Ndërtimi i një aeroporti në një nga zonat më të rëndësishme kombëtare për sa i përket burimeve natyrore, ka hasur kundërshtimin e komunitetit shkencor vendas dhe të huaj, si dhe rezistencë qytetare që sa vjen e forcohet.
Në konferencën e organizuar në Tiranë, ekspertë vendas dhe të huaj ndanë rezultatet e kërkimeve përkatëse për vlerat ekologjike dhe kulturore të Vjosë-Nartës, duke përfshirë edhe rreziqet që i kanosen banorëve nga urbanizimi i zonës, si dhe perspektivën rinore mbi zhvillimin e qëndrueshëm.
Lexoni më poshtë rezultatet kryesore të ndara nga 13 ekspertët ligjërues në konferencë:
- Gjatë 5 viteve të fundit, qeveria nuk ka dialoguar me komunitetin shkencor dhe shoqërine civile për të diskutuar projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të këtyre të fundit.
- Avancimi i projektit të aeroportit të Vlorës është bërë në thyerje të theksuar të ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare, duke krijuar një nga precedentët më të rrezikshëm për natyrën në 30 vitet e fundit.
- Vjosë-Narta është e pazëvëndësueshme për nga rëndësia që ka për biodiversitetin në Shqipëri, por edhe për të gjithe kontinentin Evropian.
- Vjosë-Narta është pjesë integruar e lumit Vjosa dhe meriton të jetë pjesë e Parkut Kombëtar për te ruajtur integritetin ekologjik të lumit.
- Bashkimi Evropian po drafton një ligj detyrues për rikthimin e natyrës në vendet anëtare. Shqipëria ka mundësinë të kursejë kostot e detyrueshme për implementimin e këtij ligji në të ardhmen duke mos shkatërruar vlerat e larta natyrore në të tashmen.
- Aeroportet e ndërtuara pranë zonave të shtegtimit të shpendëve, në kohën kur shkenca nuk kishte avancuar, hasin vështirësi menaxhimi dhe kosto të larta që i cënojnë operimin.
- Të rinjtë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e natyrës dhe theksojnë se zonat e mbrojtura duhet të lihen te paprekura duke ruajtur burimet natyrore për brezat e ardhshëm.
- Mediat kombëtare kanë qenë apatike në përcjelljen e informacionit te publiku i gjerë në lidhje me ndërtimin e aeroportit brenda zonës së mbrojtur.
Arsyet e mësipërme na e bëjnë të qartë që ndërtimi i një aeroporti në Vjosë-Nartë nuk përkthehet në zhvillim të zonës, por në humbje të thellë për vendin e të gjithë Evropën.