Monitorimi i gjarpërinjve të ujit përgjatë ishullit të Maligradit në Prespë

Në fillim të muajit Korrik, me mbështetjen e PONT, Aage V. Jensen dhe Euronatur, ekipi i #PrespaNet realizoi një ekspeditë me fokus monitorimin e gjarpërinjve të ujit përgjatë ishullit të Maligradit, që ndodhet në anën shqiptare të Prespës.
 
Në këtë ekspeditë, krahas anëtarëve të rrjetit #PrespaNet, morën pjesë përfaqësues të Parkut Kombëtar të Galiçicës dhe Parkut Natyror të Ezeranit, të cilët u trajnuan nga ekspertët e MES, Universitetit të Beogradit dhe Qendrës Franceze për Kërkim Shkencor mbi kërcënimet që rrezikojnë gjarpërinjtë e ujit dhe prehun e tyre kryesor, siç është gjuca e Prespës (Alburnus belvica). Gjithashtu, ekspertët diskutuan mbi rëndësinë e kryerjes së studimeve afatgjata për të kuptuar mënyrat më efikase se si mund të evitohen këto kërcënime.
 
Eksperienca mbi 15 vjeçare e ekspertëve të përfshirë bëri që pjesëmarrësit ta ndiqnin me interes çdo shpjegim që ata jepnin, duke ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të autoriteteve menaxhuese për zonat e mbrojtura. Ekipi ynë beson se zbatimi i aktiviteteve të tilla do të mundësojë një bashkëpunim më frydhënës midis autoriteteve menaxhuese të zonave të mbrojtura që janë përgjegjëse për menaxhimin e këtij rajoni ndërkufitar me biodiversitet të pasur.
 
Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se kjo ekspeditë është e para e këtij lloji që realizohet në ishullin e Maligradit, duke i shtuar vlerë punës së bërë nga ekspertët ndërkombëtar dhe organizatat partnere të rrjetit #PrespaNet.
 
 
 
Postime të ngjashme