PrespaNet feston një dekadë të bashkëpunimit ndërkufitar dhe përpjekjeve për ruajtjen e natyrës në Prespë

PrespaNet feston një dekadë të bashkëpunimit ndërkufitar dhe përpjekjeve për ruajtjen e natyrës në Prespë

25.09.2023 – PrespaNet, një rrjet i organizatave mjedisore dedikuar ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore të basenit ndërkufitar të liqeneve të Prespës, është krenar që këtë vit feston 10 vjetorin e tij! Themeluar në vitin 2013 nga tre organizata me një histori të pasur të ruajtjes së natyrës në rajon – Shoqata për Mbrojtjen e Prespës (SPP), Shoqata Ekologjike Maqedonase (MES) dhe Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) – PrespaNet ka bërë hapa të rëndësishëm në përparimin e përpjekjeve të ruajtjes së kësaj zone.

Rajoni i Prespës, i ndodhur në një pikëtakim midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, është një thesar ekologjik unik, që strehon njëkohësisht një biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe një trashëgimi të pasur kulturore. Misioni i PrespaNet është të mbrojë këtë mrekulli natyrore për përfitimin e qëndrueshëm të njerëzve dhe jetës së egër, për të tashmen dhe për brezat që do të vijnë.

Gjatë dekadës së kaluar, PrespaNet ka punuar pa u lodhur për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet organizatave dhe autoriteteve për menaxhimin e zonave të mbrojtura. Rrjeti ka theksuar gjithmonë se bashkëpunimi është çelësi i suksesit të përpjekjeve për ruajtjen e natyrës dhe ka nxitur partneritete të ngushta me të gjitha autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e natyrës, peizazhit dhe kulturës së jashtëzakonshme të këtij pellgu ujëmbledhës.

Disa nga arritjet e rëndësishme të rrjetit kanë qenë rritja e angazhimit efektiv të komuniteteve lokale dhe palëve të interest në rajon, me ngritjen e zyrave lokale të Prespës në të treja anët e basenit, puna e përbashkët për ruajtjen dhe mbrojtjen e specieve dhe habitateve të rralla të rajonit, si dhe zhvillimi i Strategjisë Ndërkufitare për ruajtjen e Prespës, i cili përshkruan prioritetet e tre organizatave për mbrojtjen e trashëgimisë së çmuar natyrore të zonës.

Për të shënuar 10-vjetorin e saj, PrespaNet organizoi një event unik në pikëtakimin e punës së rrjetit, në zemër të liqenit të Prespës së Madhe ku takohen tre pika kufitare, por gjithashtu edhe në pikën ku nis bashkëpunimi ynë! Duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin, ne konfirmuam edhe një here angazhimin tonë për ruajtjen e karakterit unik të Prespës dhe premtuam se do të vazhdojmë të punojmë të palëkundur me partnerët, autoritetet dhe komunitetet lokale për të siguruar të ardhmen e qëndrueshme të këtij thesari të paçmuar ekologjik dhe kulturor.

Në vijim të këtij takimi, ne vazhduam më pas pranë zyrës lokale të PPNEA në Goricë të Vogël, aty ku mbështetësit tanë, palët e interesit dhe autoritetet lokale u bashkuan me ne për të festuar këtë arritje dhe shprehën ngrohtësisht përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të mbështetur misionin e PrespaNet.

Për më shumë informacion rreth PrespaNet, ju lutemi vizitoni:
https://spp.gr/about-spp/
https://ppnea.org/
https://mes.org.mk/en/

Postime të ngjashme