Nga data 24 deri më 27 qershor 2026, në Konitsa, Greqi, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për Dhinë e Egër të Ballkanit, një aktivitet rajonal i organizuar në Vikos–Aoos UNESCO Global Geopark, që mblodhi ekspertë, studiues, institucione dhe organizata të ruajtjes së natyrës nga i gjithë Ballkani.
Konferenca kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal për ruajtjen e dhisë së egër të Ballkanit, një nga llojet më karakteristike të ekosistemeve malore të rajonit. Gjatë punimeve u diskutuan gjendja aktuale e popullatave në vendet e Ballkanit, sfidat e ruajtjes, diversiteti gjenetik, ndërlidhja ekologjike, shëndeti i jetës së egër, rimëkëmbja e popullatave dhe bashkëpunimi ndërkufitar. Dhia e egër është pre potenciale e rëndësishme për rrëqebullin e Ballkanit, ndërsa monitorimi i saj ndjek një protokoll specifik dhe zhvillohet kryesisht në habitatet ndërkufitare mes vendeve fqinje.
Shqipëria u përfaqësua nga PPNEA me prezantimin “Dhia e egër në Shqipëri”, të mbajtur nga Bledi Hoxha, Menaxher Programi, dhe Ilir Shyti, Asistent Projekti. Prezantimi paraqiti situatën aktuale të dhisë së egër në Shqipëri, si edhe përpjekjet për monitorimin dhe ruajtjen afatgjatë të këtij lloji.
Programi përfshiu gjithashtu diskutime mbi standardizimin e protokolleve të monitorimit, rritjen e kapaciteteve, forcimin e rrjetit rajonal dhe zbatimin e veprimeve të përbashkëta për mbrojtjen e popullatave të dhisë së egër.
Konferenca u përmbyll me një ekspeditë në terren në shpatet lindore të Malit Tymfi, ku pjesëmarrësit vizituan habitatet natyrore dhe korridoret ekologjike të dhisë së egër brenda Parkut Global Gjeologjik UNESCO Vikos–Aoos.









