Shkëmbimi i njohurive në Malet e Pindit mbështet planifikimin e qeverisjes për Parkun Natyror Munellë

Shkëmbimi i njohurive në Malet e Pindit mbështet planifikimin e qeverisjes për Parkun Natyror Munellë

Shkëmbimi i njohurive në Malet e Pindit mbështet planifikimin e qeverisjes për Parkun Natyror Munellë

Në fillim të marsit, një delegacion i institucioneve shqiptare dhe aktorëve lokalë nga rajoni i Munellës, së bashku me PPNEA, u bënë pjesë e një vizitë  studimore tre-ditore në Malet e Pindit në Greqi. Ky shkëmbim kishte për qëllim të mbështeste përgatitjen e një plani pilot për qeverisjen e Parkut Natyror Munellë, në kuadër të projektit për korridoret ekologjike, Connectivity Conservation Areas (CCA), i mbështetur nga Prespa Ohrid Nature Trust.

Vizita u organizua në bashkëpunim me kolegët nga Biodiversity Conservation Lab/University of Ioannina, Pindos Perivallontiki dhe Balkan Chamois Society, organizata me eksperiencë të gjatë në kërkimin, monitorimin dhe ruajtjen e natyrës në rajonin e Pindit.

Delegacioni përfshinte përfaqësues nga Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Lezhës, Kukësit dhe Shkodrës, bashkitë Mirditë dhe Fushë-Arrëz, si dhe përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Çdo institucion u përfaqësua nga një pjesëmarrës, duke reflektuar strukturën e qeverisjes me shumë aktorë, thelbësore për menaxhimin e parkut të sapo krijuar.

Programi u zhvillua në Bashkinë e Konicës, ku delegacioni u mirëprit nga Zv. Kryetari Dimitrios Kotsaftis, së bashku me Dr. Haritakis Papaioannou, Dr. Maria Petridou, Prof. Vassiliki Kati, dhe përfaqësues të Shërbimit Pyjor. Ai përfshinte prezantime, diskutime dhe vizita në terren, duke ofruar njohuri të thella mbi qeverisjen e zonave të mbrojtura, ndërlidhjen  ekologjike dhe ruajtjen e pyjeve.

Programi përfshiu prezantime tematike dhe vizita në terren mbi temat kryesore të qeverisjes dhe ruajtjes së natyrës. Pjesëmarrësit u njohën me zonat e projektit të korridoreve ekologjike në Shqipëri dhe të Pind – Prespë në Greqi, duke përfshirë projektin CHAMOIS dhe punën e tij mbi korridoret ekologjike dhe planifikimin e qeverisjes.

Korniza e menaxhimit të pyjeve dhe faunës në Greqi u prezantua nga Shërbimi Pyjor (Inspection Directorate for Forest Policy Implementation of Epirus and Western Macedonia, z. N. Kanellopoulos). U prezantuan gjithashtu hulumtime mbi pyjet primarë dhe të vjetër në Shqipëri dhe Greqi, si dhe roli i zonave natyrore në të cilat nuk lejohet zhvillimi i infrastrukturës rrugore, me qëllim ruajtjen e pyjeve me karakteristika të pyjeve të vjetra.

Qasje të bazuara në komunitet u demonstruan përmes iniciativës Ecomuseum në Zagori, duke nxjerrë në pah lidhjen mes trashëgimisë kulturore, praktikave tradicionale dhe ruajtjes së natyrës (përfaqësues i Ecomuseum: Artemis Talioura).

Dita e dytë filloi me vizitë në Qendrën e Informacionit të Parkut Kombëtar të Pindit të Veriut, duke ofruar njohuri praktike mbi menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe programet e monitorimit të specieve. Ajo vazhdoi me një vizitë në terren në Gjeoparkun Global UNESCO Vikos–Aoos, përfshirë qendrën e tij të informacionit në Papingo, ku pjesëmarrësit u njohën me strukturat e qeverisjes, menaxhimin e vizitorëve dhe qasjet e përfshirjes së komunitetit, duke treguar se si iniciativat e ruajtjes mund të lidhen efektivisht me turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin lokal.

Një moment veçanërisht i paharrueshëm ishte vëzhgimi i një tufe me  dhi të egra (Rupicapra rupicapra balcanica), një lloj në fokus që simbolizon ndërlidhjen  ekologjike në peizazhet malore të Ballkanit Perëndimor.

I shpallur zonë e mbrojtur në 2022, Parku Natyror Munellë përfaqëson një peizazh malor të rëndësishëm në veri të Shqipërisë dhe një zonë kyçe për ruajtjen e biodiversitetit dhe ndërlidhjen ekologjike, duke përfshirë edhe habitatin e rrëqebullit të Ballkanit. Parku lidh disa institucione dhe autoritete lokale, duke bërë bashkëpunimin thelbësor për menaxhimin e tij efektiv.

Duke sjellë së bashku institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe qeverisjen e Parkut Natyror Munellë, vizita ofroi frymëzim dhe njohuri praktike që do të kontribuojnë në zhvillimin e planit pilot të qeverisjes dhe forcojnë bashkëpunimin mes aktorëve të përfshirë në menaxhimin e ardhshëm të parkut.

Pas vizitës, procesi i zhvillimit të planit pilot për qeverisjen e Parkut Natyror Munellë do të vazhdojë me aktorët lokalë në Shqipëri. PPNEA po kryen një seri intervistash me institucione dhe aktorë lokalë nga rajoni i Munellës për të kuptuar më mirë potencialin dhe gatishmërinë për bashkëpunim përtej kufijve të zonës së mbrojtur.

Procesi i konsultimit do të shqyrtojë mundësitë për bashkëpunim të forcuar midis bashkive, autoriteteve të zonave të mbrojtura dhe institucioneve kombëtare në të gjithë rajonin e Munellës. Informacioni i mbledhur përmes këtyre intervistave do të kontribuojë në përgatitjen e një qasjeje qeverisëse me shumë aktorë për rajonin. Procesi do të përfundojë me një takim të dedikuar, ku aktorët e intervistuar do të ndajnë perspektivat, do të diskutojnë idetë e propozuara dhe do të reflektojnë së bashku mbi mundësitë e qeverisjes dhe ndërlidhjes për menaxhimin dhe ruajtjen e ardhshme të Parkut Natyror të Munellës.

 
Postime të ngjashme