Thirrje për Ekspertë!

Thirrje për Ekspertë!

 

Në kuadër të Projektit Interreg LASPEH 2.0, Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) po udhëheq zhvillimin dhe zbatimin e një Plani Ruajtje dhe aktiviteteve konkrete për ruajtjen e dallëndyshes së detit ballëbardhë (Sternula albifrons) në Lagunat e Nartës dhe Karavastasë.

Në përputhje me objektivat për harmonizimin e planifikimit të ruajtjes të natyrës me EU Nature Restoration Law dhe për forcimin e efektivitetit të rrjetit Natura 2000 dhe zonave të mbrojtura, PPNEA synon të kontraktojë ekspertë të kualifikuar për hartimin e një Plani Ruajtje gjithëpërfshirës, të bazuar në fakte shkencore, për këtë lloj.

Informacion për Projektin

LASPEH 2.0 synon të zhvillojë Plane Ruajtje për habitatet dhe llojet prioritare në Adriatikun e Jugut, në përputhje me Ligjin e BE-së për Restaurimin e Natyrës. Procesi do të përfshijë:

  • Identifikimin e boshllëqeve në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe zbatimin e rrjetit Natura 2000;
  • Vlerësimin e legjislacionit ekzistues kombëtar dhe të BE-së, si dhe procedurave që lidhen me mbrojtjen e natyrës;
  • Përmirësimin e nivelit të ruajtjes, dokumentacionit teknik dhe performancës së ruajtjes në rajonet pjesëmarrëse;
  • Mbledhjen e të dhënave të reja në terren (kur është e nevojshme);
  • Organizimin e seminareve teknike lokale me ekspertë dhe aktorë të interesit për përcaktimin dhe vlerësimin e masave të ruajtjes;

Plani i Ruajtjes për dallëndyshen e detit ballëbardhë do të hartohet në përputhje me këto objektiva të përgjithshme dhe do të kontribuojë në krijimin e një Strategjie të Përbashkët për mbrojtjen e llojeve dhe habitateve në Adriatikun e Jugut.

Detyrat e Ekspertit/ Ekspertëve

Të kryejë një rishikim (desk review) të:

  • Literaturës ekzistuese, të dhënave të monitorimit dhe studimeve mbi Sternula albifrons;
  • Direktivave përkatëse të BE-së (Direktiva e Shpendëve, Direktiva e Habitateve), Ligjit të BE-së për Restaurimin e Natyrës dhe legjislacionit kombëtar;
  • Planeve aktuale të menaxhimit dhe masave të ruajtjes në zonat e mbrojtura përkatëse.

Të vlerësojë:

  • Statusin aktual të ruajtjes së llojeve në zonat e synuara në Shqipëri;
  • Kërcënimet dhe presionet kryesore;
  • Boshllëqet në menaxhim dhe zbatim;
  • Faktorët socio-ekonomikë që ndikojnë në ruajtjen e llojeve.

Të zhvillojë një Plan Ruajtje që përfshin:

  • Objektiva konservimi (afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata);
  • Veprime specifike dhe të matshme;
  • Kornizë monitorimi dhe indikatorë;
  • Strategji për përfshirjen e aktorëve të interesit;
  • Aspekte buxhetore dhe të zbatimit;
  • Vlerësim të rreziqeve dhe masa zbutëse.
  • Të marrë pjesë në të paktën një seminar/punëtori teknike lokale për të prezantuar gjetjet paraprake dhe për të integruar komentet e aktorëve të interesit.
  • Të dorëzojë Planin e Ruajtjes.

 

Produktet e Pritshme

  • Analizë e detajuar e legjislacionit përkatës dhe e gjendjes aktuale të llojit, duke përfshirë kuadrin institucional dhe sfidat kryesore në zbatim;
  • Draft i Planit të Ruajtjes;
  • Prezantim në seminar me aktorët e interesit;
  • Plan Final i Ruajtjes të llojit (i rishikuar dhe i validuar).

Kohëzgjatja

Angazhimi pritet të zgjasë 3 muaj, duke filluar nga data e nënshkrimit të kontratës.

Kualifikimet e Kërkuara

  • Diplomë në biologji, ekologji, ornitologji ose fushë të ngjashme;
  • Përvojë e dëshmuar në hartimin e planeve të ruajtjes për specie;
  • Njohuri mbi legjislacionin mjedisor shqiptar dhe të BE-së (Direktiva e Shpendëve, Direktiva e Habitateve, Ligji i BE-së për Restaurimin e Natyrës);
  • Përvojë në procese konsultimi me aktorë të interesit konsiderohet avantazh.

Procedura e Aplikimit

Ekspertët e interesuar ftohen të dërgojnë:

  • CV;
  • Letër motivimi;
  • Ofertë financiare (shumë fikse, duke përfshirë të gjitha taksat).

Aplikimet duhet të dërgohen nga data 3 Mars deri më 15 Mars në adresën e emailit: [email protected] me subjektin: Aplikim – Plan Ruajtje për Sternula albifrons

Shënim: Mund të aplikoni si individ ose si skuadër.

Postime të ngjashme