Takime rajonale për menaxhimin ndërkufitar të zonave të mbrojtura në Ballkanin Perëndimor

Takime rajonale për menaxhimin ndërkufitar të zonave të mbrojtura në Ballkanin Perëndimor
Në kuadër të projektit “Menaxhimi ndërkufitar i zonave të mbrojtura në Ballkanin Perëndimor”, dhe projektit “Naviguesi i Agjendës së Gjelbër”, PPNEA organizoi dy takime rajonale në Librazhd dhe Shkodër, të zhvilluara në ambientet e ADZM Elbasan dhe ADZM Shkodër. Në këto takime morën pjesë përfaqësues nga ADZM-të, drejtoritë e pyjeve në bashkitë përkatëse, si dhe organizata mjedisore lokale.
Ky takim shërbeu edhe për nisjen e projektit, i cili do të zbatohet në tre shtete: Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi. Projekti synon forcimin e mbrojtjes së biodiversitetit dhe ekosistemeve në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me kërkesat e Konventës së Bernës dhe rrjetit Emerald, si dhe në perspektivën e integrimit në rrjetin Natura 2000 pas anëtarësimit në BE.
Dy zonat pilot të projektit janë: Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë – Parku Kombëtar Prokletije dhe Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë.
Me një kohëzgjatje prej 24 muajsh, projekti parashikon:
– Krijimin e protokolleve të përbashkëta dhe harmonizimin e praktikave të monitorimit për gjitarët dhe shpendët e pyllit;
– Rritjen e kapaciteteve të autoriteteve dhe organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e biodiversitetit në zonat Emerald dhe Natura 2000;
– Angazhimin e palëve të interesit dhe forcimin e rrjetit të Brezit të Gjelbër të Ballkanit.
Gjatë takimeve, PPNEA prezantoi projektin dhe komponentët e tij, si dhe zhvilloi diskutime mbi bashkëpunimin ndërinstitucional. Një fokus i veçantë iu kushtua skemës kombëtare të monitorimit të rreqebullit të Ballkanit, duke eksploruar mundësi konkrete për bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe organizatave. Gjithashtu, u prezantua nisma “Pyjet përtej kufijve” (Forests Beyond Borders), e cila synon studimin dhe mbrojtjen e pyjeve të vjetër në Shqipëri, me fokus në zonën e Currajt të Epërm, si një zonë kyçe për ndërlidhjen ekologjike në korridorin verior të vendit. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve u përqendrua edhe në sfidat dhe problematikat që hasin ADZM-të në menaxhimin e zonave të mbrojtura, si dhe në nevojat për mbështetje institucionale dhe teknike.
Në të dy takimet u prezantua gjithashtu raporti “Ruajtja e biodiversitetit dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, i cili analizon politikat kombëtare dhe progresin e Shqipërisë në këtë drejtim. Ky raport është pjesë e projektit “Navigauesi i Agjendës së Gjelbër”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Projekti zbatohet nga Belgrade Open School, në bashkëpunim me gjashtë partnerë rajonalë: Aarhus Centre Association, Eco-Team, Eco-Z, Qendra për Kërkime dhe Informim Mjedisor Eko-Svest, organizata (PPNEA) dhe CEE Bankwatch Network.
Diskutimet nxorën në pah disa rekomandime kryesore për forcimin e mbrojtjes së natyrës:
– Transpozimi dhe zbatimi i plotë i Direktivave të BE-së për Shpendët dhe Habitatet;
– Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse;
– Sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe menaxhimit afatgjatë të zonave kyçe për ndërlidhjen ekologjike dhe korridoreve natyrore.
Këto takime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale, bashkëpunimit me aktorët lokalë dhe avancimit të objektivave të Agjendës së Gjelbër në Shqipëri.
Postime të ngjashme