Bum turistik në kurriz të natyrës

Bum turistik në kurriz të natyrës
NJOFTIM PËR SHTYP   

Shqipëria, vendi mikpritës në ITB

Shqipëria: Një shfaqje e bukur, por natyra po i shkatërrohet

Shqipëria është vendi mikpritës në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB në Berlin këtë vit. Ky vend i vogël në Detin Adriatik tërheq vizitorë me peizazhet e tij mahnitëse, por shumë zona me vlera të jashtëzakonshme për ruajtjen e natyrës, po sakrifikohet për turizmin.

Berlin, Radolfzell, Tiranë – Panairi i turizmit në Berlin supozohet të fokusohet te turizmi i qëndrueshëm. Megjithatë, nga të gjithë shtetet, Shqipëria është vendi zyrtar i ftuar në ITB, e cila është fokusuar në turizmin e luksit dhe atë masiv, në vend të ekoturizmit të qëndrueshëm. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, do të hapin panairin ITB të hënën, më 3 mars. Me gjasë ata nuk do të vënë në dukje vetëm bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit, por do të theksojnë gjithashtu se Shqipëria është pioniere e turizmit natyror. Në mars 2023, pas vite të tëra fushatash nga EuroNatur dhe partnerët e saj në fushatën “Zemra Blu”, qeveria shqiptare shpalli lumin Vjosa dhe degët e tij si Parkun e Parë Kombëtar të Lumenjve të Egër në Evropë.

Megjithatë, integriteti i këtij parku kombëtar është në rrezik. Tubat janë vendosur tashmë përgjatë Shushicës, një degë tejet e rëndësishme e Vjosës, për të devijuar ujin nga Shushica drejt bregdetit shqiptar. Ndërkohë, ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në deltën e Vjosës, fare pranë Lagunës së Nartës, po avancon me ritme të shpejta. Për ndërtimin e aeroportit, i cili synon të tërheqë një numër të madh turistësh në jug të Shqipërisë, kufijtë e zonës së mbrojtur ekzistuese u ndryshuan posaçërisht përmes një ndryshimi ligjor tejet të diskutueshëm, me shumë mundësi edhe të paligjshëm – zona e ndërtimit u “shkëput” nga zona e mbrojtur. Projekti i aeroportit po realizohet në mes të një ekosistemi të rëndësishëm ligatinor për shpendët; EuroNatur, PPNEA dhe partnerët e tjerë në Shqipëri dhe Evropë kërkojnë ndalimin e tij, jo vetëm për shkak të ndikimit të rëndë ekologjik, duke ngritur shqetësime serioze si nga perspektiva ekologjike ashtu edhe për sigurinë ajrore.

“Planifikimi i ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, pranë zonës së mbrojtur të Nartës, është një tregues i qartë e mënyrës se si qeveria shqiptare po trajton zonat e egra natyrore të vendit. Këto pasuri natyrore po promovohen vetëm për të tërhequr turistë,” thotë Zydjon Vorpsi nga organizata shqiptare e ruajtjes së natyrës PPNEA. “Mosrespektimi i ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, Konventës së Bernës, komunitetit shkencor dhe institucioneve europiane është dëshmi se fjalimet për natyrën dhe ekoturizmin në ngjarje ndërkombëtare si ITB janë thjesht një fasadë e gjelbër që fsheh shkatërrimin e mjedisit unik natyror të Shqipërisë,” shton Vorpsi.

 

Shqipëria ka tërhequr vëmendje kohët e fundit në fushën e turizmit, kur dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, mori statusin e Investitorit Strategjik nga qeveria shqiptare për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e paprekur të Sazanit. “Çdo detaj tregon se Edi Ramës nuk i dhimbset natyra, në deklaratën e tij për ta shndërruar Shqipërinë në një ‘kampione të turizmit’,” thotë Drejtori Ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer. “Uji i lumenjve të pacënuar po shfrytëzohet, ligatinat e çmuara po bëhen vend për aeroporte dhe shitja e çdo pjese të bregdetit të të egër të vendit ka nisur.” E gjitha kjo duhet të risillet në mendje, kur Edi Rama dhe Mirela Kumbaro të zënë skenën në ITB për të lavdëruar virtytet turistike të Shqipërisë.

Informacion shtesë:

  • Laguna e Nartës ndodhet në deltën e lumit Vjosa, në një nga zonat e fundit të pacenuara të bregdetit Adriatik shqiptar. Vjosa u shpall Park Kombëtar pas dhjetë vitesh përpjekjesh nga EuroNatur dhe partnerët e saj, por në të njëjtën kohë, ndërtimi i Aeroportit të Vlorës po avancon me shpejtësi.
  • Aeroporti i Vlorës ka shkaktuar kundërshtime të forta nga organizatat e mjedisit dhe institucionet e BE-së. Ai po ndërtohet në Lagunën e Vjosë-Nartës, një nga ligatinat më të rëndësishme në Mesdhe. EuroNatur, PPNEA dhe organizata të tjera mjedisore, si dhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, kanë kërkuar ndalimin e ndërtimit, duke argumentuar se aeroporti rrezikon ekosistemin e ndjeshëm të lagunës. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur vazhdimisht shqetësime dhe kanë kërkuar një vlerësim të ri mjedisor. Për më shumë informacion, mund të referoheni në Raportin mbi Biodiversitetin e Ballkanit Perëndimor të EuroNaturm, Biodiversity Report .

 

Materiale vizuale: Ju mund të përdorni materialet vizuale të bashkëlidhura,  lidhur me këtë njoftim për shtyp, me kusht që të citohet autori i imazhit. Imazhet janë të disponueshme në cilësi për printim me kërkesë.

  1. Shqipëria është një vend i pasur me thesare natyrore, siç është Vjosa. Por shitja e vendeve të egra të saj të fundit ka nisur.
  2. Terminali i planifikuar i Aeroportit të Vlorës tashmë është i dukshëm, dhe puna në kantier vazhdon ditë e natë.
  3. Aeroporti i ri me gjasë është vetëm hapi i parë në një iniciativë të madhe turistike nga qeveria shqiptare në jug të vendit. Ky segment i paprekur i bregdetit pranë Zvërnecit ka tërhequr tashmë interesin e Jared Kushnerit.

Kontakte për mediat:

Christian Stielow, EuroNatur
[email protected]

Lorena Pyze Xhafaj, Menaxhere e Komunikimit, PPNEA
[email protected]

Postime të ngjashme