojtim paraqet një rast interesant. Njëri prej lejlekëve ishte i unazuar dhe nga fotografitë e siguruara mund të shquhet vetëm ngjyra e unazës por jo kodi përkatës. Nga kërkimi i realizuar, rezulton se ky individ mund të jetë unazuar në Gjermani ose në Belgjikë.
 
Në këtë rast është me interes të analizojmë çfarë përfaqëson ky vrojtim? Sikundër dihet, lejleku është shpend verues në vendin tonë. Në pranverë vjen zakonisht duke filluar nga muaji mars dhe largohet në vjeshtë zakonisht gjatë muajve gusht – shtator. Ndonëse, teknikisht, gjendemi ende në periudhën e kalimit të shpendëve nga vendet e folezimit drejt atyre të dimërimit, një vrojtim i këtij lloji në muajin nëntor (në prag të periudhës së dimërimit) është i pazakontë.
 
Dy hipoteza mund të ngrihen mbi këtë ngjarje: e para dhe që ka më shumë gjasë, ka të bëjë me zgjatjen e periudhës së kalimit të këtij lloji në vendin tonë dhe e dyta ka të bëjë me rastin që individë nga Evropa Veriore dhe Qendrore të përzgjedhin vendin tonë për të dimëruar. Të dyja këto hipoteza, lidhen me faktin e ndryshimeve klimatike.
 
Për sa i përket hipotezës së parë, tashmë është vërtetuar shkencërisht se ndryshimi i klimës ka sjellë ndryshim në periudhën e shtegtimit të lejlekut. Për sa i përket dimërimit, është e zakonshme që ky lloj të dimërojë në Evropë. Megjithatë, kjo vlen vetëm për Gadishullin Iberik ku dimërimi i lejlekut është raportuar që në shekullin e 19-të, veçse gjatë viteve të fundit numrat janë rritur. Madje, që prej fillim viteve 90-të lloji është raportuar dimërues edhe në Francën jugore, ku numri i individëve ka ardhur gjithmonë e në rritje duke arritur deri në 1200, sikundër ishte rasti i vitit 2006.
 
Në vendin tonë ka patur së paku 2 raste të dimërimit të lejlekut, dhe të dyja të raportuara gjatë 5 viteve të fundit. Marrë për bazë sa më lart, pritshmëria e vrojtimit të rasteve të tjera të kalimit të vonë apo dimërimit të këtij lloji në vendin tonë rritet. Megjithatë, ka më shumë mundësi që individët dimërues të origjinojnë nga vendet më në veri, kjo pasi popullata folezuese e lejlekut në vendin tonë është vrojtuar të largohet nga vendfolezimet në periudhën korrik-shtator.
 
Nëse hasni individë të këtij lloji gjatë periudhës së dimrit, lutemi të shihni nëse janë të unazuar dhe të mbani shënim: ngjyrën e unazës; këmbën në të cilën është vendosur; ngjyrën e shifrave dhe së paku sa shifra ka kodi në unazë dhe sigurisht t’i raportoni këto të dhëna pranë nesh.
 
© Danjel Bica / SHERM
 
 
© Danjel Bica / SHERM
 
 
 
 
Postime të ngjashme