Aeroporti i Vlorës: Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme, për të shpëtuar parajsën natyrore të Lagunës së Vjosë Nartës

Aeroporti i Vlorës: Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme, për të shpëtuar parajsën natyrore të Lagunës së Vjosë Nartës

Aeroporti i Vlorës: Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme, për të shpëtuar parajsën natyrore të Lagunës së Vjosë Nartës

Këtë javë, Konventa e Bernës për Ruajtjen e Jetës së Egër në Evropë ka kërkuar pezullimin e ndërtimit të një aeroporti ndërkombëtar në zonën e mbrojtur pranë Lagunës së Vjosë-Nartës në Shqipëri, një zonë kyç ndalese për mijëra shpend që shtegtojnë çdo vit midis Evropës dhe Afrikës. Ky vendim i bën jehonë paralajmërimeve të ekspertëve dhe shkencëtarëve ndërkombëtarë të ruajtes së natyrës, si dhe institucioneve Evropiane.

Anëtarët dhe partnerët e Aleancës Mesdhetare për Ligatinat i kanë drejtuar letra kryeministrit Edi Rama, Komisionit të BE-së dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), me firmat e 33 organizatave në më shumë se 26 vende.

Në një garë me kohën për të nisur projektin, qeveria shqiptare ka anashkaluar disa procedura të detyrueshme, duke përfshirë marrjen e lejes së ndërtimit. Ndonëse punimet e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës kishin nisur tashmë në vitin 2021, leja është dhënë vetëm këtë vit, 15 muaj pas fillimit të ndërtimit.

Një vit pas fillimit të ndërtimit, qeveria hoqi zonën ku po ndërtohej aeroporti nga Peizazhi i Mbrojtur Vjosa-Nartë, duke krijuar një hapsirë boshe në mes të zonës së mbrojtur. “Ndryshimi i kufijve të zonës së mbrojtur (…) nuk është në përputhje me vlerat e biodiversitetit që ajo mbart”, thekson Konventa e Bernës për Ruajtjen e Jetës së Egër në Evropë në një raport vlerësimi të përgatitur së bashku me Konventën për Llojet Shtegtare (CMS) dhe Marrëveshjen Afrikane-Euroaziatike Për Shpendët Ujorë Shtegtarë (UNEP/AEWA). Konventa e Bernës ka shkuar një hap më tej dhe ka kërkuar pezullimin e projektit derisa të kryhet një Vlerësim i Ndikimit në Mjedis i vlefshëm, i cili duhet të përmbushë standardet ndërkombëtare teknike, shkencore dhe metodologjike. 

Aleanca për Ligatinat e Mesdheut, një rrjet ndërkombëtar prej 30 organizatash nga 15 shtete, së bashku me partnerët e BirdLife, anëtarë të Wetlands International Europe dhe OSHC të tjera, kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për të ndaluar shkatërrimin e këtij xhevahiri mesdhetar që është shtëpia e mbi 70 llojeve të rrezikuara, 200 lloje shpendësh dhe lloje të jashtëzakonshme si breshka e detit (Caretta caretta), foka e Mesdheut (Monachus monachus) ose lloje endemike si bretkosa shqiptare e ujit (Pelophylax shqipericus). Letrat e dërguara theksojnë se në proçesin e negociatave për integrimin në BE, Shqipëria duhet të ketë parasysh ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe vlerave të pazëvendësueshme të biodiversitetit. 

“Zhvillimi i aeroportit është vetëm maja e ajsbergut të zhvillimit të përgjithshëm të zonës, duke injoruar jo vetëm mbrojtjen e thesareve të jashtëzakonshme natyrore, por edhe përmirësimin e jetesës së komuniteteve vendase që përfitojnë shumë pak nga ky zhvillim.” tha Emirjeta Adhami nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA).

OJQ-të lokale, Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) dhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen  e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), kanë propozuar tashmë zgjidhje alternative për këtë projekt aeroporti, duke filluar nga zgjerimi i madhësisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës deri te ndërtimi i një hekurudhe të shpejtë për të lidhur pjesën jugore të vendit me Tiranën, ose marrjen në konsideratë të vendndodhjeve alternative për aeroportin si Risili, Kafaraj apo Levan, në varësi të një vlerësimi të duhur të rrezikut dhe të ndikimit në mjedis. 

Anëtarët dhe partnerët e Aleancës për Ligatinat e Mesdheut mbështesin këto zgjidhje alternative dhe presin që Bashkimi Evropian, Z. Edi Rama dhe IATA do ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të treguar lidership dhe përkushtim ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së natyrës.

 

Shënime për redaktorët:

  • Vjosa-Narta strehon shumë shpendë të mbrojtur të listuar në Aneksin I të Direktivës Evropiane për Shpendët. Vlera e saj natyrore ka fituar njohje ndërkombëtare përmes disa emërtimeve si Zonë Kyç për Biodiversitetin dhe Zonë e Rëndësishme për Shpendët, por edhe si një Zonë Kandidate Emerald dhe zonë potenciale e rrjetit Natura 2000.
  • Raporti i fundit i Qendrës Ornitologjike Zvicerane thekson se “Ndërtimi i një aeroporti brenda një zone kaq të pasur me shpendë do të krijojë një rrezik të madh të përplasjes së avionëve me shpendët. Një përplasje me një nga shpendët më të mëdhenj në botë, pelikanin kaçurrel, i cili folezon në rrethinat e aeroportit të planifikuar, ka të ngjarë të përfundojë në një katastrofë”.
  • Aeroporti i Vlorës po ndërtohet në një zonë me përmbytje, gjë e cila mund të rezultojë në dëm të madh ekonomik në terma afatgjatë. Zona e aeroportit, një ligatinë bregdetare, është shumë e ekspozuar ndaj rrezikut të përmbytjeve për shkak të tre faktorëve kryesorë:

 

  • Zona është e ekspozuar ndaj përmbytjeve të dimrit. Ligatina ka nivele të ndryshueshme uji. Ish-aeroporti i vjetër i stërvitjes ushtarake përmbytej rregullisht në dimër, duke e bërë atë jo praktik.
  • Zona e aeroportit është subjekt i rritjes së nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike, siç ilustrohet në këtë hartë nga Emanuele Ingrassia me +1m në 2100 (skenari RCP 8.5) (4).
  • Përmbytja e jashtëzakonshme e lumit Vjosa mund të ketë pasoja për të gjithë zonën

 

  • Organizatat lokale dhe kombëtare druhen se aeroporti mund të jetë hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë për urbanizimin e vijës bregdetare shqiptare. Reduktimi i sipërfaqes së mbrojtur është veçanërisht i rëndësishëm në zonat bregdetare, me një humbje të vlerësuar prej mbi 20%. Llojet ikonike si foka e Mesdheut do të ndikoheshin në mënyrë indirekte nga këto ndryshime.
Postime të ngjashme