Në datën 22 Prill, në Ditën e Tokës, zyra lokale e PPNEA-s zhvilloi një aktivitet edukimi mjedisor me nxënësit e shkollës “Tefta Tashko Koço”, në ambientet e qendrës “Foleza”, një hapësirë e dedikuar në krijimtari dhe eksplorim. Aktiviteti u fokusua në ndërgjegjësimin e nxënësve mbi rëndësinë e Tokës si i vetmi planet ku zhvillohet jeta, duke i ftuar ata të reflektojnë mbi marrëdhënien që kemi me mjedisin. Përmes diskutimeve të hapura, nxënësit ndanë ide dhe mendime mbi mënyrat se si mund të kontribuojmë në mbrojtjen e natyrës, duke theksuar rëndësinë e veprimeve të përditshme si kujdesi për hapësirat publike, reduktimi i mbetjeve dhe respekti ndaj biodiversitetit. Pjesa më dinamike e aktivitetit erdhi përmes krijimtarisë, ku nxënësit shprehën mesazhet e tyre përmes vizatimeve. Punimet e realizuara treguan qartësisht kuptimin dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj mjedisit dhe një lidhje të sinqertë me natyrën, duke përcjellë mesazhe të qarta për mbrojtjen e Tokës dhe të ardhmen e saj. Ky aktivitet shërbeu jo vetëm si një moment reflektimi, por edhe si një hap drejt formimit të një brezi më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit.



